23 Janar 2022

Kryeministri Kurti vizitoi ndërmarrjen që bën përpunimin e frutave të malit

Podujevë, 8 nëntor - Në kuadër të “Ditëve të Biznesit Kosovar” dhe dialogut me biznesin privat, të organizuar nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministren e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, vizituan ndërmarrjen vendore që bën përpunimin e frutave të malit.

“Mu duk shumë interesant rrëfimi që keni, ku Albani është i diplomuar në Shkenca Politike ndërkaq Medina në Mjekësi, e mesatarja është bujqësi edhe agropërpunim,” tha kryeministri në vizitën te ndërmarrja “Joni Sh”, me pronarë çiftin Alban edhe Medina Shabani.

Duke folur për ndihmën për prodhuesit nga Qeveria, kryeministri veçoi vendimin që përveç asaj që tashmë dihet subvencionimin e gjysmës së kamatës, njëkohësisht do të subvencionohet edhe 20 për qind e kryegjësë në kredi, pra principalin e kredisë. Ndërsa secili prodhues do të mund të marrë edhe 130.000 euro shtesë për të zgjeruar tregjet dhe për ta rritur cilësinë.

“Në anën tjetër, buxhetin për vitin 2022, e kemi miratuar në mbledhje të Qeverisë, do ta sjellim në Parlament për diskutim dhe aprovim së shpejti, me ç’rast buxheti për bujqësi do të jetë mbi 70 milionë euro, pa përfshirë grantet dhe ndihmat që do t’i marrim prej jashtë, prej donatorëve të ndryshëm”, tha kryeministri Kurti.

Ai theksoi se e kemi gjetur Ministrinë e Bujqësisë me 40 milionë euro obligime financiare dhe po e nxjerrim pa borxhe në vitin 2022.

“Do t’i kemi së paku edhe 10 milionë euro për rezerva shtetërore, të cilët duhet të mbushen me prodhim vendor dhe do të freskohen kohë pas kohe”, shtoi ai.

Kryeministri bëri të ditur se së shpejti Qeveria e Kosovës do të bëjë marrëveshje me Bashkimin Evropian për 10 milionë euro grante të fondeve IPA 2020, të cilët do t’i dedikohen rehabilitimit të sistemit të ujitjes.

Ndërsa në anën tjetër, i njoftoi për pjesëmarrjen në një garë ndërkombëtare për 20 milionë euro te Fondi për bujqësi globale dhe siguri të ushqimit, që iu dedikohet dy fushave kryesore: fermerëve të hortikulturës dhe organizimin e tyre në shoqata.  

Në fund të vizitës, kryeministri Kurti dhe ministrja Hajdari, vlerësuan organizimin e punës dhe cilësinë e prodhimit të kësaj fabrike që bën përpunimin e dredhëzës, mjedrës dhe boronicës, e që për këtë vit ka kaluar qarkullimin prej 1 milion euro, duke eksportuar prodhimet e veta edhe në Gjermani.

Kalendari

Ngjarjet e datës 23 janar 2022

- Në kuadër të manifestimit “Flaka e Janarit” do të mbahet Festivali i dramës origjinale shqipe “Talia 2022”. (Teatri qytetit të Gjilanit, ora 18:00)