21 Tetor 2021

Nis një kapitull i ri i bashkëpunimit intensiv i Kuvendit të Shqipërisë dhe Kosovës

Tiranë, 11 tetor - Në kuadër të bashkëpunimit mes Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe Kuvendit të Republikës se Shqipërisë, është mbajtur në Tiranë Tryeza e parë e Kryetarëve të Komisioneve të Kuvendit të Shqipërisë dhe Kuvendit të Kosovës.    

Kjo tryezë u organizua si rezultat i vizitës së parë zyrtare të Kryetares së Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla, në Kosovë dhe diskutimeve të frytshme me Kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca.

Tryeza filloi punimet me fjalimin përshëndetës nga Kryetarja e Kuvendit, të Shqipërisë, Lindita Nikolla.

Në fjalën e saj hyrëse, kryetarja Nikolla tha se Kuvendi i Shqipërisë dhe Kuvendi i Kosovës sapo kanë nisur një kapitull të ri bashkëpunimi intensiv dhe se Tryeza e parë e Kryetarëve të Komisioneve është hapi i parë i institucionalizimit të bashkëpunimit parlamentar.

Ajo shtoi se paralel me këtë Tryezë, në grupet e punës të të dy Kuvendeve, nën drejtimin e Sekretarëve të Përgjithshëm, është duke u finalizuar Marrëveshja e Bashkëpunimit midis të dy Kuvendeve.

“Kjo tryezë është një kantier pune i të zgjedhurve të kombit shqiptar, për të diskutuar për t’u shërbyer më mirë bashkëkombasve e qytetarëve tanë, kudo ku ndodhen. Është koha të intensifikojmë, shumëfishojmë kontaktet dhe zgjerojmë bashkëpunimin vëllazëror midis dy Kuvendeve tona”, theksoi Nikolla.

Nga ana tjetër kryetarët e komisioneve parlamentare të dy Kuvendeve, gjatë diskutimeve të tyre theksuan aspekte të ndryshme të bashkëpunimit parlamentar, duke iu referuar fushëveprimit të komisioneve përkatëse në procesin legjislativ dhe përafrimin e legjislacionit, për të lehtësuar bashkëpunimin midis institucioneve, sektorit privat dhe qytetarëve.  

Diskutimet kryesisht u fokusuan në bashkëpunimin për përafrimin e legjislacionit të të dy vendeve me legjislacionin e Bashkimit Evropian në fushën e ekonomisë, financave publike, investimeve, shkëmbimeve tregtare, sigurisë dhe mbrojtjes, arsimit, kërkimit shkencor, kulturës, medias, shëndetësisë dhe mbrojtjes sociale, bashkëpunimit me diasporën, mbështetjes së veprimtarive prodhuese e sipërmarrjes private, administratës publike, bujqësisë e zhvillimit rural, mjedisit dhe zhvillimit të qëndrueshëm, infrastrukturës dhe transportit, energjisë, qeverisjes vendore.

Kryetarët e komisioneve parlamentare ranë dakord që, përveç takimeve në nivel Kuvendesh, bashkëpunimi të zgjerohet dhe e thellohet edhe midis komisioneve përkatëse dhe rezultatet e tyre të paraqiten e diskutohen në Tryezat e përbashkëta, të cilat do të mbahen në mënyrë periodike. ​

Kalendari

Ngjarjet e datës 22 Tetor 2021 - Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione takohet me shoqaten e Familjeve të Heronjve dhe Dëshmorëve të Kombit për zgjidhjen e statusit të veprimtarëve invalidëve të plagosur para luftës çlirimtare në Kosovë. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 10:00)

- Shoqata për Teknologji të Informacionit dhe Komunikimit të Kosovës - STIKK organizon edicionin e 10-të të festivalit të teknologjisë “KosICT”. (Ambientet e “ITP Park” në Prizren, ora 10:00)

- Instituti Demokratik i Kosovës organizon konferencën “Ndikimi i dialogut me Serbinë në politikën e jashtme të Kosovës”. (Hotel Emerald, ora 10:30)

-  Komisioni Ad hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për anëtar të Bordit të RTK-së shqyrton listën e kandidatëve të propozuar për anëtarë të Bordit të RTK-së. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C203, ora 11:00)

- Ministria e Mbrojtjës organizon ceremoninë e betimit të rekrutëve të rijnë. (Kazerma e FSK-së “Skënderbeu” në Ferizaj, ora 11:00)

- Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit miraton listën e ngushtë të kandidatëve për Drejtor të Agjencisë Kundër Korrupsionit. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N204, ora 14:00)

- Mbahet edicioni i trtë i festivalit Lahuta, Okarina Polifionia. (Ambientet e Qendrës për zhvillimin e kultures tradicionale në Prishtinë, Rruga Xheladin Hana nr. 98, ora 18:30)