28 Mars 2024

Mbi 60 për qind të prerjeve të pyjeve janë ilegale

Prishtinë, 21 shtator - Prerja e pyjeve llogaritet të jetë një ndër problemet kryesor të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, (MBPZHR) dhe Agjencisë Pyjore të Kosovës, (APK).

Kryeshefi ekzekutiv në APK, Ahmet Zejnullahu tregon se në periudhën janar-qershor të vitit 2010, janë prerë 21 mijë e 579 metra kub drurë. “Diku përmbi se 60 për qind e prerjeve janë ilegale, ndërsa pjesa tjetër marrin leje nga inspektorët”, tha ai.

Sipas Zejnullahut sfida kryesore është pranadalimi i prerjeve ilegale. Ai thotë se dëmet janë të mëdha, por të gjithë prerësit ilegal që kapen në flagrancë, lënda iu shkon në gjykatë.

“Numri i fletëparaqitjeve të cilat janë lëshuar gjatë periudhës janar-qershor të vitit 2010,  janë 3 mijë e 848 fletëparaqitje, prej të cilave, 2 mijë e 260 janë për kundërvajtje, ndërsa për vepër penale janë 1 mijë e 588”.

Zejnullahu thotë se të gjithë këta shkelës do të përballen me ligjin dhe presin ekzekutimin e këtyre lëndëve. “Të gjitha këto lëndë janë në procedurë gjyqësore dhe ende nuk kemi ekzekutimin e asnjë lënde të kësaj periudhe”.

Sipas Zejnullahut pyjet janë dëmtuar më së shumti në komunën e Deçanit, Kaçanikut, Prishtinës dhe Podujevës dhe sipas tij, në këto komuna duhet të ketë më shumë kujdes.

“Këto komuna të dëmtuara  kanë nevojë ende për një koordinim dhe bashkëpunim me nivelin qendror për shtrimin e kompetencave dhe eliminimin e prerjeve”.

Sipas kryshefit të APK-së, tash edhe komunat kanë përgjegjësi në mbrojtjen e pyjeve nga prerësit ilegal. “Nga korriku i vitit 2010 të gjitha komunat obligohen që t’i mbrojnë pyjet, por nuk i kanë të gjitha kompetencat, por disa nga kompetencat”, thotë Zejnullahu.

“I gjithë stafin i mbrojtjes së pyjeve ka kaluar në nivele komunale. Të 266 punëtorët nga Agjencia e Pyjeve kanë kaluar nëpër komuna, duke përfshirë përgjegjësin e njësisë komunale, një pjesë të teknikëve dhe i gjithë stafi i rojeve të pyllit”.

Sipas Zejnullahut qëllimi i APK-së është që ta zvogëloi dëmin në pyje përmes rritjes së sipërfaqeve për prerje legale. “Interesi ynë është që të angazhohen në shtimin e sipërfaqeve të prerjeve legale, ndërsa të minimizohen maksimalisht prerjet ilegale, sepse mënyra e prerjes ilegale po i shkatërron pyjet dhe dëmet janë të mëdha”.

Ndërsa Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Blerand Stavileci thotë se si obligim që rrjedh nga pakoja e Ahtisarit, janë dy kompetenca që duhet të barten nëpër komuna, jo të gjitha, ajo që ka të bëjë me prerjen e pyjeve dhe licencimin në nivel komunal.

“Kjo gjë ka ndodhur dhe ne kemi nënshkruar një memorandum mirëkuptimi dhe këto kompetenca janë deleguar. Nëpër disa vende akoma po vazhdon shkatërrimi i pyjeve, por kjo nuk do të thotë që ne do të qëndrojmë duar kryq”.

Stavileci thotë se mbrojtja e pyjeve duhet të jetë obligim i të gjithëve, pavarësisht se disa i ka njëri institucion disa tjetri. “Çështja e dëmtimit të pyjeve është krim i trefishtë. Është krim natyror, ambiental dhe ekonomikë sepse shkakton në të tria këto dëme. Problemin e shkatërrimit të pyjeve do ta trajtojmë për çdo ditë”.

Këtë vit parashihet edhe pyllëzimi i sipërfaqeve të reja prej 150 hektar.

Sipërfaqe pyjore në Kosovë janë 464 mijë hektarë, prej të cilave 60 për qind janë të sektorit shtetëror, ndërsa pjesa tjetër private.

Shtimi i masës drunore brenda një viti në Kosovë është diku 1.2 milion metra kub, ndërsa kërkesat për dru janë afër 1 milion metra kub.
 

Elhami Ismajli

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)