29 Mars 2024

Serbia u jep dekorata ushtarëve të luftërave të ish-Jugosllavisë

Prishtinë, 10 prill - Ministria e Mbrojtjes në Beograd ka vendosur që t'u ndajë medalje përkujtimore ushtarëve nga Serbia, të cilët kanë marrë pjesë në luftërat e zhvilluara në hapësirat e ish-Jugosllavisë gjatë viteve ’90.

Ministria serbe e Mbrojtjes thotë se medaljet përkujtimore do t'u ndahen vetëm atyre që kanë shërbyer me nder dhe profesionalitet. Igor Joviçiç, sekretar shteti në Ministrinë e Mbrojtjes, pas reagimeve shumë të ashpra nga rajoni, shpjegon se këto dekorata do të ndahen vetëm për një periudhë të caktuar.

"Medaljet sipas këtyre kritereve ndahen në të gjitha ushtritë e tjera dhe nuk ka asnjë shkak që të mos u jepen edhe ushtarëve tanë. Sipas rregullores së fundit, dekoratat mund t'u ndahen ushtarëve që kanë marrë pjesë në luftë në territorin e RSFJ-së, RFJ-së dhe Serbisë. Me medalje mund të dekorohet çdo ushtar i ushtrisë serbe i cili ka marrë pjesë në luftë në periudhën prej 26 qershorit 1991 deri më 19 maj 1992, prej 23 marsit 1998 deri me 26 qershor 1999 si dhe në periudhën 23 mars 2001 deri më 30 qershor 2001. Dekoratat mund t'u jepen ushtarëve të cilët nuk kanë qenë nën hetime dhe nuk janë akuzuar prej ndonjë gjykate në vend apo jashtë vendit“, pohon Joviçiç.

Gjatë këtyre periudhave për të cilat flet Joviçiç janë zhvilluar gati të gjitha aksionet e rëndësishme gjatë luftës në Kroaci. Ushtarët e Serbisë mund të marrin mirënjohje edhe për pjesëmarrje në luftën e Bosnjë-Hercegovinës, deri në tërheqjen e Armatës Popullore të Jugosllavisë, si dhe për pjesëmarrje në luftën e Kosovës dhe në Luginën e Preshevës.

Millan Antonijeviç, kryetar i Komitetit të Juristëve për të Drejtat e Njeriut në Serbi, pohon se vendimi është problematik dhe i panevojshëm.

"Nuk e shoh asnjë zgjidhje të mirë se si mund të bësh dallimin mes atyre që e kanë kryer detyrën me nder dhe profesionalitet... për shembull, gjenerali Vladimir Trifunoviç nuk mund të dekorohet, sepse kundër tij është zhvilluar një procedurë hetimore me sfond politik. Drejtësi nuk do të ketë as për ata të cilët i ka detyruar Millosheviçi gjatë viteve ’90 të luftojnë dhe që meritojnë që shteti t'u kërkojë falje. Le të kujtojmë vetëm mobilizimet e dhunshme gjatë luftës në Kroaci. Në vitin 2011 duhet të flasim për gjërat që u kanë ndodhur viktimave të luftës, dhe jo për shpërblimin e atyre që kanë marrë pjesë në luftë. Ky është gabim i ministrisë“, pohon Antonijeviç.

Këtë vendim e ka kundërshtuar edhe Ministria e Jashtme kroate. Nga Bosnjë-Hercegovina dhe Kosova deri tani nuk ka ndonjë reagim të autoriteteve zyrtare. Kryetar i Unionit Socialdemokrat në Serbi, Zharko Koraç, mendon se ky vendim nuk është dashur të merret pa një debat publik.

