12 Gusht 2022

SHBA dhe aleatët u bllokojnë oligarkëve rusë mbi 30 miliardë dollarë

Washington, 30 qershor - Një grup pune ndërkombëtar i krijuar në mars për të ushtruar presion ndaj Rusisë për t’i dhënë fund luftës së saj në Ukrainë ka bllokuar fonde dhe prona me vlerë mbi 30 miliardë dollarë të oligarkëve rusë.

Përveç sekuestrimit të jahteve dhe shtëpive luksoze, grupi i punës, i njohur si REPO (Elitat Ruse, Mbështesit dhe Oligarkët), tha të mërkuren se ka ngrirë rreth 300 miliardë dollarë pasuri të Bankës Qendrore Ruse. Ukraina po i kërkon fondet e ngrira për rindërtimin e rajoneve të shkatërruara nga lufta.

“Puna e REPO-s nuk ka përfunduar ende”, thuhet në deklaratë e grupit. “Në muajt e ardhshëm, anëtarët e REPO do të vazhdojnë të gjurmojnë pasuritë e sanksionuara nga Rusia dhe nuk do të lejojnë rusët e sanksionuar që të minojnë masat grupit REPO.”

Grupi i punës i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara u krijua më 17 mars me qëllim të konfiskimit të pasurive të individëve dhe subjekteve ruse që janë sanksionuar në lidhje me sulmin e Rusisë ndaj Ukrainës që filloi më 24 shkurt. Përveç Shteteve të Bashkuara, anëtarë të këtij grupi janë edhe Australia, Britania, Franca, Gjermania, Italia, Japonia dhe Komisioni Evropian.

Që nga fillimi i sulmit ndaj Ukrainës, Departamenti amerikan i Thesarit ka vendosur sanksione ndaj qindra subjekteve dhe individëve të afërt me presidentin rus Vladimir Putin.

Në lëvizjen e fundit të martën, Departamenti i Thesarit njoftoi sanksione kundër 70 subjekteve ruse, shumë prej të cilave konsiderohen kritike për aftësitë mbrojtëse të Rusisë, dhe 29 individëve rusë.

Si pjesë e fushatës së presionit amerikan ndaj Rusisë, Departamenti amerikan i Drejtësisë krijoi grupin e punës “KleptoCapture” në mars. Duke punuar me partnerë të huaj, grupi i punës ka sekuestruar pasuri në pronësi të oligarkëve rusë me vlerë qindra miliona dollarë.

Në prill, autoritetet spanjolle, me kërkesë të Departamentit të Drejtësisë, sekuestruan një super jaht në pronësi të miliarderit rus Viktor Vekselberg.

Në maj, autoritetet e Fixhit bllokuan një jaht me vlerë prej 300 milionë dollarësh në pronësi të një oligarku tjetër të sanksionuar, Suleiman Kerimov. Jahti luksoz “Amadea”, 106 metra i gjatë, mbërriti në Gjirin e San Diegos të hënën, tha Departamenti i Drejtësisë.

Zyrtarët ukrainas thonë se duan të marrin pasuritë e ngrira ruse, duke përfshirë qindra miliarda dollarë në rezervat e Bankës Qendrore Ruse, për të financuar rindërtimin e Ukrainës.

Muajin e kaluar, presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy tha se kostoja e rindërtimit të ekonomisë dhe infrastrukturës së vendit të tij mund të shkojë deri në 600 miliardë dollarë.

Disa vende evropiane kanë mbështetur kërkesën e Ukrainës, ndërsa Departamenti i Drejtësisë i ka kërkuar Kongresit autoritet për të transferuar në Ukrainë disa nga të ardhurat nga konfiskimi i pasurive të oligarkëve. /VOA/
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 12 gusht 2022

 - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, vizitojnë Doganën e Kosovës. (Drejtoria e Doganës, ora 8:30)

- Kuvendi nëpërmjet Grupit të Deputetëve të Rinj shënon Ditën Ndërkombëtare të Rinisë. (Salla plenare, ora 10:00)

- Komuna e Rahovecit organizon takimet B2B në kuadër të aktiviteteve të Muajit të Mërgimtarëve. (Restaurant Ura e Shenjtë, ora 10:00)

- Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut – Kosovë ((YIHR KS) shënon Ditën Ndërkombëtare të Rinisë me një aksion rrugor me slloganin “Kur bohet mirë?!” (Sheshi “Nënë Tereza”, ora 12:00)

- Avokati i familjes Dehari, Tomë Gashi, mban konferencë për medie në lidhje me rastin e vdekjes së aktivistit të VV-së, Astrit Dehari. (Zyrat e Tomë Gashit, mbi Kino ABC, ora 12:00)

- Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, vizitojnë kompaninë “Rroni Fer” Sh.P.K. (Magjistralja Gjakovë-Prizren_kilometri i dytë, Objekti i ish-ndërmarrjes “Metaliku”, Gjakovë, ora 14:30)

- Qendra për Këshillim, Shërbime Sociale dhe Hulumtime organizon Festivalin e Rinisë për nder të Ditës së Rinisë. (Lagjja Taukbashqe, ora 18:00)

- Mbahet edicioni i parë i festivalit “MAL FEST”, i cili synon të jetë tradicional dhe objektiv e ka rininë dhe mërgatën e Komunës së Malishevës. Festivali organizohet nga Komuna e Malishevës në bashkëpunim me  organizatën “Values for Better Future”.(parku i qytetit në Malishevë, ora 19:00)

- Në kuadër të Akademisë Verore ‘’Arbën Xhaferi"  mbahet panel diskutimi me deputetët e rinjë të Kuvendit të Kosovës lidhur me rolin dhe rëndesin e të rinjëve në politikë. (Akademia për Siguri Publike të Kosovës, ora 19:30)