09 Shkurt 2023

Ministri Faton Peci zhvillon takim me homologen e tij kroate, Marija Vukovic

Prishtinë, 9 shkurt – Gjatë qëndrimit të tij zyrtar në Zagreb të Kroacisë, Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci zhvilloi takim me homologen e tij në shtetin kroat, Ministren e Bujqësisë, Marija Vukovic.

Ministri Faton Peci shpalosi para znj. Vukovic gjendjen e sektorit të bujqësisë në Kosovë dhe hapat konkret që janë ndërmarrë në zhvillim të sektorit. “Njëherit i shpreha gatishmërinë për bashkëpunim ndërinstitucional me qëllim të shkëmbimit të përvojave dhe ekspertizës kroate si në përmirësim të politikave zhvillimore ashtu edhe në plotësimin e kritereve të akreditimit për mekanizmat financiar të para anëtarësimit në BE (IPARD), duke qenë se pikësynim i yni është sigurimi i këtyre fondeve me qëllim të rritjes së përkrahjes financiare ndaj fermerëve tanë”, tha mes tjerash ministri Peci.

Me këtë rast, Ministri Peci e ftoi Ministren Vukovic që ta vizitojë Kosovën dhe të njihet nga afër me sektorin e bujqësisë në vendin tonë, si dhe të zyrtarizojnë qëndrimet e dyja palëve përmes nënshkrimit të një memorandumi të bashkëpunimit mes dy vendeve në një të ardhme të afërt. Ndërsa, në fund të takimit Ministri Peci në shenjë respekti i dhuroi disa nga produktet më të mira vendore dhe e siguroi ministren Vukovic se gjatë vizitës në Kosovë, do të ketë mundësinë njihet me shumë histori suksesi të prodhuesve dhe agro-përpunuesve kosovarë.    

Kalendari

Ngjarjet e datës 9 shkurt 2023

- Kuvendi i Republikës së Kosovës mban seancë plenare. (Kuvendi i Kosovës, ora 10:00)

- Këshilli Gjyqësor i Kosovës mban mbledhjen e radhës. (Objekti i KGJK-së, ora 10:00)

- Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, viziton Komunën e Podujevës, ku do të pritet nga kryetari Shpejtim Bulliqi. (Podujevë, ora 10:00)

- Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, dhe kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi, do të përurojnë Qendrën e Mjekësisë Familjare në Gllamnik. (Fshati Gllamnik, Podujevë, ora 11:00)  

- Komuna e Prizrenit nënshkruan Agjendën e Kontratës Sociale për Prizrenin, që është zotim i përbashkët i Komunës dhe qytetarëve për përmirësimin e komunikimit, bashkëpunimit dhe veprimeve kolektive. (Këndi Amerikan në Prizren, ora 11:00)

- Federata e Boksit organizon ceremoninë e ndarjes së çmimeve “Laureatët e viti 2022”. (Hotel Sirius, ora 17:00)