19 Janar 2022

Kosova ka prodhuar 26,500 tonë mjedër në vlerë prej 54 milionë euro

Prishtinë, 15 dhjetor - Për të përshpejtuar e ndërruar konceptin e të prodhuarit në përputhje me trendet globale dhe praktikat më të mira bujqësore, Qeveria është e përkushtuar që të zbatojë standardet më të mira të mundshme në të gjithë sektorët, sikurse është bërë në sektorin e mjedrave, tha Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti në Konferencën e 6-të të mjedrës në Kosovë.

"Kështu e përmirësojmë cilësinë e jetës së qytetarëve tanë duke ju ofruar ushqime të sigurta dhe vende pune, fermerëve kushte të mira të punës, mjedisit përmirësim të vazhdueshëm, e zonave tona rurale peizazh të bukur e gjallëri", tha ai.

Kryeministri shprehu kënaqësinë që prodhimet tona, mjedra jonë kualitative, e rezultati në sektorin e mjedrave është e përbashkëta e shumë qytetarëve evropian.

Përkushtimi i prodhuesve, e ka bërë të mundshme që prodhimi i mjedrës në Kosovë të rritet nga 20 hektarë sa ishte në vitin 2011, në 1400 hektarë sa janë tani në vitin 2021.

Nga viti 2014 deri në 2021, Kosova prodhoi afër 26,500 tonë mjedër, në vlerë prej 54 milionë euro, ku pothuajse e tëra për eksport, për në vendet e BE-së, në veçanti Gjermani. Me këtë janë krijuar afro 5000 vende pune, e është përmirësuar jeta e mijëra familjeve, tha kryeministri.

Me temën “Tranzicioni drejt sektorit të qëndrueshëm të mjedrës në Kosovë” kryeministri Kurti diskutoi me anëtarët e  Shoqatës Nacionale “Mjedra e Kosovës”, fermerë dhe operatorë të sektorit të industrisë agroushqimore, të sektorit të pemëve të imëta, me pjesëmarrës nga komuniteti akademik vendor e ndërkombëtar, dhe me përfaqësuesit e CARITAS Zviceran, USAID dhe partnerë të tjerë ndërkombëtar në Kosovë.

Duke theksuar rëndësinë e shkëmbimit të përvojave dhe dijes, kryeministri tha se kjo e bën të mundur më mirë dhe më saktë adresimin e nevojave të shoqërisë, ndërsa tregon kulturën, kujdesin dhe durimin e prodhuesve tanë. E përtej kësaj mundëson ofrimin e produkteve cilësore dhe të sigurta për të gjithë qytetarët e vendit tonë dhe atyre vendeve ku eksportohen produktet e Kosovës.


Kalendari

Ngjarjet e datës 19 janar 2022

- Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit shqyrton Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Shitjen e Banesave për të cilat ekziston e Drejta Banesore, shqyrton raportin e grupit punues në lidhje me zbatimin e mbikëqyrjes së Ligjit për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve, etj. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N303, ora 10:00)

- Instituti i Kosovës për Drejtësi me përkrahje të Departamentit të Shtetit Amerikan - Byrosë Ndërkombëtare për Çështje të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit dhe NED-it mban konferencë për media në të cilën do të prezantohet analiza me titull “Konfiskimi i pasurisë së pajustifikueshme: problemet juridike të Projektligjit aktual”. (Hotel Sirius, ora 10:00)

- Komisioni për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale shqyrton draft raportin e monitorimit të Ligjit për Shëndetin Mendor dhe diskuton për punën e Këshillit për Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm. . (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 10:00)

- Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike inicon procedurat lidhur me auditimin e raporteve vjetore financiare dhe raportet e deklarimit financiar të fushatës, së subjekteve politike, për vitin 2021. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 10:00)
 
- Lëvizja FOL vazhdon serinë e debateve FOL Hapur me Ministren e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari. (Hotel Sirius, ora 11:00)

- The British School of Kosova organizon shfaqjen edukativo - arsimore për fëmije  "Mushkonjat dhe Princi". (Teatri "Faruk Begolli" në Kolegjin AAB, ora 11:00)

- Administrata Tatimore e Kosovës mban ceremoninë e themelimit të 22 vjetorit të saj në të cilën do të marrin pjesë Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve Hekuran Murati dhe drejtues nga odata ekonomike, përfaqësues nga institucionet ndërkombëtarë, si dhe përfaqësues nga organizatat e kontabilitetit. (Qendra e Shërbimit për Tatimpagues, ish-ndërtesa e Gërmisë, sheshi Skënderbeu, ora 14:00)

- Në kuadër të manifiestimit 'Flaka e Janarit' hapet ekspozitë memoaresh e kujtimesh "Dhoma e Kadriut, Jusufit dhe Bardhoshit". (Muzeu Etnologjik i qyteti të Gjilanit, ora 16:00)

- Partia Socialdemokrate do të mbaj tubim me qytetarë ku do të shpaloset Manifesti - dokumenti i parë i partisë. (Hotel Grand, ora 17:00)