19 Qershor 2021

Navalny kërkon ndërprerjen e kontrolleve pasi po torturohet çdo një orë natën

Moskë, 1 qershor - Udhëheqësi i burgosur i opozitës ruse Alexey Navalny i kërkoi një gjykate të hënën që të vendoste për ndërprerjen e kontrolleve çdo një orë natën, të cilave ai u është nënshtruar në burg.

Duke folur në gjykatë në një lidhje me video nga burgu, zoti Navalny tha se nuk ka bërë asgjë që të justifikonte vendimin e autoriteteve për ta konsideruar si rrezik arratisjeje, arsyeja se pse bëhen këto kontrolle.

“Thjesht dua që të mos vijnë të më zgjojnë natën," i tha ai gjykatësit në komentet që u transmetuan nga televizioni i pavarur Dozhd. "Çfarë kam bërë: Jam përpjekur të dal? Kam gërmuar ndonjë nënkalim? Apo po i rrëmbeja dikujt pistoletën? Më shpjegoni pse më quajnë rrezik arratisjeje!"

Ai argumentoi se kontrollet çdo një orë gjatë natës "në të vërtetë përbëjnë torturë", duke i thënë gjykatësit se "do të çmendeshe për një javë" nëse i nënshtrohesh një zgjimit të tillë të shpeshtë.

Gjykata më vonë e shtyu seancën për të mërkurën.

Zoti Navalny, armiku politik më i vendosur i Presidentit rus Vladimir Putin, u arrestua në janar pas kthimit nga Gjermania, ku kishte kaluar pesë muaj duke u rimëkëmbur nga një helmim me një agjent nervor për të cilin ai fajëson Kremlinin- akuza që zyrtarët rusë i hedhin poshtë.

Në shkurt, atij iu dha një dënim prej 2 vjet e gjysëm për shkelje të kushteve të një dënimi me kusht që rezultonte nga një dënim i vitit 2014, që ai thotë se ishte i motivuar politikisht.

Ai filloi një grevë urie 24-ditore në burg për të protestuar ndaj mungesës së trajtimit mjekësor për dhimbje të forta shpine dhe mpirje në këmbë, duke i dhënë fund muajit të kaluar pasi mori kujdesin mjekësor që kërkoi.

Ndërsa ishte ende në grevë urie, zoti Navalny u zhvendos nga një objekt penale në lindje të Moskës, ku po vuante dënimin, në spitalin e një burgu tjetër në Vladimir, një qytet 180 kilometra në lindje të kryeqytetit. Ai vazhdon të jetë në atë burg, ku ai tha se kontrollet e natës vazhdonin, megjithëse ishin më pak shqetësuese.

Ndërsa zoti Navalny është në burg, prokurorët i kanë kërkuar një gjykate në Moskë ta përcaktojë Fondacionin e tij për Luftën ndaj Korrupsionit dhe rrjetin e tij të zyrave rajonale si grupe ekstremiste. Një projekt-ligj, i cili ka kaluar me shpejtësi në dhomën e ulët të parlamentit rus të kontrolluar nga Kremlini, bllokon anëtarët, donatorët dhe mbështetësit e grupeve ekstremiste që të kërkojnë zyrë publike.

Lëvizjet paralele janë parë gjerësisht si një përpjekje për të mos lejuar bashkëpunëtorë të zotit Navalny të kandidojnë në zgjedhjet parlamentare të shtatorit.

Kalendari

Ngjarjet e datës 19 Qershor 2021 - Pishina e Gërmisë hap dyert për sezonin veror 2021. (Gërmia, Prishtinë, ora 10:00)    

- Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) dhe forumZFD promovojnë librin “Përtej dhimbjes, drejt guximit: Rrëfime për traumën e dhunës seksuale në luftë”. (Biblioteka Kombëtare, ora 11:00)

- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mban mbledhjen e radhës në të cilen do të shqyrtojë dhe miratojë rekomandimit për caktimin lartësisë së Shpenzimeve të Fushatës për zgjedhjet lokale 2021. (Selia e KQZ-së, ora 11:00)

- Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, bën homazhe te varri i veprimtares Nekibe Kelmendi, në 10 vjetorin e vdekjes. (Varri i Nekibe Kelmendi, ora 12:00)

- Komuna e Mitrovicës do të bejë përurimin e rrugës së asfaltuar në fshatin Kovaqicë të Shalës së Bajgores. (Fshati Kovaqicë, ora 14:00)