25 Prill 2024

Presidentja Jahjaga u takua me Presidentin Obama

Varshavë, 27  maj - Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, e cila po merr pjesë në Samitin e liderëve të Evropës Qendrore, që po i zhvillon punimet në Varshavë, u takua sot në mbrëmje me Presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama, në një darkë të përbashkët të liderëve pjesëmarrës në Samitin e Varshavës.

Presidentja Jahjaga po ashtu ka zhvilluar një varg takimesh me homologët e saj nga shtete të ndryshme.

Fillimisht, ajo ka pasur nderin të jetë presidentja e parë, e cila është pritur me ceremoni zyrtare nga Presidenti i Republikës së Polonisë, Bronisllav Komorovski, para fillimit të samitit, ndërsa më pas ka zhvilluar takime të veçanta me Presidentin e Republikës së Kroacisë, Ivo Josipoviq, Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi dhe Presidentin e Letonisw, Valdis Zalters.

Në takimin me Presidentin e Republikës së Kroacisë, Ivo Josipoviq,  Presidentja Jahjaga e ka vlerësuar lart bashkëpunimin që kanë Kosova dhe Kroacia në shumë fusha. Ajo ka theksuar nevojën e zgjerimit dhe intensifikimit të këtij bashkëpunimi.

Presidentja Jahjaga theksoi synimin parësor të Republikës së Kosovës, integrimin evropian dhe procesin e liberalizimit të vizave, duke shtuar se në këtë fushë ajo mund të përfitojë shumë nga përvoja kroate.

Nga ana e tij, Presidenti Josipoviq, pasi uroi edhe një herë Presidenten Jahjaga për zgjedhjen e saj në krye të Kosovës, theksoi se kjo paraqet një fakt të rëndësishëm për Kosovën dhe për rajonin.

Ai gjithashtu theksoi rëndësinë e bashkëpunimit mes të dy shteteve në të gjitha fushat dhe u shpreh se Kroacia mund të ndihmojë shumë Republikën e Kosovës në procesin e integrimeve evropiane, me përvojën nga rruga që ajo ka ndjekur.

Presidentja Atifete Jahjaga ka zhvilluar një takim të frytshëm dhe miqësor edhe me Presidentin e Republikës së Shqipërisë, z.Bamir Topi.

Pasi falënderoi Shqipërinë për të gjithë ndihmën që gjatë gjithë kohës i ka dhënë dhe po i jep Kosovës, Presidentja Jahjaga tha se Kosova dhe Shqipëria janë dy vende shembull për marrëdhënie shumë të mira.

Presidentja Jahjaga theksoi nevojën e shtimit të angazhimit për bashkëpunim edhe më konkret, në shumë fusha, duke përfshirë arsimin, kulturën, investimet e përbashkëta në ekonomi, në energjetikë e të tjera.

“Kemi resurse të përbashkëta për zhvillim ekonomik dhe njerëzit tanë janë të orientuar te njëri-tjetri sidomos në zonën kufitare dhe duhet t’i shfrytëzojmë këto përparësi me programe konkrete”, tha Presidentja Jahjaga.

Ajo gjithashtu theksoi faktin se Kosova dhe Shqipëria kanë të nënshkruara një varg marrëveshjesh bashkëpunimi, por që duhet të bëhet edhe më shumë në implementimin e tyre.

Ajo gjithashtu theksoi rëndësinë e madhe që ka angazhimi i Shqipërisë në lobimin për sigurimin e sa më shumë njohjeve për Republikën e Kosovës, ndërsa shtoi edhe një herë nevojën e kontakteve sa më të shpeshta në mes të dy vendeve.

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi, pasi uroi zonjën Jahjaga për zgjedhjen në detyrën e Presidentes së Kosovës, theksoi se zgjedhja e saj kontribuon në stabilitetin në Kosovë dhe është në interes të qytetarëve të vendit.

Presidenti Topi e njoftoi Presidenten Jahjaga për zhvillimet në Shqipëri, sidomos për situatën pas zgjedhjeve të fundit.

Edhe Presidenti Topi shtroi nevojën e kontakteve sa më të shpeshta midis Tiranës dhe Prishtinës.

Ai gjithashtu i bëri ftesë Presidentes Jahjaga për vizitë zyrtare në Shqipëri.

Presidentja Atifete Jahjaga zhvilloi një takim të veçantë edhe me Presidentin e Letonisë, Valdis Zalters. Në takim u bisedua marrëdhëniet mes dy vendeve tona dhe fushat ku ky bashkëpunim mund të zgjerohet dhe intensifikohet.

Gjatë drekës zyrtare dhe në margjina të samitit, Presidentja Jahjaga është takuar dhe ka biseduar edhe me Presidentin e Republikës së Gjermanisë, Christian Wulf, Presidentin e Republikës së Austrisë, Heinz Fischer, Presidentin e Republikës së Italisë, Giogio Napolitano e presidentë të tjerë, pjesëmarrës në samit.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)