25 Prill 2024

Përfundon raundi i parë të bisedimeve Kosovë - Serbi

Bruksel, 10 mars - Në Bruksel përfundoi raundin i parë i dialogut midis Prishtinës dhe Beogradit me ndërmjetësimin e BE-së.

Në takimin që ka zgjatur më shumë se gjashtë orë në tryezën e bisedimeve kanë dominuar tri çështje: bashkëpunimi rajonal, lëvizja e lirë dhe sundimi i së drejtës.

Udhëheqësit e grupeve negociatore të Prishtinës dhe Beogradit, Edita Tahiri dhe Borko Stefanoviç janë dakorduar se është arritur përparim drejt zgjidhjes së ççështjeve që kanë qenë temë e bisedimeve dhe se sipas tyre, për disa prej tyre mund të ketë zgjidhje konkrete gjatë ditëve të ardhshme.

Por dyja palët nuk janë pajtuar rreth natyrës së bisedimeve, pasi që pala kosovare ka insistuar se bëhet fjalë për bisedime teknike, ndërsa pala serbe ka vlerësuar se bëhet fjalë për çështje që kanë peshë të rëndë politike dhe nuk mund të quhen teknike.

Zëvendëskryeministrja e Kosovës ka shprehur nevojën e zgjidhjes së ççështjeve që kanë të bëjnë me vulat doganore për të normalizuar importet dhe eksportet midis dy vendeve.

“Tanimë situata është asimetrike, për shkak se Kosova mundëson importin e mallrave serbe në vendin e saj, ndërsa Serbia pengon eksportin e mallrave kosovare, edhe të atyre mallrave që janë transit”, deklaroi ajo.

Ajo është shprehur e kënaqur me arritjet e para të këtij dialogu. “Ka përparime sa i përket shpalosjes së propozimeve, tentimeve për të gjetur bazë për zgjidhje të përbashkëta, por për të gjitha çështjet duhet të ketë përkushtim të veçantë gjatë fazave të ardhshme. Është bërë përparim i mirë, por nuk mund të them se sa”, deklaroi Edita Tahiri, duke shtuar se të dyja palët kanë punuar maksimalisht gjatë dy ditëve.

Shefja e grupit negociator të Prishtinës ka përsëritur qëndrimin se çështja e statusit është çështje e zgjidhur sepse sipas saj, Kosova është njohur nga 75 shtetet më të rëndësishme dhe se sipas saj, ndoshta edhe Serbia një ditë do ta njoh realitetin e Kosovës së pavarur.

“Ka disa zgjidhje konkrete, por do të shohim për zbatimin e tyre gjatë ditëve të ardhshme, dhe sigurisht do ta njohim opinionin”, deklaroi shefi i ekipit negociator serb Borko Stefanoviç, duke theksuar se takimi i sotëm ka qenë më i suksesshëm sesa ai i zhvilluar mbrëmë. Ai nuk ka dashur të publikojë se për cilat çështje mund të pritet zgjidhje gjatë ditëve të ardhshme.

“Është e saktë se përparime janë arritur rreth çështjeve të kadastrës, dhe librave amë, telekomunikimeve dhe aviokomunikacionit, por përparime të vogla ka pasur në lëminë ku hyhet në çështje të sovranitetit, siç janë vulat doganore. Definitivisht kemi locuar nevojën për të shkëmbyer të dhënat që kanë të bëjnë me kadastrën, por edhe nevojën për të vendosur komunikacionin normal rreth rregullimit të avio-komunikacionit, si dhe për çështje që janë të lidhura me CEFTA”, deklaroi Stefanoviç.

Përfaqësuesja e lartë e BE-së për politikë të jashtme Katrin Ashton pritet të dal me një deklaratë për vlerësimin e raundit të parë të negociatave, ndërsa një vlerësim i tillë pritet edhe nga zëvendës-ndihmës sekretari amerikan i shtetit Tomas Kantrimen, i cili drejtpërdrejt ka ndjekur negociatat.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)