09 Dhjetor 2022

Kryeministri Kurti i pranishëm gjatë mbjelljeve vjeshtore në Miresh

Gjilan, 13 tetor - Pas vendosjes së gur themelit të çerdhes në fshatin Miresh të Komunës së Gjilanit, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga ministri i  Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci dhe Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, vizitoi dhe takoi bujkun Osman Osmani gjatë mbjelljeve vjeshtore.

Osman Osmani ka të mbjella 10 hektarë grurë dhe 10 misër. Krahasuar me vitin 2021 përkrahja qeveritare për mbjelljen e grurit është rritur për 216% për hektar, kurse për atë të misrit 119% për hektar.

Ai u shpreh i kënaqur me përkrahjen institucionale dhe me thjeshtësinë e procedurave për aplikim për mbështetje.

Politikat e Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe mbështetja e Qeverisë është reflektuar në rritjen e sipërfaqeve të mbjella dhe në rendimentin për hektarë, tha kryeministri Kurti, teksa falënderoi të gjithë bujqit e fermerët, që me punën e tyre po punojnë gjithnjë e më shumë tokë të Kosovës dhe po nxjerrin gjithnjë e më shumë bukë për Kosovën.

Në vitin 2022 është rritur për 15.5% sipërfaqja e mbjellë me grurë dhe për 91% ajo me misër.

Ndërkaq, ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, duke folur për politikat dhe veprimet e deritanishme të Qeverisë në mbështetje të bujqve dhe fermerëve, shprehu besimin e tij se deri në fund të mandatit do të kujdesen që mos të lënë tokë të punueshme në Kosovë pa e punuar.

 

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 9 dhjetor 2022 - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, presidentja Vjosa Osmani-Sadriu dhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, marrin pjesë në dëgjimin publik për Projektligjin për Liritë Fetare. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 9:00)

- Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit shqyrton Raportit për Projektligjin Agjencinë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës, Projektligjin për Bujqësi dhe Zhvillim Rural, etj. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 9:30)

- Komisioni për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve dhe Kthim shqyrton Projektligjin për parandalimin dhe kontrollin e integruar të ndotjes, me raport amendamente të Komisionit funksional për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim dhe Zhvillim, etj. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 9:45)

- Instituti i Kosovës për Drejtësi organizon konferencë për media, ku do të publikohet raporti me titull “Qeverisja me duar të pastërta”, raport ky mbi deputetët, ministrat dhe kryetarët e komunave, të cilët kanë probleme me ligjin. (Hotel Sirius, ora 10:00)

- Gjykata Kushtetuese organizon “Ditën e Gjykatës së Hapur” në shënim e Ditës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut. (Gjykata Kushtetuese, ora 10:00)

- Për të shënuar 9 dhjetorin, Ditën Ndërkombëtare kundër Korrupsionit, Koalicioni i Organizatave të Shoqërisë Civile dhe Mediave, do të mbajnë një konferencë me temën “Fuqizimi i Kapaciteteve të Shoqërisë Civile për luftimin e korrupsionit”. (Hotel Sirius, ora 10:00)

- Kuvendi i Republikës së Kosovës vazhdon seancën plenare. (Kuvendi i Kosovës, ora 10:00)

- Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu bashkëbisedon me studentët e Kolegjit AAB për temën mbi dhunën në bazë gjinore. (Kolegji AAB, ora 10:30)

- Rreth 60 punëtor teknik dhe ata te sigurimit fizik qe punojnë në Qendrat e Mjekësisë Familjare disa shkolla te Prishtinës  do te protestojnë me kërkesën për rritje të pagave. (Para komunës se Prishtinës, ora 11:00)

- Këshilli Rinor Kosovar organizon Kuvendin Zgjedhor të Këshillit të Nxënësve të Kosovës në nivel vendi. (Amfiteatri i Ministrisë së Drejtësisë, ora 13:00)

- Instituti i Kosovës për Drejtësi organizon aktivitet me studentët e Klinikës Ligjore të IKD– së, ku do të bëhet prezantimi i shpalljes së simuluar të një aktgjykimi të një rasti të korrupsionit. (Sheshi Skënderbeu në Prishtinë, ora 13:30)

- Lidhja Demokratike e Kosovës mban konferencë për medie. (Selia qendrore e LDK-së, ora 13:30)

- Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu merr pjesë në një tryezë me gratë në Komunën e Mitrovicës. (Restaurantin "Va Piano", ora 15:00)

- Me rastin e 5 vjetorit të ndarjes nga jeta të artistit, Blerim Peci, Komuna e Mitrovicës, në bashkëpunim me artistë, familjarë e miq të ish të ndjerit organizojnë takimin përkujtimor për të ndarë së bashku kujtime të bukura e të pashlyeshme për të. (Qendra e Kulturës "Rexhep Mitrovica", ora 17:00)

- Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu merr pjesë në shfaqjen e filmit "Zgjoi". (Kino Armata, ora 17:00)