19 Prill 2024

EC me thirrje për shtim të gjelbërimit në hapësira publike urbane

Prishtinë, 18 gusht - EC Ma Ndryshe ka realizuar një performancë, për të adresuar si shqetësim mungesën e gjelbërimit në hapësira publike. Kjo performancë është realizuar në Komunën e Prizrenit, në Komunën e Prishtinës, në Komunën e Pejës, në Komunën e Gjakovës, në Komunën e Ferizajit, në Komunën e Gjilanit, si dhe në Komunën e Mitrovicës në bashkëpunim me OJQ “7 Arte”.

Nga hulumtimi “Cilësia e ajrit në Prizren” që EC ka realizuar me qytetarët e Prizrenit në vitin e kaluar, del se rreth 44% e të anketuarve mendojnë se nuk po mbillen mjaftueshëm pemë në qytetin e tyre. Ky problem esencial është parë të jetë i pranishëm edhe në shumë komuna të tjera, prandaj dhe përmes këtij reagimi publik kërkohet gjetja e zgjidhjes adekuate për këtë çështje. Në disa rrugë të përzgjedhura të komunave të lartëcekura ku është vlerësuar se ka mungesë të theksuar të gjelbërimit, janë improvizuar artistikisht disa pemë të cilat janë vendosur në beton duke shenjëzuar hapësirën ku ato do të mund të ishin të mbjellura.

Duke i ditur përfitimet e mëdha që sjellin sipërfaqet e gjelbëruara brenda zonave urbane, EC ka ndërmarrë iniciativën që ta realizojë një performancë të tillë, me qëllim që vëmendja e udhëheqësisë lokale të përqëndrohet në shtimin e gjelbërimit brenda qyteteve të Kosovës.

Hapësirat e betonizuara me mungesë gjelbërimi po shndërrohen në një problem tejet të madh sidomos gjatë këtyre ditëve me temperatura të larta. Me mungesë të gjelbërimit dhe me sipërfaqe të panumërta të betonizuara brenda qyteteve tona po krijohen “Ishujt e nxehtësisë urbane” të cilat në kombinim me makinat e ngrisin temperaturën e përgjithshme me +5°C (https://time.com/5655074/concrete-urban-heat).

E në anën tjetër pemët dukshëm e ulin temperaturën e përgjithshme përmes krijimit të hijeve dhe përmes një procesi të njohur si 'transpirimi ftohës' ku pemët lëshojnë ujë në atmosferë nga gjethet e tyre duke reduktuar temperaturën e pikut të verës me 1-5 °C. (www.epa.gov/ Using Trees and Vegetation to Reduce Heat Islands).

Përdorimi i pemëve dhe vegjetacionit në mjedisin urban, me mirëmbajtjen adekuate sjellë përfitime përtej uljes së nxehtësisë brenda zonave urbane. Pemët përreth ndërtesave ndikojnë në krijimin e hijeve dhe kërkesën për kondicionim të ajrit dhe shpenzim të energjisë; përmirësojnë cilësinë e ajrit dhe ulin emetimet e gazrave serrë; ulin rrezikun e përmbytjeve; përmirësojnë cilësinë e jetës si dhe sigurojnë vlerat estetike, krijojnë habitat për shumë lloje dhe zvogëlojnë zhurmën.  Pemët gjithashtu kanë një rol thelbësor në evitimin e ndryshimeve klimatike. Mbjellja dhe mbrojtja e zonave të gjelbra urbane do të maksimizojë thithjen e dioksidit të karbonit, i cili është shkaktar kryesor i ndryshimeve klimatike.

Mbjellja e pemëve poashtu është një nga zgjidhjet më të lira për të trajtuar këtë çështje andaj edhe kjo duhet të jetë një arsye shtesë pse qeveria qendrore dhe ato lokale duhet të përqëndrohen në shtimin e sipërfaqeve të gjelbra në zonat urbane të Kosovës, bashkë me mirëmbajtjen e duhur të tyre.

Kjo performancë është realizuar nga EC Ma Ndryshe, mbështetur nga programi i Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) ‘EJA Kosovë’, bashkëfinancuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe Agjencia Suedeze për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar (Sida). Përmbajtja dhe qëndrimet e paraqitura këtu nuk përfaqësojnë qëndrimin zyrtar të donatorëve.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)