20 Shtator 2021

Procesi i Berlinit përjashton çdo ide tjetër që synon zgjerimin e BE-së

Berlin, 15 shtator - Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani në kuadër të vizitës zyrtare, ka takuar ministrin e Jashtëm të Gjermanisë, Heiko Maas.

Marrëdhëniet ndërmjet të dy vendeve, Presidentja Osmani i ka vlerësuar të shkëlqyeshme dhe ka thënë se Kosova mbetet e përkushtuar për thellimin e mëtejmë të tyre.

Ajo ka përmendur synimin e Kosovës për anëtarësim në disa organizata ndërkombëtare, ndaj ka kërkuar mbështetjen gjermane.

“Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar për t'u bërë pjesë e BE-së, OKB-së, por edhe e shumë organizatave ndërkombëtare. Shpresoj që Gjermania  të marrë në konsideratë rolin udhëheqës në mbështetjen tonë për të arritur këtë qëllim”, ka thënë Presidentja Osmani në takim me ministrin Maas.

Në takim është biseduar edhe për procesin e dialogut me Serbinë.

Presidentja Osmani edhe në këtë takim e ka potencuar se rezultati përfundimtar i negociatave duhet të jetë njohja reciproke dhe ruajtja e rregullimit aktual kushtetues në Kosovë, sikurse edhe e kufijve të tashëm. Sipas saj, Kosova është palë konstruktive në këtë proces.

Në këtë kontekst, ka theksuar se perspektiva e Kosovës është në BE dhe se Procesi i Berlinit është  shtysë e fuqishme për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor, duke përjashtuar çdo ide tjetër që synon të jetë paralele me zgjerimin e BE -së dhe më këtë proces.

Presidentja Osmani në takim me ministrin Mass ka potencuar se e mirëpret përfundimin e shpejtë të marrëveshjes dypalëshe për njohjen e patentshoferëve të Kosovës.

Ndërkaq sa i përket bashkëpunimit ekonomik, Presidentja Osmani ka  përmendur marrëveshjen për transportin e mallrave, heqjen e taksimit të dyfishtë midis dy vendeve, si dhe organizimin e një forumi të përbashkët investimesh.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 20 Shtator 2021 - Kandidatit për kryetar të Malishevës nga radhët e Nismës Socialdemokrate, Ekrem Kastrati takon fermerët në fshatin Bardh.  (Fshati Bardh i Malishevë, ora 9:00)

- Mbahet seanca gjyqësore ndaj të pandehurit Sejdullah Mahmuti për trajtim të pa
ndërgjegjshëm mjekësorë. (Gjykata Themelore në Ferizaj, ora 9:30)

 - Mbahet seanca plenare e Kuvendit të Republikës së Kosovës në të cilën ndër të tjera do të    formohet Komisioni Ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për tetë anëtarë nga komuniteti shqiptarë dhe një anëtar nga komuniteti serb në Bordin e RTK-së. (Kuvendi i Kosovës, ora 10:00)

- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mban mbledhjen e radhës. (Selia e KQZ-së, ora 10:00)

- Kandidatit për kryetar të Malishevës nga radhët e Nismës Socialdemokrate, Ekrem Kastrati takon fermerët në fshatin Senik. (Fshati Senik i Malishevë, ora 11:00)

- Kandidatit për kryetar të Malishevës nga radhët e Nismës Socialdemokrate, Ekrem Kastrati takon fermerët në fshatin Banjë. (Fshati Banjë i Malishevë, ora 13:00)

- The Balkan Forum organizon konferencën me temë “Jo regjimit të vizave: Koha për të vendosur qytetarët në rend të parë”. (Swiss Diamond Hotel, ora 14:00)