19 Mars 2024

Osmani: Faza e re e dialogut të udhëhiqet nga parimi i trajtimit të barabartë

Antali, 17 qershor - Gjatë qëndrimit në Turqi, në margjinat e Procesit të Bashkëpunimit në Evropën Juglindore, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, u takua me përfaqësuesin e Lartë të BE-së, Joseph Borell, me të cilin bisedoi për raportet Kosovë-BE si dhe për dialogun me Serbinë të lehtësuar nga BE-ja.

“Lidershipi i ri i vendit ka prioritet reformat e nevojshme për ta çuar përpara procesin e integrimit të vendit tonë në Bashkimin Europian dhe në NATO."

"Ne kemi treguar gatishmëri të marrim pjesë në dialog, por në një proces të përgatitur mirë, i cili do të rezultojë me marrëveshje përfundimtare për njohjen e ndërsjellë dhe do ta respektojë sovranitetin dhe integritetin e Kosovës”, tha Presidentja Osmani.  

“Faza e re e dialogut, në të cilën po hyjmë duhet të udhëhiqet nga parimi i trajtimit të barabartë të palëve dhe të sigurojë se do t’i përfshijë çështjet të cilat janë në interes të qytetarëve tanë”, ka potencuar Presidentja Osmani.  

Sipas saj, ofrimi i informatave për personat e zhdukur me dhunë nga ana e Serbisë duhet të trajtohet shumë seriozisht, edhe për të treguar përkushtimin e shtetit serb ndaj synimeve të dialogut.  

Po ashtu, Presidentja theksoi se Serbia nuk ka zbatuar rreth 2/3 e marrëveshjeve të nënshkruara në Bruksel. Për më tepër, ajo shtoi se diskutimet për ndryshim territoresh janë të rrezikshme, sepse mund ta destabilizojnë tërë rajonin.  

Presidentja ia shprehu edhe një herë z. Borell brengën e qytetarëve të Kosovës për zvarritjen e procesit të liberalizimit të vizave dhe procesin e integrimit të vendit, por edhe të rajonit, në Bashkimin Evropian.  

Sipas saj, Kosova ka bërë përparim të dukshëm, duke i plotësuar të gjitha kërkesat e BE-së ndaj nesh, prandaj është momenti që edhe BE-ja t’i mbajë premtimet e dhëna, t’i liberalizojë vizat për qytetarët tanë, si dhe ta përshpejtojë procesin e integrimit të vendeve të rajonit që plotësojnë kriteret në strukturat e BE-së, ngase kështu përforcohet edhe paqja dhe stabiliteti në rajon.  

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, z. Borell, ndërkaq, e njoftoi Presidenten Osmani me përgatitjet e BE-së për procesin e dialogut  dhe shprehu besimin se procesi i nisur do të vazhdojë, për të arritur një marrëveshje të qëndrueshme mes dy vendeve.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)