16 Prill 2024

MBPZHR planifikon rritjen e investimeve në sistemin e ujitjes

Prishtinë, 19 maj - Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR) e ka vënë në prioritet avancimin e sistemit të ujitjes, duke pasur parasysh se përmes investimeve në këtë sistem ndikohet funksionimi dhe zhvillimi i sektorit të bujqësisë.

Për këto investime që janë planifikuar të realizohen në sistemin e ujitjes ka treguar sot Ministri i MBPZhR-së, Faton Peci gjatë vizitës në Komunën e Gjakovës, ku ka parë nga afër investimet e realizuara në rehabilitimin e sistemit të ujitjes Radoniqi – Dukagjini.

“Pas më shumë se 40 viteve fshatrat Doblibar dhe Bardhasan të Komunës së Gjakovës dhe fshatrat Petrovë, Trepetnicë e Shpinadi të Komunës së Prizrenit kanë qasje në sistem të ujitjes."

"Në Komunën e Rahovecit është realizuar rehabilitimi i sistemit të ujitjes, i cili përfshin fshtatrat Gexhë, Radost, Ratkoc, Denjë Dobridol, Polluzhë, Qifllak dhe Kramovik me një sipërfaqe rreth 1,300 ha duke përfshirë këtu edhe mbrojtjen e gypit transit nëpër të cilin kalon Drini i Bardhë dhe furnizon me ujë fshatrat e këtij nënsistemi."

"E deri më tani kemi investuar 4,074,000 Euro në sistem të ujitjes, ku sipërfaqja e pajisur me ujitje deri më tani arrin 7,750ha”, ka treguar Ministri Peci, duke shtuar se numri i fermerëve përfitues që do të kenë qasje në shërbime të ujitjes do të jetë 10,754.

Ndërkaq, përmes rehabilitimeve të kryera në infrastrukturën ujitëse, sigurohet qëndrueshmëri dhe funksionim i sistemit edhe për 40 vitet e ardhshme.

Ndër tjerash, ai ka treguar se MBPZhR-ja përmes financimit nga BE-ja me 10 milionë euro të Programit IPA 2020 do të vazhdojë me rehabilitimin dhe modernizimin e sistemit duke e zhvilluar sistemin automatik të menaxhimit (SCADA), për te rritur efikasitetin e shfrytëzimit të ujit dhe të rrisë prodhimtarinë bujqësore, duke i ulur kostot e prodhimit.

Ministri Peci ka treguar se përmes këtij investimi do të zgjerohet  sipërfaqja ujitëse me 3,200 ha shtesë në nën-sistemin Radoniqi dhe 1000 ha shtesë në nën-sistemin Dukagjini.

Ndryshe, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural ka planifikuar që të investojë rreth 2.3 milionë euro në sistemin  e ujitjes dhe për këtë qëllim iu është drejtuar përmes shkresës zyrtare të gjithë Kryetarëve të Komunave në tërë territorin e Republikës së Kosovës, në mënyrë që t’i përkrahin ato me zhvillim të sistemit të ujitjes.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)