05 Dhjetor 2021

SHBA vendos të tjera sanksione ndaj Bjellorusisë

Washington, 10 gusht - Shtetet e Bashkuara të Amerikës në koordinim me Britaninë dhe Kanadanë, vendosën të hënën sanksione të reja ndaj Bjellorusisë, masë që përkon me një vjetorin e fillimit të protestave në vendin e Evropës Lindore, kundër zgjedhjeve të konsideruara gjerësisht si të manipuluara.

Që nga ajo kohë, Presidenti bjellorus Aleksandër Lukashenko ka ndërmarrë veprime të ashpra kundër demonstruesve paqësorë dhe kundërshtarëve të tij politikë.

"Në vend që të respektojë vullnetin e qartë të popullit bjellorus, regjimi i Lukashenkos manipuloi zgjedhjet, çka u pasua nga një fushatë brutale e shtypjes së kundërshtarëve", thuhej në një deklaratë të Presidentit amerikan Joe Biden.

“Nga ndalimi i mijëra protestuesve paqësorë, burgosja e më shumë se 500 aktivistëve, drejtuesve të shoqërisë civile dhe gazetarëve, deri tek ulja e detyruar të një avioni ndërkombëtar në kundërshtim me normat globale, veprimet e regjimit të Lukashenkos janë një përpjekje e paligjshme për ta mbajtur pushtetin me çdo çmim".

Veprimet e Uashingtonit, si dhe Otavës dhe Londrës, kanë nën shënjestër industrinë e ndërtimit, energjisë, potasit dhe duhanit të Minskut, të cilat Departamenti amerikan i Thesarit i cilëson si "kuletat" e qeverisë Lukashenko.

"Së bashku me partnerët tanë kanadezë dhe britanikë, sot ne po demonstrojmë dënimin e vazhdueshëm ndërkombëtar të veprimeve jodemokratike të regjimit Lukashenko", tha Sekretarja e Thesarit Janet Yellen në një deklaratë.

Ndër subjektet që janë futur në listën e zezë është prodhuesi shtetëror i potasit “Belaruskali OAO”, një burim kryesor i fitimeve në valutë të këtij vendi.

Në përgjigje të sanksioneve britanike, të cilat u shpallën më herët gjatë ditës, zoti Lukashenko u tha gazetarëve të hënën se Britania mund të "mbytet" me to.

"Ju jeni konet e Amerikës", tha zoti Lukashenko në një konferencë shtypi njëorëshe gjatë së cilës mohoi të ishte një diktator dhe tha se veprimet e tij kundër demonstruesve dhe kundërshtarëve politikë mbronin Bjellorusinë, kundër një grushti shteti.

Edhe më parë Britania dhe Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sanksione ndaj individëve nga Bjellorusia duke ngrirë pasuritë e tyre e duke ndaluar udhëtimin atyre drejt këtyre vendeve, por këto veprime nuk kanë arritur ta moderojnë sjelljen e Lukashenkos, i cili drejton ish-republikën sovjetike që nga viti 1994.

"Shtetet e Bashkuara u bëjnë thirrje edhe një herë autoriteteve bjelloruse të ndalojnë goditjen e anëtarëve të shoqërisë civile, medias, atletëve, studentëve, profesionistëve dhe qytetarëve të tjerë, si dhe të lirojnë menjëherë të gjithë të burgosurit politikë”, tha Sekretari i Shtetit Antony Blinken në një deklaratë.

Në deklaratë u kërkohej gjithashtu autoriteteve “të përfshihen në një dialog të vërtetë me opozitën demokratike dhe shoqërinë civile, siç kërkohet në raportin e Misionit të Ekspertëve të OSBE -së si dhe që të mbahen zgjedhje të lira dhe të ndershme nën vëzhgimin ndërkombëtar”.

“Ne do të vazhdojmë të punojmë me komunitetin ndërkombëtar që personat përgjegjës për shkeljet dhe abuzimin me të drejtat e njeriut në Bjellorusi të ndëshkohen”, thuhej në deklaratën e zotit Blinken.

Kalendari

Ngjarjet e datës 5 dhjetor 2021

- Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Zyra e UNICEF-it shënojnë Ditën Ndërkombëtare të Vullnetarizmit me moton “Volunteer Now For Our Common Future”. (Galeria Kombëtare të Kosovës, ora 11:30)

- Qendra për Art dhe Komunitet Artpolis organizon protestën me moton “Boll Ma - Asnjë grua e vajzë më pak, asnjë vdekje më shumë”, kundër dhunës dhe vrasjeve të vajzave dhe grave, dhe mungesës së përgjigjes së duhur institucionale. (Plateja e sheshit “Zahir Pajaziti”, ora 12:00)