28 Mars 2024

Austria ndihmon bujqësin e Suharekës

Prishtinë, 4 mars - Fondi për Zhvillim Lokal (LDF), nën një ceremoni rasti në sallën e asamblesë komunale të Therandës, sot filloi edhe zyrtarisht punën.

LDF është një fondacion i pavarur që do veproj në komunën e Therandës dhe regjionin jugor të Kosovës, i cili do të jetë përgjegjës për menaxhimin e buxhetit të ndarë nga Koorporata Austriake për Zhvillim, në vlerë prej 1.6 milionë euro për sektorin e bujqësisë.

Ministri i MBPZHR-së, Blerand Stavileci, i cili në fjalën e rastit tha se vendosja e themeleve për zhvillimin ekonomik dhe social ka qenë një prej prioriteteve themelore të Qeverisë së Republikës së Kosovës në të kaluaren, mirëpo zhvillimi i mëtejmë, në veçanti i sektorit të bujqësisë është një prej prioriteteve strategjike dhe programore të qeverisjes së mëtejshme.

“Ne si ministri, kemi qenë dhe jemi të fokusuar në çështjet kruciale që kanë të bëjnë me rritjen e prodhimtarisë dhe zhvillimin rural, ku nëpërmjet subvencionimit, granteve investive, investimeve kapitale, krijimit të lehtësirave të ndryshme dhe mbështetjes së projekteve të Grupeve Lokale të Veprimit, të cilat veprojnë në tërë territorin e vendit, në vazhdimësi kemi mbështetur sektorët me rëndësi ekonomike për vendin”, tha ministri Stavileci.

Ai vlerësoi lartë edhe mbështetjen e projektit “Zhvillimi Regjional i Integruar”, për sektorin e bujqësisë në komunën e Therandës, i cili është financuar nga Agjensioni Austriak për Zhvillim (me iniciativen e të cilëve është bërë edhe themelimi i Fondit për Zhvillim Lokal - LDF), ngase realizimi i këtij projekti, sipas tij, ka përçuar sinjale të një komercializimi në rritje të disa fermave dhe kjo gjë përfaqëson një tendencë të rëndësishme në orientim gjithnjë e më të madh drejt tregut, i cili po ashtu është duke u bërë shumë atraktiv për investitorët, ngase ka hapësirë të mjaftueshme për investime.

“Promovimi i bizneseve të vogla dhe të mesme lokale, shfrytëzimi i resurseve dhe potencialeve natyrore dhe njerëzore, përmirësimi dhe zhvillimi i infrastrukturës lokale, prezantojnë një koncept të zhvillimit ekonomik të bazuar regjionalisht në avancimin e bujqësisë, në shtimin e shumëllojshmërisë dhe eksploatimin e resurseve natyrore, si dhe në stimulimin dhe përforcimin e bizneseve të ndryshme, siç janë industritë për përpunim apo ofruesit e shërbimeve, duke punuar për së afërmi me prodhuesit primar rural”, vazhdoi ministri Stavileci.

Ky zhvillim, si dhe rajonizimi i kulturave bujqësore janë edhe pjesë integrale e politikave zhvillimore të BE-së, sepse reduktojnë zbrazëtirat ndërmjet niveleve zhvillimore të regjioneve të ndryshme, përfundoi ministri Stavileci.

Ndërsa, Kryetari i KK-së së Therandës, Blerim Kuçi, pasi prezantoj të arriturat dhe investimet e komunës në sektorin e bujqësisë, tha se përkrahja dhe buxheti i Kuvendit Komunal të Therandës për sektorin e bujqësisë, gjatë këtij viti do të shumëfishohet.

Të pranishëm në ceremoninë e hapjes ishin edhe përfaqësuesit e Ambasadës së Austrisë në Prishtinë, përfaqësuesit e Agjensionit Austriak për Zhvillim, etj.



 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)