09 Dhjetor 2022

Presidentja Osmani mori pjesë në hapjen e samitit të Frankofonisë

Tunis, 19 nëntor - Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, sot mori pjesë në hapjen zyrtare të punimeve të Samitit të krerëve të shteteve anëtare të Organizatës së Frankofonisë dhe takoi një numër të krerëve të shtetit e të delegacioneve të vendeve të ndryshme që ishin prezent në këtë samit që mblodhi 88 shtete.

Në hapje të samitit u diskutua mbi vlerat e përbashkëta të cilat i kultivon Organizata e Frankofonisë, përfshirë diversitetin kulturor, etnik e gjuhësor, si dhe parimet bazë të saj, sikur janë zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik, politik e social.

Në samit, Presidentja u mirëprit nga Presidenti i Tunizisë Kais Saied dhe kryeministrja e Tunizisë, Najla Bouden dhe nga sekretarja e Përgjithshme e Frankofonisë, Louise Mushikiwabo.

Ndërkaq në margjina të samitit, Presidentja kishte diskutime me Justin Trudeau, kryeministër i Kanadasë, Emmanuel Macron, President i Francës, Charles Michel, President i Këshillit Evropian, Alexander De Croo, kryeministër i Belgjikës, Macky Sall, President i Senegalit, Paul Kagame, President i Ruandës, Mohamed Ould Ghazouani, President i Mauritanisë, Nikol Pashinyan, kryeministër i Armenisë, presidentin e Sllovenisë, Borut Pahor, me zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Shtetit të Katarit, Hamad Bin Abdulaziz Al Kawari, me Ioannis Kasoulides, ministër i Jashtëm i Qipros, me Sylvie Baïpo Temon, ministre e Punëve të Jashtme të Republikës së Afrikës Qendrore, me Moussa Faki, kryetar i Komisionit të Unionit Afrikan, si dhe me liderë të tjerë pjesëmarrës.

Më pas, Presidentja Osmani mbajti një fjalim në sesionin e parë plenar të Samitit të Frankofonisë i cili iu kushtua zhvillimeve në fushën e digjitalizimit.

Në fjalimin e saj, Presidentja theksoi se si anëtare e familjes së madhe 88-anëtarëshe të Frankofonisë, shteteve iu takon të përcjellin mesazhe të rëndësishme, jo vetëm për paqen në botë, por edhe për mundësitë e zhvillimit në epokën digjitale, të cilat janë bërë të domosdoshme sidomos pas sfidave që na përcollën gjatë pandemisë.

Presidentja theksoi se vlerat e përgjithshme, siç janë solidariteti, diversiteti dhe barazia, të promovuara nga Organizata Ndërkombëtare e Frankofonisë, mund të ndikojnë në krijimin e një qasjeje të përbashkët si përgjigje ndaj sfidave.

Më tej, Presidentja Osmani foli mbi digjitalizimin, si vektor i rëndësishëm i zhvillimit të qëndrueshëm, duke u përqëndruar në ndikimin që ai ka në përshpejtimin e zhvillimit ekonomik dhe social.

Ajo theksoi se Kosova përbën histori suksesi në zhvillimin e sektorit të teknologjisë informative dhe të komunikimit dhe shtoi se Kosova po punon me këmbëngulje që ta reduktojë edhe më hendekun ndërmjet burrave dhe grave në të gjitha fushat e jetës, përfshirë edhe zhvillimin teknologjik.

Sipas Presidentes Osmani, zhvillimi i shpejtë teknologjik duhet të na përgatisë për përgjigjet ndaj sfidave të së ardhmes.

“Ne duhet të sigurohemi se do ta përdorim drejt dijen tonë, duke u kujdesur që përdorimi teknologjik t’i shërbejë afrimit dhe solidaritetit ndërmjet njerëzve dhe popujve”, theksoi ajo.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 9 dhjetor 2022 - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, presidentja Vjosa Osmani-Sadriu dhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, marrin pjesë në dëgjimin publik për Projektligjin për Liritë Fetare. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 9:00)

- Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit shqyrton Raportit për Projektligjin Agjencinë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës, Projektligjin për Bujqësi dhe Zhvillim Rural, etj. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 9:30)

- Komisioni për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve dhe Kthim shqyrton Projektligjin për parandalimin dhe kontrollin e integruar të ndotjes, me raport amendamente të Komisionit funksional për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim dhe Zhvillim, etj. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 9:45)

- Instituti i Kosovës për Drejtësi organizon konferencë për media, ku do të publikohet raporti me titull “Qeverisja me duar të pastërta”, raport ky mbi deputetët, ministrat dhe kryetarët e komunave, të cilët kanë probleme me ligjin. (Hotel Sirius, ora 10:00)

- Gjykata Kushtetuese organizon “Ditën e Gjykatës së Hapur” në shënim e Ditës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut. (Gjykata Kushtetuese, ora 10:00)

- Për të shënuar 9 dhjetorin, Ditën Ndërkombëtare kundër Korrupsionit, Koalicioni i Organizatave të Shoqërisë Civile dhe Mediave, do të mbajnë një konferencë me temën “Fuqizimi i Kapaciteteve të Shoqërisë Civile për luftimin e korrupsionit”. (Hotel Sirius, ora 10:00)

- Kuvendi i Republikës së Kosovës vazhdon seancën plenare. (Kuvendi i Kosovës, ora 10:00)

- Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu bashkëbisedon me studentët e Kolegjit AAB për temën mbi dhunën në bazë gjinore. (Kolegji AAB, ora 10:30)

- Rreth 60 punëtor teknik dhe ata te sigurimit fizik qe punojnë në Qendrat e Mjekësisë Familjare disa shkolla te Prishtinës  do te protestojnë me kërkesën për rritje të pagave. (Para komunës se Prishtinës, ora 11:00)

- Këshilli Rinor Kosovar organizon Kuvendin Zgjedhor të Këshillit të Nxënësve të Kosovës në nivel vendi. (Amfiteatri i Ministrisë së Drejtësisë, ora 13:00)

- Instituti i Kosovës për Drejtësi organizon aktivitet me studentët e Klinikës Ligjore të IKD– së, ku do të bëhet prezantimi i shpalljes së simuluar të një aktgjykimi të një rasti të korrupsionit. (Sheshi Skënderbeu në Prishtinë, ora 13:30)

- Lidhja Demokratike e Kosovës mban konferencë për medie. (Selia qendrore e LDK-së, ora 13:30)

- Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu merr pjesë në një tryezë me gratë në Komunën e Mitrovicës. (Restaurantin "Va Piano", ora 15:00)

- Me rastin e 5 vjetorit të ndarjes nga jeta të artistit, Blerim Peci, Komuna e Mitrovicës, në bashkëpunim me artistë, familjarë e miq të ish të ndjerit organizojnë takimin përkujtimor për të ndarë së bashku kujtime të bukura e të pashlyeshme për të. (Qendra e Kulturës "Rexhep Mitrovica", ora 17:00)

- Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu merr pjesë në shfaqjen e filmit "Zgjoi". (Kino Armata, ora 17:00)