20 Prill 2024

Vezhguesit evropian: zgjedhjet ishin të qeta dhe demokratike

Prishtinë, 13 dhjetor - Dita e zgjedhjeve, përgjithësisht e organizuar mirë, me një numër të mirë votuesish, është inkurajues për zhvillimin e vazhdueshëm demokratik të Kosovës.

Kjo është theksuar nga Delegacioni vëzhgues i zgjedhjeve i Parlamentit Evropian pas monitorimit të qendrave të votimeve.

Delegacioni gjithashtu vlerësoi përpjekjet e suksesshme të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për organizimin e këtyre zgjedhjeve brenda një kohe të shkurtër.

Kjo deklaratë u lëshua para përfundimit të numërimit të votave dhe shqyrtimit të ankesave zgjedhore.

Ky delegacion është duke i pritur rezultatet e misioneve të ndryshme vendore dhe ndërkombëtare të vëzhguesve të zgjedhjeve në mënyrë që të bëjë vlerësim të plotë të procesit të zgjedhjeve.

Delegacioni u shpreh i kënaqur që procesi është zhvilluar në një atmosferë të qetë. Ai gjithashtu vuri në pah vështirësitë e vogla teknike dhe shprehu keqardhje për disa incidente të izoluara, por brengosëse.

Anëtarët e delegacionit nënvizuan pjesëmarrjen e rritur të komunitetit Serb të Kosovës si shenjë e angazhimit të mëtejmë me institucionet e vendit.

Megjithatë, delegacioni shpreh keqardhje për faktin se Serbët e Kosovës nga veriu i Kosovës refuzuan të shfrytëzojnë mundësinë të ushtrojnë të drejtat e tyre demokratike.

Këto zgjedhje janë qenësore për tranzicionin demokratik të Kosovës. Fushata dhjetë-ditore ishte intenzive, me debate të gjalla në mediat elektronike, të fokusuara në zhvillim ekonomik, zvogëlim të varfërisë, sundim të ligjit, dhe liberalizim të vizave në kontekstin e integrimit Evropian të Kosovës.

Delegacioni dëshiron të theksoj se kjo krijon një momentum të ri në procesin e ndërtimit të një Kosove multi-etnike për të mirën e të gjithë popullatës.

Ai gjithashtu inkurajon të gjithë akterët relevantë të shfrytëzojnë mundësinë për të kontribuar edhe më shumë për stabilitetin dhe prosperitetin paqësor të rajonit.

Prandaj, delegacioni shpreson për një formim të shpejtë të kuvendit dhe qeverisë së re.

Delegacioni gjithashtu thekson të drejtat e partive të parashtrojnë ankesa para Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa pas zgjedhjeve, dhe beson se në rast të ankesave, ata do të kërkojnë zgjidhje ligjore.

Në të njejtën kohë delegacioni pret që ankesat dhe parashtresat të shqyrtohen në transparencë të plotë, pa vonesa.

Delegacioni është udhëhequr nga Doris Pack (EPP, DE), përfshirë Eduard Kukan (EPP, SK), Jutta Steinruck (S&D, DE), Francesco de Angelis (S&D, IT), Jelko Kacin (ALDE, SL), Fiona Hall (ALDE, UK) dhe Ulrike Lunacek (Greens, AT), e cila gjithashtu është raportuesja e PE për Kosovën.

Delegacioni arriti në Kosovë më 10 dhjetor. Anëtarët e delegacionit u takuan me përfaqësues të autoriteteve, partive politike, shoqërisë civile dhe komunitetit ndërkombëtar në vend.

Në ditën e zgjedhjeve, delegacioni vizitoi një numër të qendrave të votimeve në Prishtinë, Graçanicë, Skenderaj, Gllogoc, Mitrovicë, Gjilan, Partesh dhe Prizren, dhe kishte mundësinë të takohet me anëtarët komisioneve zgjedhore, kandidatët dhe votuesit.

Delegacioni u përkrah nga Misioni i ekspertëve të zgjedhjeve të Bashkimit Evropian.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)