19 Prill 2024

Topalli: Integriteti i kufijve të Kosovës është i pacenueshëm

Tiranë, 1 prill - Në përfundim të vizitës zyrtare në Republikën e Shqipërisë, zëvendëskryeministrja për politikë të jashtme dhe siguri nacionale e Republikës së Kosovës znj. Edita Tahiri është takuar me Kryetaren e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë znj. Jozefina Topalli.

Në këtë takim u bisedua për thellimin e bashkëpunimit në mes të dy vendeve, me theks të veçantë në politiken e jashtme, në diplomaci dhe në sigurinë nacionale.

Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, znj. Jozefina Topalli duke e uruar znj. Edita Tahiri për detyrat e reja si zëvendëskryeministre dhe si udhëheqëse e dialogut teknik ka vlerësuar se përzgjedhja e znj. Tahiri në këtë pozitë është e qëlluar, duke marrë për bazë përvojën e gjatë politike dhe nivelin e lartë akademik që ajo ka.

Më pas znj.Topalli tha se Kuvendi i Shqipërisë mbështetë fillimin e dialogut midis Republikës së Kosovës dhe Serbisë, dhe se kjo do të ndihmojë në zgjidhjen e çështjeve teknike që lehtësojnë jetën e qytetarëve në të dy vendet, si dy shtete të pavarura dhe sovrane.

Ajo theksoi se pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme dhe se integriteti i kufijve të saj është i pacenueshëm.

Në anën tjetër zëvendëskryeministrja Tahiri, në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, falënderoj Republikën e Shqipërisë për mbështetjen që i ka dhënë pavarësisë dhe zhvillimit të shtetit të ri të Kosovës.

Ajo vlerësoi kontributin e lartë të Kryetares së Kuvendit znj. Topalli për bashkëpunimin e ngushtë në mes të dy vendeve dhe në veçanti për angazhimin e saj për shtimin e njohjeve për shtetin e pavarur të Kosovës.

Duke folur për dialogun teknik të filluar midis Republikës së Kosovës dhe Serbisë, znj. Edita Tahiri tha se Kosova ka hyrë në këtë dialog për të realizuar obligimet e saja ndërkombëtare që dolën me rezolutën e OKB-së dhe se përmes kësaj Republika e Kosovës po e ushtron sovranitetin e saj në marrëdhëniet ndërkombëtare.

Ajo tha se ky dialog do të mbetet në suazat e karakterit të tij teknik dhe është shumë e rëndësishme që e ka mbështetjen e plotë të SHBA-ve, BE-së dhe OKB-së.

Në fund të takimit të dy bashkëbisedueset u dakorduan që dialogu teknik është një shans për përmirësimin e jetës së qytetarëve të Kosovës dhe të rajonit.

Ky dialog do të kontribuoj drejtë një fqinjësie të mirë dhe i mundëson Kosovës integrimin e shpejtë në Bashkimin Evropian, në NATO, dhe me gjerë. Ato u zotuan për thellimin e bashkëpunimit me interes për të dyja vendet.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)