18 Prill 2024

OKI miraton me unanimitet Rezoluten për Kosovën

Dushanbe, 20 maj - Miratohet Rezoluta e re “Mbi Situatën në Kosovë” nga Ministrat e Punëve të Jashtme të Organizatës së Konferencës Islamike në Dushanbe, Taxhikistan.

Në seancën përmbyllëse të Ministerialit të Organizatës së Konferencës Islamike, mbajtur në Dushanbe, Taxhikistan, ku mori pjesë edhe Zv. Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, Ministrat e Punëve të Jashtme të vendeve anëtare miratuan Rezolutën e re ‘Mbi Situatën në Kosovë’.

Kjo Rezolutë, e iniciuar nga Shqipëria dhe miratuar me unanimitet të plotë nga 57 shtetet anëtare të OKI-së, ka një rëndësi të jashtëzakonshme dhe përbën një sukses të madh për Kosovën dhe njohjen e saj të mëtejshme. OKI i referohet në dokumentin e saj, deklaratës së pavarësisë së Kosovës, dhe përmes kësaj Rezolute evidenton qartë se që nga shpallja e pavarësisë më 17 shkurt 2008, Kosova ka bërë progres të dukshëm në ndërtimin e institucioneve demokratike, forcimin e shtetit ligjor, zhvillimin ekonomik dhe integrimin në familjen evropiane. Rezoluta evidenton, gjithashtu, se Kosova është bërë anëtare e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore.

Pas miratimit të Rezolutës, Zv. Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, z. Ilir Meta tha: “Rezoluta ‘Mbi Situatën në Kosovë’, është dëshmi e qartë e mbështetjes së fuqishme të vendeve anëtare të OKI-së ndaj shtetit të ri të Kosovës, të cilët vlerësojnë se pavarësia e saj ka krijuar një klimë paqësore me ndikim pozitiv në marrëdhëniet ndëretnike në Kosovë, dhe ka kontribuar ndaj ruajtjes së paqes dhe stabilitetit në të gjithë rajonin”.

Rezoluta reflekton gjithashtu zhvillimet me te fundit në Kosovë, veçanërisht zgjedhjet e 15 nëntorit 2009, të administruara për herë të parë nga institucionet e Kosoves dhe të vlerësuara ndërkombëtarisht për klimën paqësore dhe rritjen e pjesëmarrjes së pakicës serbe në to; angazhimin e autoriteteve vendore e ndërkombëtare për forcimin e sundimit të ligjit dhe të rendit në të gjithë territorin e Kosovës, si dhe sigurimin e kushteve më të mira të jetesës për të gjithë qytetarët e saj.

Vendet anëtare të OKI-së, për herë të parë, mirëpresin perpjekjet e vazhdueshme të Bashkimit Evropian për avancimin e perspektivës evropiane të Kosovës dhe të të gjithë Ballkanit Perëndimor, si një kontribut vendimtar për stabilitetin dhe  prosperitetin rajonal.

Në këtë kuadër, Meta shtoi se: “Miratimi i kësaj Rezolute, nga të gjitha vendet anëtare të OKI-së, veçanërisht nga ata që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, dëshmon për një klimë të re në marrëdhëniet e OKI-së me Kosovën, duke na forcuar besimin se vende të tjera të kësaj Organizate pritet ta njohin shtetin e ti në të ardhmen e afërt”.

Në Rezolutë, u bëhet thirrje vendeve anëtare të Organizatës dhe komunitetit ndërkombëtar, që të vazhdojnë të mbështesin forcimin e shtetit të Kosovës dhe ekonomisë së saj.

Rezoluta gjithashtu ngarkon Sekretarin e Përgjithshëm të OKI-së që në sesionet e radhës të Ministrave të Jashtëm të Organizatës të raportojë mbi dinamikën e zhvillimeve në Kosovë, duke e vendosur kështu shtetin e ri në axhendën e përhershme të OKI-së.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)