16 Prill 2024

Serwer: Raporti i KE nuk sjell argumente për trafikim organesh

SHBA, 17 dhjetor - Një analist i çështjeve të Ballkanit thotë se raporti i Këshillit të Evropës me akuza kundër UÇK-së dhe kryeministrit Hashim Thaçi, nuk sjell argumenta për të mbështetur këto akuza.

Daniel Serwer, studiues në Fakultetin e Studimeve të Avancuara Ndërkombëtare të Universitetit Johns Hopkins, e kritikon tonin e raportit, por ai shton se një komision hetimesh penale duhet të qartësojë se çfarë ndodhi në të vërtetë.

Ai thotë se qytetarët e Kosovës nuk e meritojnë një komplikim të tillë tani që duhet qartësuar situata pas zgjedhjeve.

Serwer thotë se raporti e bën të qartë që nuk është kryer ndonjë hetim që të mund të përcaktojë fajësinë ose pafajësinë. Ai nuk sheh argumenta që të mbështesin akuzat, për të cilat thotë se kanë qarkulluar që prej 10 vjetësh.

“Ajo që unë nuk di, është a janë gjetur të dhëna të reja nga ato të para 10 vjetësh që të mbështesin këto akuza, pasi raporti nuk i përmend burimet e veta, i radhit përpjekjet e veta, por nuk është një hetim serioz penal. Me duket se kjo është ajo që nevojitet. Ne duhet të qartësojmë se çfarë ndodhi në të vërtetë dhe kjo do të kërkojë bashkëpunimin e qeverisë së Kosovës, të Shqipërisë, do të kërkojë angazhimin e EULEX-it dhe besoj se është diçka që duhet bërë, duhet të gjejmë a ka ndonjë gjë të vërtetë në këto akuza”.

Analisti Serwer, thotë se në një shoqëri të hapur publikimi i raporteve të tilla, është normal por ai ka rezerva për mënyrën e prezantimit të tyre.

“Mendoj se është për të ardhur keq që ato janë botuar sikur të jenë prova dhe jo akuza. Mendoj se toni i raportit është i gabuar. Por kjo nuk e ndryshon faktin që dikush duhet t’i shkojë deri në fund kësaj çështjeje dhe të zbulojë se çfarë ndodhi, nëse kanë ndodhur gjëra të tilla dhe se cilët ishn përgjegjësit”.

Zoti Serwer i cili është marrë me çështjet e Ballkanit, edhe si zyrtar i Departamentit të Shtetit, edhe në role të tjera në organizata amerikane, thotë se ai vetë kishte dëgjuar për akuza për trafikimin e organeve njerëzore para shumë vjetësh nga një gazetar i cili i pati thënë që nuk kishte qenë në gjendje të gjente prova.

“Unë akoma nuk shoh prova mbështetëse, të qarta. Shumë nga ato që thuhen në raport, janë fjalë që kanë qarkulluar. Veçanërisht për akuzat se zyrtarë të lartë qeveritarë kanë qenë të përfshirë, nuk paraqiten prova në raport. Për këtë arsye duhet një hetim serioz penal”.

Zoti Serwer thotë se akuzat kundër kryeministrit Thaçi e vështirëojnë edhe më shumë situatën paszgjedhore në Kosovë, mes ndërlikimeve dhe akuzave për mashtrime me votat që duhen sqaruar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe Bordi i Apeleve. Zoti Serwer thotë se këto vonesa dhe akuzat që shtrohen në raportin e hartuar nga anëtarët e KE-së nën kryesinë e Dik Martit, e bëjnë të vështirë për zotin Thaçi që të gjejë partnerë koalicioni për qeverisje.

“Edhe për Kosovën do të jetë e vështirë në përgjithësi. Mund ta merrni me mend se si mund të ndjehen vendet që nuk e njohin Kosovën lidhur me këto akuza. Ata nuk dinë çfarë të mendojnë dhe do të shkaktojë probleme të vërteta për Kosovën”.

Dhe për më tepër, thotë zoti Serwer, qytetarët e Kosovës nuk e meritojnë një gjë të tillë.

“Ata votuan, votat e tyre duhet të numërohen saktë dhe qeveria duhet të formohet dhe këto akuza për fat të keq e komplikojnë më shumë atë proces”.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)