07 Maj 2021

Ministri i Jashtëm gjerman të enjten viziton Kosovën dhe Serbinë

Berlin, 21 prill - Shefi i diplomacisë gjermane Heiko Maas, të enjten do të vizitojë Prishtinën, ka njoftuar Ministria e Punëve të Jashtme të Gjermanisë në Berlin.

Një ditë më vonë, Maas do të vizitojë edhe Beogradin.

Sipas zëdhënëses së kësaj ministrie Maria Adebahr, Maas do të diskutojë me zyrtarë të Kosovës dhe Serbisë, edhe për dialogun për normalizimin e marrëdhënieve.

Vizita e shefit të diplomacisë gjermane vjen pas raportimeve mediale në rajonin e Ballkanit Perëndimor lidhur me mundësinë e ndryshimit të kufijve në mes të shteteve.

Siç kanë raportuar disa media, kryeministri i Sllovenisë, Janez Jansha i ka dorëzuar Brukselit zyrtar, të ashtuquajturën “non-paper”, ku thuhet se procesi i dezintegrimit të ish-Jugosllavisë nuk është finalizuar.

Qeveria gjermane ka reguar lidhur me këto raportime dhe i ka hedhur poshtë këto ide.

“Qeveria gjermane hedh poshtë idenë për ndryshim të kufijve sipas linjave etnike në Ballkanin Perëndimor. Këto ndryshime të kufijve me siguri do të rrisnin jostabilitetin në rajon, duke shkaktuar kriza të reja”, është thënë javën e kaluar në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë nga ministria për Punë të Jashtme e Gjermanisë.

Ministri gjerman për Evropën Michael Roth ka thënë përmes një postimi në Twitter se e konsideron idenë e ndryshimit të kufijve si të “rrezikshme”.

Kalendari

Ngjarjet e datës 7 Maj 2021

- Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu me rastin e përvjetorit të aprovimit të Konventës së Stambollit takohet me mbrojtësit e viktimave. (Pallati i Drejtësisë, ora 9:30)

- Lëvizja FOL organizon tryezë diskutimi me ç’rast publikon raportin “Realizimi i Planit të Punës së KPK-së dhe PSh-së për vitin 2020”. (Hotel Sirius, ora 10:00)
    
- Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione shqyrton Propozim-vendimit e Avokatit të Popullit lidhur me zgjedhjen e 5 zëvendësve të Avokatit të Popullit. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N303, ora 10:00)
    
- Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu me rastin e përvjetorit të aprovimit të Konventës së Stambollit viziton Qendrën për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve. (Strehimorja, Ulpianë, ora 10:45)
    
- KDI mban konferencë për medie ku do të shpalosën të gjeturat e hulumtimit mbi transparencën e komunave të Kosovës në prokurim publik, për vitin 2020. (Zyret e KDI-së, ora 11:00)
    
- Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu me rastin e përvjetorit të aprovimit të Konventës së Stambollit takohet me Njësitin Kundër Dhunës në Familje-Policia e Kosovës. (Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Kosovës, ora 11:45)
    
- Ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, do ta ndajë çmimin “Evropiani i Vitit 2021”, i cili jepet për të gjashtën herë radhazi nga BE-ja. (Shtëpia e Evropës, ora 13:00)