23 Janar 2022

Avancimi i bujqësisë përmes zhvillimit të financimit dhe sigurimeve bujqësore

Prishtinë, 9 nëntor - Për qëllimet e avancimit të sektorit të bujqësisë në Kosovë, Shoqata e Bankave të Kosovës (SHBK) ka organizuar takim të nivelit të lartë në temën që ka të bëjë me sistemet e financimit dhe sigurimeve bujqësore.

Në këtë takim është diskutuar për potencialin që ka sektori i bujqësisë për të krijuar vende pune dhe gjenerim të të hyrave.

Kjo për faktin se Kosova ka një sipërfaqe të madhe të tokës bujqësore të gatshme për prodhim të kulturave të ndryshme bujqësore.  

Mirëpo, niveli jo i kënaqshëm i zhvillimit të ekonomive bujqësore familjare dhe i përpunimit të ushqimit janë paraqitur si sfida të cilat vështirësojnë financimin e këtij sektori.

Me qëllim të avancimit dhe forcimit të sektorit të bujqësisë në Kosovë, Korporata Ndërkombëtare Financiare (IFC) pjesë e Grupit të Bankës Botërore, sot ka prezantuar fillimin e implementimit të Projektit për Financimin dhe Sigurimin Bujqësor në Kosovë.

Ky projekt synon të nxisë zhvillimin e sektorit bujqësor në Kosovë përmes ofrimit të asistencës profesionale dhe këshillëdhënëse të cilat do të rezultojnë në ngritjen e kapacitetit kreditues të institucioneve financiare në Kosovë.

Në fjalimin e tij në këtë ngjarje, Faton Peci, Ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural theksoi se Ministria e Bujqësisë do të vazhdojë me programet dhe politikat qeveritare për fermerë.

"Gjithashtu, është esenciale që fermerët të kenë zgjedhje alternative për qasje në financa, sepse në këtë mënyrë ata mund të përfitojnë nga mundësitë biznesore që do t’u mundësonin rritjen e prodhimit, uljen e rreziqeve klimatike si dhe rritjen e përfitimeve”, ka theksuar ai.

Një avancim edhe më i mirë që është bërë këtë vit është ofrimi përmes programit të pagesave direkte të kësaj Ministrie, për të mbuluar primin e sigurimit bujqësor me 75% të vlerës së primit për gjashtë (6) kultura bujqësore.

Për më tepër, Ministri Peci ka njoftuar se planifikojnë që listës së kulturave bujqësore për sigurime bujqësore t’i shtohen edhe kultura të reja bujqësore në vitet e ardhshme.

Petrit Balija, Kryeshef Ekzekutiv i Shoqatës së Bankave të Kosovës në këtë takim theksoi se “Sekori bankar në Kosovë ka likuiditet të mjaftueshëm për të financuar sektorin e agrobiznesit dhe është i gatshëm të ofrojë ndihmën e nevojshme, në mënyrë që ky sektor të arrijë performancën dhe qëndrueshmërinë e tij”.

Balija gjithashtu theksoi se kërkohet implementim i reformave të thella të cilat do të ndikonin në uljen e informalitetit dhe ngritjen e tregut të konkurrencës.

Duke ditur se sa i rëndësishëm është sektori i bujqësisë në Kosovë në rritjen e punësimit, përmirësimin e jetesës së një segmenti të gjerë të qytetarëve, si dhe potencialit që ka për eksport, IFC synon që të përmirësojë qasjen në financa për agrobiznese, tha Znj. Leah Soroka, Menaxhere e Programit në IFC për Projektin për Financim dhe Sigurime Bujqësore.

Gjithashtu, duke qenë se ekziston nevoja për të krijuar sisteme që do të shfrytëzojnë pajisjet e financimit për fermerët dhe do të rrisin besimin në huadhënien bujqësore, IFC mbështetë sektorin financiar në nxitjen e investimeve në zinxhirin e vlerës në bujqësi dhe me synim që të ndërtohet qëndrueshmëri nëpërmjet shërbimeve financiare dixhitale që janë të lidhura me klimën.

Projekti i IFC-së në Kosovë për Financim dhe Sigurime Bujqësore, financohet nga Programi Global për Bujqësi dhe Siguri të Ushqimit, që ka për qëllim të rris qasjen në financa në sektorin bujqësor në Kosovë.

Ky projekt do të lehtësojë qasjen në financa përmes katër (4) komponentëve kryesorë të projektit, që janë:

- Financimi i zinxhirit të vlerës përmes identifikimit të zbrazëtirave financiare, përshtatjes me institucionet financiare dhe ndërtimit të programeve të partneritetit;

- Përdorimi i opsioneve dixhitale për të ulur koston e transaksioneve për kredi, në mënyrë që t’ju mundësojë institucioneve financiare vendimmarrje më të mirë dhe më të shpejt;

- Sigurimi i qëndrueshmërisë duke zbatuar praktika të zgjuara bujqësore klimatike, dhe

- Ndërtimi i një sektori bujqësor që është rezistent ndaj klimës përmes sigurimeve bujqësore, si dhe duke rritur kreditimin përmes përdorimit të instrumenteve që zvogëlojnë rreziqet e jashtme të ndërlidhura me motin.  

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 23 janar 2022

- Në kuadër të manifestimit “Flaka e Janarit” do të mbahet Festivali i dramës origjinale shqipe “Talia 2022”. (Teatri qytetit të Gjilanit, ora 18:00)