28 Mars 2024

Sfidat e Shqipërisë dhe Kosovës për integrimin në BE

Washington, 12 maj - Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare në Uashington zhvilloi dje një konferencë mbi Ballkanin dhe sfidat e tij në rrugën e integrimit evropian.

Pjesëmarrësit në konferencë theksuan përparimin e bërë deri tani nga vendet e rajonit, por vunë në pah gjithashtu edhe sfidat me të cilat përballen ato, mes tyre edhe Shqipëria dhe Kosova.

Duke folur për mosmarrëveshjet e fundit politike në Shqipëri, zëvendës ndihmës sekretari i shtetit për çështjet e Evropës dhe Euroazisë, Stuart Xhons, tha se ato janë të dëmshme për integrimin evropian të vendit.

“Tani po shohim mosmarrëveshje serioze politike në Shqipëri. Greva e urisë, bojkoti, mendoj se janë shumë të dëmshme për perspektivën e Shqipërisë në integrimin evropian. Por faji nuk mund t’i vihet askujt përveç se vetë shqiptarëve.”

Janush Bugajski, Drejtor i Projektit për Demokracitë e Reja Evropiane në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare, po ashtu thotë se gjendja në Shqipëri është serioze kur bëhet fjalë për polarizim dhe kur parlamenti nuk arrin të funksionojë.

“Ky është një ngërç që nuk lejon miratimin e ligjeve të rëndësishme, reformave të rëndësishme dhe t’i tregojë Bashkimit Evropian se vendi është i bashkuar të paktën për sa u përket parimeve bazë.”

Protestat, thotë zoti Bugajski, janë të paparashikueshme dhe nuk dihet rezultati i tyre. Ajo që mund të jetë më e rrezikshme, thotë ai, është paralizimi i mundësisë për qeverisje.

Por nëse palët në Shqipëri nuk arrijnë t’i zgjidhin vetë mosmarrëveshjet e tyre, çfarë roli mund të luajë komuniteti ndërkombëtar?

“Zgjidhja duhet të vijë nga shqiptarët por mund të ndërmjetësohet nga jashtë. Dhe këtu mendoj se Shtetet e Bashkuara mund të luajnë një rol të rëndësishëm dhe pozitiv.”

Duke folur për Kosovën dhe sfidat e saj, zoti Xhons, tha se çështja e zgjerimit të njohjeve, mund të gjejë zgjidhje pas vendimit këshillimor nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë. Megjithatë, ai tha se për Shtetet e Bashkuara kjo çështje është e qartë.

“Për sa i përket Shteteve të Bashkuara, çështja e statusit të Kosovës është zgjidhur. Sovraniteti dhe pavarësia e saj janë të pakthyeshme dhe këtë mendim e kanë edhe 22 vende partnere tona evropiane.”

Por njoftimet e fundit nga Kosova flasin edhe për sfida të reja brenda vendit. Ja si shprehet zoti Bugajski në lidhje me hetimet e fundit për korrupsion brenda qeverisë.

“Mendoj se është mirë që ndodhin, sepse është proces më i hapur hetimi për t’i treguar popullit të Kosovës se askush nuk është i paprekshëm para drejtësisë. Dhe nëse ka korrupsion në nivelet më të larta, atëherë do të ketë hetime, akuza dhe dënime.”

Zoti Bugajski thotë se për aq kohë sa hetimet të jenë të drejta dhe të mos bëhen në baza partiake, kjo do të jetë një gjë pozitive. Ndërsa, për reformën në qeverinë e Kosovës, zoti Bugajski thotë se ky ishte vetëm fillimi.

"Do të doja që reforma të ishte më e gjerë. Të përfshinte më shumë institucione dhe individë. Të kishte një kontroll më të hollësishëm të pasurive, lidhjeve, rrjeteve të secilit individ në qeveri, në mënyrë që publiku ta  dijë se kë po zgjedh.”

Megjithatë, shton zoti Bugajski, reformat nuk janë thuajse kurrë të mjaftueshme.

/Voa/

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)