19 Tetor 2021

Spanja, samiti i Sarajevës dhe Kosova

Bruksel, 2 prill - Takimi politik i nivelit të lartë të Bashkimit Europian dhe të vendeve të Ballkanit Perëndimor do të mbahet në Sarajevë të Bosnjë e Hercegovinës në ditët e para të muajit qershor të këtij viti dhe Spanja nuk ka ndërmend të heqë dorë nga ky samit, për shkak të problemeve lidhur me pjesëmarrjen e përfaqësimin në këtë takim të Kosovës, sikurse ndodhi kjo në mini-samitin e fundit që  u zhvillua në Brdo pranë Kranjës të Sllovenisë, ku, për shkak të pjesëmarrjes së Kosovës si shtet i pavarur, nuk mori pjesë Presidenti i Serbisë, Boris Tadiç. Këtë ia deklaroi këto ditë gazetës së përditshme serbe “Danas” ambasadori i Spanjës në Beograd, Injigo de Palasio Espanja.

Organizatorët e takimit të lartpërmendur të nivelit të lartë, Spanja, si vend kryesues i BE-së, deri më 1 korrik 2010, dhe Italia, si shkak të mbajtjes së këtij samiti sjellin nevojën e miratimit të një “Deklarate të Sarajevës”, në të cilën do të duhej të konfirmohet se “të gjithë vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor, kur të përmbushin të gjithë kriteret e kërkuara, do të bëhen pjesë integrale e BE-së”.

Shefat e diplomacive të Spanjës dhe të Italisë, përkatësisht Migel Anhel Moratinos dhe Franko Fratini, synojnë që në këtë deklaratë për çdo vend të vendoset nga një paragraf, ku të konstatohet se në cilën fazë ndodhet secili prej tyre në procesin e integrimeve europiane, ndërkohë që në të (deklaratë) të vihen në dukje edhe synimet e BE-së lidhur me zgjerimin.

Suksesi i këtij samiti europiano-ballkanik, vetëkuptohet që, në një masë të madhe, do të varet nga fakti nëse organizatorët e tij do të arrijnë t’i mbledhin të gjithë liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe do të gjejnë një zgjidhje sa i përket asaj sesi do të mund të përfaqësohet në të Kosova, pra të mos ndodhë si në Brdo pranë Kranjës.

Për këtë çështje delikate, por edhe për përcaktimin e mesazheve që duhet të përmbajë “Deklarata e Sarajevës”, sikurse spekulon media rajonale, drejtorët politikë të ministrive të Jashtme të vendeve pjesëmarrëse në samit do të mblidhen në Vjenë të Austrisë disa ditë para takimit të nivelit të lartë të Sarajevës.

Sidoqoftë, zgjidhja e problemit të uljes në të njëjtën tryezë në konferencat ndërkombëtare dhe rajonale të përfaqësuesve të Serbisë dhe të Kosovës me emrat e tyre respektivë duket mjaft e komplikuar, për shkak të kundërshtimit kategorik e të vazhdueshëm të Beogradit që të ulet në një tryezë, ku Kosova të emërohet si “Republika e Kosovës”, duke kërkuar që ajo të përfaqësohet atje, në radhë të parë, nga UNMIK-u, gjë që, natyrisht, me të drejtë hidhet poshtë me forcë dhe në mënyrë kategorike nga Kosova.

Zgjidhja e këtij problemi duket aq e komplikuar, saqë disa organe rajonale të medias, duke iu referuar, sipas tyre, disa diplomatëve të lartë europianë në Bruksel, kanë spekuluar se Spanja do të preferonte të hiqte dorë nga organizimi i samitit të lartpërmendur.

Kështu, duke komentuar këto spekulime të medias, ambasadori spanjoll në Beograd, De Palasio Espanja, deklaroi se samiti do të zhvillohet në fillim të muajit qershor të këtij viti. “Kemi planifikuar që takimi i nivelit të lartë BE-Ballkani Perëndimor në Sarajevë të mbahet para mbarimit të kryesimit të BE-së nga ana e Spanjës, pra para 1 korrikut 2010, dhe koha më e përshtatshme mendojmë se janë ditët e para të qershorit.

Nuk ekziston asnjë mundësi që të heqim dorë nga ai (samiti), për shkak të mosmarrëveshjeve lidhur me mënyrën e pjesëmarrjes së Kosovës. Ky takim do të mbahet me siguri”, tha ai. Kurse pyetjes nëse Spanja vazhdon t’i përmbahet qëndrimit se pjesëmarrja e Kosovës në takim mund të realizohet vetëm përmes UNMIK-ut dhe në përputhje me Rezolutën 1244 të OKB-së, sikurse ka deklaruar më parë ministri i Jashtëm i Spanjës, Moratinos, ambasadori spanjoll në Beograd iu përgjigj në mënyrë lakonike, duke theksuar vetëm se “të gjithë duhet të jenë të pranishëm në atë takim”.

“Do të bëjmë të gjitha përpjekjet që kemi në dispozicion, që në Sarajevë të jenë të pranishëm të gjithë liderët e rajonit dhe do të përpiqemi që të arrijmë marrëveshje për këtë çështje”, theksoi ai.

Kalendari

Ngjarjet e datës 19 Tetor 2021

- Mbahet seanca plenare e Kuvendit të Republikës së Kosovës. (Ndërtesa e Kuvendit, ora 10:00)

- Shefi i Misionit për Vëzhgimin e Zgjedhjeve nga BE Lukas Mandl dhe Udhëheqësja e Delegacionit të Anëtarëve të Parlamentit Evropian Viola von Cramon-Taubadel mbajnë konferencë për shtyp lidhur me për zgjedhjet lokale në Kosovë. (Hotel Swiss Diamond, ora 11:00)

- Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim publikon raportin "Transparenca dhe llogaridhënia në universitetet publike në Kosovë - Mos - Informimi i Publikut 3". (Swiss Diamond Hotel, ora 11:00)

- Komisioni Evropian do ta publikojë paketën vjetore të zgjerimit, përfshirë Raportet e Vendeve ku do te mbahet konferencë për shtyp nga Komisioneri për Fqinjësi dhe Zgjerimi, Oliver Varhelyi. (Transmetimi në faqen e Zyrës së BE-së në Facebook, ora 17:15)

- Teatri i Prishtinës Dodona shfaq “Bob Vatsoni bie nga kati i nëntë por nuk vdes plotësisht”. (Teatri Dodona, ora 17:30)

- Shefi i Zyrës së BE-së, Tomas Szunyog i dorëzon raportin e Komisionit Evropian Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti me ç'rast do të mbajnë edhe një konferencë te përbashkët për shtyp, ora 18:30)