22 Shtator 2021

Hapet festa për vjeljen e rrushit në Rahovec

Rahovec, 7 shtator - Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci ka marrë pjesë sot në ceremoninë e hapjes së Festës për Vjeljen e Rrushit në Komunën e Rahovecit.

Me këtë rast, Ministri Peci ka vizituar plantacionet me vreshta në këtë komunë dhe ka përgëzuar vreshtarët për punën e tyre frytdhënëse dhe angazhimin e tyre në zhvillimin dhe avancimin e veprimtarive të tyre në sektorin e vreshtarisë dhe verëtarisë.

Ai gjithashtu ka vizituar edhe bodrumet e njohura vendore, si dhe prodhuesit e verës me të cilët ka bashkëbiseduar për nevojat e sektorit të verëtarisë dhe vreshtarisë.  

Mbështetje të vazhdueshme ai ju ka premtuar vreshtarëve, të cilët theksoi se do të kenë përkrahjen e tij përmes politikave të duhura dhe programeve të avancuara dhe më këtë rast i ka ftuar ata që nga e mërkura të aplikojnë për mbështetje në kuadër të Programit të Pagesave Direkte për vitin 2021.

“Nesër do të hapim thirrjen për aplikim për fermerët për të gjitha kategoritë dhe kulturat bujqësore në kuadër të Programit të Pagesave Direkte me një buxhet prej 21 milionë euro, ndërsa në total mbështetja e dhënë nga Ministria e Bujqësisë gjatë këtij viti do të arrijë vlerën e 50 milionë euro, duke përfshirë këtu edhe mbështetjen për vreshtarët”, ka thënë Ministri Peci.

Ndryshe, MBPZhR-ja, sektorin e vreshtarisë dhe verëtarisë e përkrahë çdo vit përmes Programit të Pagesave Direkte dhe  Programit të Zhvillimit Rural.

Kalendari

Ngjarjet e datës 22 Shtator 2021

- Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, raporton në Komisionin për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale për menaxhimin e situatës me Covid-19. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 10:00)

- Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës në bashkë organizim me Komunën e Prishtinës, Policinë e Kosovës, OJQ-të shënojnë “Ditën Ndërkombëtare pa Makina”. (Para ndërtesës së Qeverisë, ora 10:00)

- Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit shqyrton formon grupin punues për Projektligjin për Gjykatën Komerciale, shqyrton raportet e Komisioneve të përhershme  për Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve, etj,. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N204, ora 10:00)

- Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, pret në takim kryetaren e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla. (Kabineti i kryetarit, ora 10:00)

- Mbahet takimi i 203-të i Këshillit Prokurorial të Kosovës. (Përmes formës online, ora 10:00)

- Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike shqyrton rekomandimet e dala nga raporti i auditimit të performancës “Parandalimi dhe reagimi i situatave emergjente: Vërshimet”, etj. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 12:00)

- Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere shqyrton Raportin vjetor financiar të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, raportin vjetor Financiar i Agjencisë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronëssi dhe Raportin vjetor Financiar i Institucionit të Avokatit të Popullit. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C203, ora 13:00)

- Komisioni për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë bën rishikimin e Planit të punës së Komisionit për sesionin vjeshtor. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 13:00)

- Instituti Kosovar për Kërkim dhe Zhvillim i Politikave dhe Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë në bashkëpunim me Programi i Universitetit Columbia për Ndërtimin e Paqes dhe të Drejtat e Njeriut organizojnë një konferencë me temë 'Sfidat e Kosovës që vijnë Rusia dhe Kina' me Holden Triplett Agjenti Special i FBI -së dhe Drejtor për Kundërzbulimin në Këshillin e Sigurisë Kombëtare, ret. (https://zoom.us/j/98242813908?pwd=cFBiZGdMV3pRTTV3RDJBbTE5UEtVQT09, ora 16:00)