"Për mua është një befasi shumë e madhe që Serbia ka vendosur të ndajë medalje përkujtimore, të cilat nuk janë ndarë në 70 vitet e fundit. Befasia më e madhe është që këto dekorata jepen për pjesëmarrje në luftërat në hapësirat e ish-Jugosllavisë, që është një vendim shumë i rëndë dhe i pamoralshëm. Si mund të dekorohen pjesëtarët e ndonjë ushtrie në qoftë se komandantët apo shefat e shtatmadhorisë së saj janë dënuar për shkelje të rënda të të drejtës humanitare, për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte? Komandantët e kësaj ushtrie janë dënuar si kriminelë lufte, ndërsa ushtarët tani duhet të nderohen me medalje. Një gjë e tillë në historinë botërore nuk ka ndodhur kurrë. E dyta, prej kur është ushtria e Serbisë pasardhëse e APJ-së dhe a do të thotë kjo që ne jemi trashëgues të të gjitha veprave që ka bërë APJ-ja? Ky është një vendim i pakuptueshëm, i palogjikshëm dhe i pamoralshëm. Mua më tmerron fakti që dikush do të dekorojë njerëzit që kanë marrë pjesë në rrethimin e Vukovarit apo në luftërat e tjera në hapësirat e ish–Jugosllavisë", - pohon Koraç.

Ai shtron edhe pyetjen se, a do të thotë kjo që tani do të ndahen medalje të njëjta si në kohën e bombardimeve kur shefi i Shtatmadhorisë së Ushtrisë Jugosllave, Nebojsha Pavkoviç propozonte që Sllobodan Millosheviçi të dekorohet me çmimin ‘Hero i popullit’, për shkak të fitores kundër NATO-s. “A thua Millosheviçi do të dekorohet tani post-mortum?“ - pyet Koraç.

Koraç është i mendimit se me këto vendime autoritetet në Serbi po përpiqen të ndryshojnë rrjedhën e historisë:

“Pas kësaj fshihet përpjekja që konfliktet të paraqiten ashtu sikur i paraqiste edhe propaganda e Millosheviçit, si luftëra qytetare. Mua më kthehen kujtimet e hidhura edhe kur dikush në mënyrë indirekte do të thotë se njerëzit që kanë marrë pjesë në këto luftëra kanë kryer një detyrë të ndershme. Fakti që shumë prej tyre janë keqpërdorur, është një çështje tjetër. Ata janë keqpërdorur prej politikës në Serbi dhe komandantëve nga Serbia, por tani nuk mund të themi se këto luftëra ishin të drejta dhe të domosdoshme. Për pjesëmarrjen në këto aksione duhet të turpërohemi”, pohon Koraç.

Vendimi i Ministrisë së Mbrojtjes në Beograd vjen në një moment shumë delikat, sepse së shpejti pritet vendimi i Tribunalit të Hagës kundër gjeneralit Momçillo Perishiç, që mund të hedhë një dritë të re mbi rolin e Serbisë gjatë luftërave në Bosnjë-Hercegovinë dhe Kroaci.

Bosnjë-Hercegovina ka paditur në Hagë, Serbinë për krime lufte, gjenocid dhe agresion. Përfaqësuesi i Bosnjë-Hercegovinës në këtë proces, Sakib Softiç, thotë se vendimi i fundit i Beogradit është shumë kontestues.

“Vendimi i Serbisë e mbulon kohën e luftës në Kroaci dhe pjesërisht në Bosnjë-Hercegovinë. Sulmet më të rrepta në Kroaci janë kryer në vjeshtë të vitit 1991 dhe në muajt e parë të vitit 1992. Ndërsa në Bosnjë lufta ka shpërthyer pas njohjes së pavarësisë së saj, më 6 dhe 7 prill. Ky vendim i Serbisë është shumë kontestues, sepse do të thotë që ajo e merr përgjegjësinë për të gjitha veprat që kanë bërë pjesëtarët e armatës së atëhershme jugosllave. Në periudhën deri në tërheqjen e ushtrisë nga Bosnjë-Hercegovina, më 19 maj 1992, janë bërë krime të mëdha. Një vendim i tillë do të thotë marrje e përgjegjësisë për të gjitha krimet që janë bërë në këtë periudhë”, thotë Softiç.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)