28 Mars 2024

PE-ja do të kërkojë sërish nga pesë vendet e BE-së që ta njohin Kosovën

Bruksel, 9 dhjetor - Parlamenti Evropian sërish do t’i bëjë thirrje pesë vendeve të Bashkimit Evropian, që nuk e kanë njohur Kosovën, që ta bëjnë një gjë të tillë sa më shpejt.

Kjo ftesë e PE-së përsëritet në draft-raportin për Kosovën, të përgatitur në Komisionin e Politikës së Jashtme nga raportuesja për Kosovën, Viola von Cramon. Kjo thirrje nuk është e re, pasi Parlamenti Evropian vazhdon të jetë i vetmi institucion i BE-së që nga fillimi i referohet Kosovës si shtet dhe vazhdimisht kërkon nga shtetet anëtare që ta njohin shtetësinë e Kosovës.

“Merret në dijeni se pesë shtetet anëtare ende nuk e kanë njohur Kosovën dhe përsëritet thirrja ndaj atyre që ta bëjnë këtë; nënvizohet se njohja do të ishte në dobi të normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë”, thuhet në këtë dokument.

Ky raport përfshin një periudhën dyvjeçare, pasi në vitin 2019 nuk ka pasur raport të Parlamentit Evropian sepse ishte vit i zgjedhjeve evropiane dhe pritej konstituimi i përbërjes së re të PE-së.

Në draft-raportin thuhet se Kosova po vazhdon të vuajë nga jostabiliteti politik, sidomos pas zgjedhjeve parlamentare të tetorit të vitit 2019. Nga Kosova kërkohet që të shtojë përpjekjet për të adresuar problemet në fushën e sundimit të ligjit, të drejtat themelore, funksionimin e institucioneve dhe zhvillimin ekonomik. Aty po ashtu shprehet keqardhje për shuarjen e task-forcës anti-korrupsion brenda Policisë së Kosovës.

Raporti nënvizon se Kosova vazhdon të jetë i vetmi shtet i rajonit të Ballkanit Perëndimor, qytetarët e së cilit kanë nevojë për viza për të udhëtuar në zonën Shengen, edhe pse Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave që në vitin 2018.

Prandaj me këtë raport, bazuar në draft-tekstin e tij, eurodeputetët mirëpresin përsëritjen e qëndrimit të Komisionit Evropian se Kosova mund të përfitojë nga liberalizimi i vizave dhe i bëjnë thirrje Këshillit që urgjentisht të lëvizë drejt vendosjes së regjimit pa viza për qytetarët e Kosovës.

Parlamenti Evropian, përmes këtij raporti, kërkon nga Kosova që të shtojë përpjekjet në luftë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe të dëshmojë më shumë vullnet politik edhe në përmbushjen e kushteve të caktuara me agjendën e reformave evropiane (ERA).

Në këtë tekst shprehet keqardhje për vendimin e Qeverisë së Kosovës për të shuar Ministrinë e Integrimeve Evropiane, por kërkohet që strukturat e reja të kenë nivel të duhur të kompetencave, në mënyrë që të jenë në gjendje të koordinojnë procesin e integrimeve.

Një pjesë e konsiderueshme e raportit të përpiluar nga PE-ja i kushtohet dialogut mes Kosovës dhe Serbinë. PE-ja, thuhet në raport, mirëpret rinisjen e dialogut dhe përkushtimin e shprehur nga të dyja vendet për këtë proces. Prishtina dhe Beogradi zyrtar ftohen që të vazhdojnë angazhimin konstruktiv në kërkim të marrëveshjes gjithëpërfshirëse, por edhe të zbatojnë marrëveshjet e arritura deri më tash.

Po ashtu në raport thuhet se merret në dijeni marrëveshja e arritur në Uashington më 4 shtator për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike dhe nënvizohet se bashkëpunimi transatlantik është faktor kyç në stabilitetin në rajon.

Në këtë dokument kërkohet më shumë përpjekje për të zbuluar fatin e personave të pagjetur që nga lufta e fundit në Kosovë. Aty po ashtu përsëritet mbështetja për krijimin e Komisionit rajonal për faktet e krimeve të luftës dhe shkeljeve të rënda të të drejtave të njeriut në territorin e ish-Jugosllavisë (RECOM).

“Bëjmë thirrje për përpjekje më të mëdha në shqyrtimin e kërkesave të familjarëve të personave të pagjetur, hapjen e arkivave të luftës dhe zbulimin e të dhënave për personat të cilët ende janë të listuar si të zhdukur nga periudha e luftës 1998-99 në Kosovë”, thuhet në dokument.

Raporti merret edhe me gjendjen e mjedisit në Kosovë, ku potencohet niveli i lartë i ndotjes në Kosovë dhe kërkohet që të rriten kapacitetet e prodhimit të energjisë nga burimet alternative. PE-ja shpreh shqetësim për nivelin e lartë të vdekshmërisë së hershme si pasojë e ndotjes dhe kërkon të adresohen këto probleme dhe gradualisht të ndërpritet prodhimi i energjisë nga qymyri.

Në këtë drejtim kërkohet nga Kosova të respektojë standardet evropiane, ndërsa nga Komisioni Evropian kërkohet që të përfshijë Kosovën në strategjinë e Marrëveshjes së gjelbër evropiane.

Raporti është draftuar nga raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon. Për të do të debatohet së pari në Komisionin e Jashtëm të Parlamentit Evropian, ku do të votohet si raport. Pastaj do të debatohet dhe miratohet edhe si rezolutë e Parlamentit Evropian gjatë një seance plenare.

/REL/

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)