29 Mars 2024

SHBA do të kundërpërgjigjet nëse Rusia përdor armët bërthamore

Bruksel, 24 mars - Presidenti i SHBA-së Joe Biden bëri thirrje që Rusia të përjashtohet nga grupi i kombeve G20 për shkak të luftës së saj kundër Ukrainës.

Duke folur në një konferencë për media në selinë e NATO-s në Bruksel, Biden, megjithatë, pranoi se çdo veprim “varet nga G20”, por tha se kjo u diskutua gjatë takimeve të tij me NATO-n dhe vendet aleate në Bruksel.

Biden tha se ai propozoi një alternativë nëse nuk ka marrëveshje brenda grupit për largimin e Rusisë.

Në atë rast, Biden tha se Ukraina duhet të lejohet të marrë pjesë në takimet e G20-tës si vëzhguese.

G20 përfshin disa nga ekonomitë më të mëdha në botë. Rusia u hoq nga ajo që atëherë njihej si G8 në vitin 2014 pasi aneksoi në mënyrë të njëanshme Gadishullin e Krimesë të Ukrainës dhe filloi mbështetjen e saj për separatistët rebelë në Ukrainën lindore.

G8 tani është G7, dhe përfshin SHBA-në, Kanadanë, Francën, Gjermaninë, Italinë, Japoninë dhe Mbretërinë e Bashkuar.

Biden vazhdoi të paralajmërojë Rusinë kundër çdo përdorimi të mundshëm të armëve kimike në Ukrainë, duke thënë se “ne do të përgjigjemi nëse” presidenti rus Vladimir Putin përdor armët e shkatërrimit në masë. Ai vazhdoi të mos specifikojë natyrën e përgjigjes, pasi edhe më parë kishte paralajmëruar “pasoja të rënda”.

“Natyra e përgjigjes do të varet nga natyra e përdorimit”, tha Biden gjatë konferencës.

Presidenti amerikan përshëndeti unitetin e aleancës transatlantike përballë luftës së Rusisë, duke thënë se ajo “kurrë nuk ka qenë më e bashkuar se sa është sot”.

“Putin po merr saktësisht të kundërtën e asaj që ai synonte të kishte si pasojë e hyrjes në Ukrainë. Ne ndërtuam të njëjtin unitet me Bashkimin Evropian dhe me demokracitë kryesore në G7”, tha Biden.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)