27 Nëntor 2022

Qindra mijëra rusë ikin nga Rusia për t’iu shmangur rekrutimit në luftë

Moskë, 27 shtator - Dhjetëra mijëra rusë janë larguar nga vendi që kur u shpall mobilizimi i pjesshëm i ushtrisë ruse pothuajse një javë më parë.

Sipas agjencisë Interfax, rreth 98,000 qytetarë rusë kanë hyrë vetëm në Kazakistan që nga 21 shtatori, njoftoi të martën departamenti i migracionit i Ministrisë së Brendshme të Kazakistanit.

Më shumë se 8,000 rusë morën një numër personal identifikimi, i cili është një parakusht për regjistrimin dhe hapjen e llogarive bankare në vendin e Azisë Qendrore.

Presidenti rus Vladimir Putin dëshiron të dërgojë rreth 300,000 rezervistë për të mbajtur territoret e pushtuara pas një sërë humbjesh të pësuar nga ushtria ruse në Ukrainë.

Prandaj ai urdhëroi një mobilizim të pjesshëm të mërkurën e kaluar, gjë që shkaktoi panik tek shumë rusë.

Numri i qytetarëve rusë që kanë hyrë edhe në Gjeorgji është rritur me afërsisht 45 për qind që nga shpallja e mobilizimit të pjesshëm në Rusi.

Ministri i Brendshëm i Gjeorgjisë, Vakhtang Gomelauri, bëri një deklaratë për gazetarët rreth rritjes së numrit të personave ditët e fundit që hyjnë në Gjeorgji nga Rusia përmes kufirit tokësor.

Gomelauri tha se disa burime pohuan se numri i rusëve që kanë hyrë në Gjeorgji përmes portës kufitare "Kazbegi" nga Rusia në javën e fundit ishte 250 mijë, por kjo tha ai nuk është e vërtetë.

"Sa i përket hyrjes të 250 mijë personave, flasim për shtetas rusë, kjo është e pavërtetë dhe gënjeshtër. Aq shumë njerëz nuk kanë hyrë dhe nuk e di nga i keni marrë këto shifra. Rreth 4-5 ditë më parë hynin 5 mijë deri në 6 mijë vizitorë çdo ditë. Tani ky numër përafërsisht ka shkuar në 10 mijë, është rritur 40 deri në 45 për qind dhe nuk është 250 mijë", tha Gomelauri.

Duke theksuar se 60 për qind e personave që hyjnë në Gjeorgji nga Rusia në përgjithësi kthehen, Gomelauri tha se, "Për shembull një ditë më parë 11 mijë e 200 njerëz erdhën në Gjeorgji, mbrëmë erdhën më pak se 10 mijë, nuk vijnë 100-200 mijë njerëz. Nëse bëjmë një krahasim, në përgjithësi 60 për qind e atyre që vijnë në vend kthehen përsëri (në Rusi)", tha ai.

Ndërkaq, agjencia ruse e lajmeve TASS gjithashtu theksoi se në Osetinë e Veriut në Rusi ka rreth 5.500 automjete, duke përfshirë 3.600 automjete pasagjerësh, që presin të kalojnë në Gjeorgji.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 27 nëntor 2022

- Në shënim të 110-vjetorit të Pavarësisë Shqipërisë do të mbahet mbledhje e përbashkët e Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe Kuvendit të Republikës së Shqipërisë. (Kuvendi i Shqipërisë në Tiranë, ora 10:00)

- Me rastin e Ditës së Forcës, Ministria e Mbrojtjes dhe Forca e Sigurisë së Kosovës organizojnë “Ditën e Hapur’’ në të cilën do të marrin pjesë edhe udhëheqësit më të lartë shtetërorë, si dhe përfaqësuesit ushtarakë e diplomatikë të vendeve partnere. (Kazerma “Adem Jashari”, ora 12:00)