19 Prill 2024

Memorandum për sigurinë dhe ngritjen e cilësisë së qumështit

Prishtinë, 23 nëntor - Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR), Shoqata e Përpunuesve të Qumështit të Kosovës (KDPA), Agjencia e Veterinës dhe Ushqimit të Kosovës (AVUK), Shoqata e Prodhuesve të Qumështit të Kosovës (KAMP), Asistenca Zvicerane për Fuqinë Punëtore (SLA) dhe Programi për Ndërmarrje Private në Kosovë (KPEP), sot e nënshkruan Memorandumin e Mirëkuptimit për implementimin e projektit “Transparenca dhe neutraliteti në marrjen e mostrave, kontrollin e cilësisë dhe pagesën e qumështit të papërpunuar në Kosovë”.

Ministri i MBPZHR-së z.Blerand Stavileci, pas nënshkrimit të memorandumit, shprehu bindjen se vetëm nëpërmjet bashkëpunimit të mirëfilltë ndërmjet gjithë akterëve të kësaj fushe, do mund të ndikohet në sigurinë dhe ngritjen e cilësisë së qumështit.

“Siç e dini, njëri nga sektorët që jemi duke e mbështetur në mënyrë të drejtpërdrejtë financiare është dhe sektori i blegtorisë, të cilin MBPZHR-ja ka filluar ta mbështesë këto vite nëpërmjet subvencionimit, ngase në të kaluaren nuk ka pasur një mbështetje të tillë. Po ashtu, sivjet për herë të parë kemi filluar edhe me një skemë të re të granteve për fermat qumështore dhe kemi pasur një ‘feedback’ mjaft pozitiv”, ka theksuar Stavileci.

Megjithatë, kërkesat dhe nevojat e sektorit sipas tij mbesin përsëri të larta dhe për neve paraqitet edhe një detyrim shtesë, në mënyrë që në të ardhmen ta avancojmë edhe më shumë sektorin, qoftë duke e rritur mbështetjen financiare, qoftë nëpërmjet reformave ligjore, administrative dhe institucionale, veçanërisht për kontrollin e cilësisë dhe sigurisë së ushqimit, elemente këto shumë të rëndësishme në perspektivën e integrimeve evropiane.

“Për ne është shumë e rëndësishme që pjesë e pandashme e këtij bashkëpunimi të jenë edhe shoqatat e prodhuesve dhe përpunuesve të qumështit, të cilat i kemi partnerë kryesor edhe në implementimin e këtij projekti”.

“Besojmë se me zbatimin e kësaj marrëveshjeje do të ketë përparime të dukshme dhe ne do të vazhdojmë edhe në të ardhmen t’i përkrahim dhe të jemi afër prodhuesve dhe përpunuesve, me të vetmin qëllim që ta avancojmë sektorin e qumështit dhe ta ngrisim cilësinë e tij, përfundoi ministri Stavileci.

Mark Wood, drejtor i KPEP-së, tha se kjo është pjesë e bashkëpunimit tonë të vazhdueshëm me MBPZHR-në, AVUK-un, sektorin privat dhe veçanërisht me shoqatat e prodhueseve dhe përpunuesve të qumështit.

“Përmirësimin e cilësisë së qumështit, ne si KPEP e kemi nxitur përmes inkurajimit të fermerëve për të ngritur kapacitetet e tyre dhe produktivitetin, në mënyrë që të krijojnë të hyra më të mëdha dhe ta rrisin aftësinë e tyre konkurruese. Në sektorin e qumështit, ne jemi duke punuar në bashkëpunimin me gjithë partnerët që nga viti 2000 dhe marrëveshja e sotme është rrjedhim i përpjekjeve të vazhdueshme për të ngritur cilësinë e qumështit”.

Ndërsa, Kryeshefi i Agjencionit të Ushqimit dhe Veterinës z.Valdet Gjinovci, tha se nënshkrimi dhe zbatimi i këtij memorandumi, do të ndikojë pozitivisht edhe në ngritjen e cilësisë së qumështit, edhe te prodhuesit dhe përpunuesit.

“Ne si laborator i ushqimit do të japim kontributin tonë dhe do të jemi në shërbim të shoqatave të prodhuesve dhe përpunuesve të qumështit, për t’i kryer gjitha analizat laboratorike dhe për të nxjerrë një pasqyrë reale mbi gjendjen e përgjithshme dhe cilësinë e qumështit në nivel vendi”.

Po ashtu, edhe nga prodhuesit dhe përpunuesit e qumështit, marrëveshja u konsiderua si një e arritur shumë e madhe për gjithë sektorin e qumështit, ngase sipas tyre, kjo do të ndikojë dukshëm në ngritjen e kualitetit të qumështit dhe në zhvillimin e këtij sektori. Për ta kishte edhe një rëndësi të veqantë, sepse e konsideruan edhe si një hap të madh drejt standardeve që kërkohen në udhëzimin administrativ.

Synimi i përgjithshëm i projektit është që sektori i qumështit të ketë një treg korrekt, neutral, transparent dhe të kontrolluar nga publiku për qumështin e papërpunuar, në favor të produkteve vendore të qumështit me cilësi të mirë dhe të sigurtë.

Ndërsa, si synim specifik është që marrja e mostrave, testimi i tyre, kontrolli i cilësisë, si dhe mënyra e pagesës të jenë transparente dhe të pranueshme gjerësisht në Kosovë, si nga prodhuesit dhe përpunuesit e qumështit, ashtu edhe nga AVUK-u dhe të tjerët.

Marrja e mostrave, sistemi i testimit për përpunimin e qumështit dhe sistemi i testimit të qumështit të papërpunuar në Kosovë, realizohet në bazë të Udhëzimit Administrativ MA nr. 20/2006.


 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)