26 Prill 2024

Mediat britanike “të ashpra” me Thaçin dhe Blerin

Londër, 18 dhjetor - Mediat britanike janë mbushur këto ditë me shkrime e komente për Kosovën, duke marrë shkas nga raporti i raportuesit të Këshillit të Evropës, Dik Marti, i cili akuzon kryeministrin Hashim Thaçi si “boss të krimit”.

Raporti i Martit ka bërë që media të shkruara dhe elektronike në Britani të kritikojnë bashkësinë ndërkombëtare, duke përfshirë Britaninë dhe kryeministrin e atëhershëm Toni Bler, për përkrahje të njerëzve të UÇK-së së kryesuar nga Thaçi, dhe përmes tyre, siç thuhet "të një shteti që rrezikon të dalë i dështuar".

Më e ashpra dy ditët e fundit ka qenë gazeta konservatore "The Times" e Londrës. Raporti i Martit ka vënë hije mbi shtetin e ri të Kosovës, komentonte para dy ditësh "The Times", që botonte ndër të tjera një editorial me titull "Shteti i tmerrit". Ndonëse shumë i ashpër, editoriali thekson se Kosova e pavarur është shtet që mund të funksionojë (a viable state).

Gazetari David Charter shkruante dje në gazetën "The Times", se Britania të mërkurën në mbrëmje ka shtuar presionin ndaj Kosovës për të hetuar kryeministrin e saj, i cili në një raport të Këshillit të Evropës akuzohet për udhëheqjen e një perandorie mafioze, e cila është marrë me tregtimin e organeve të njerëzve të zënë robër e të vrarë.

Ministria e Punëve të Jashtme të Britanisë thotë se akuzat që Hashim Thaçi ka mbikëqyrur vrasjen e rivalëve dhe ka "ushtruar kontroll të dhunshëm mbi tregtimin e heroinës", janë shumë serioze për t'u injoruar. Edhe dje, në një artikull me titull: "Britania u bë e verbër ndaj vrasjeve dhe trafikimit me organe", gazeta citon një zëdhënës të paemërtuar të Ministrisë së Jashtme, të ketë thënë se Britania i merr pandehmat "seriozisht", dhe pret që Qeveria e Kosovës t'i hetojë ato.

Shumica e mediave kanë cituar reagimet e Qeverisë së Kosovës, duke përfshirë edhe paraqitjen e kryeministri Thaçi, që e hidhnin poshtë raportin, si skandaloz dhe të pabazë. Janë bërë publike edhe paralajmërimet për paraqitje të padive ndaj Martit dhe gazetës britanike "The Guardian", e cila e botoi e para shkrimin për raportin ende të papublikuar atë ditë të raportuesit Dik Marti.

Ambasadori i Kosovës në Mbretërinë e Bashkuar është intervistuar të mërkurën mbrëma nga BBC, programi botëror, në lajmet qendrore. Ambasadori Muhamet Hamiti ka thënë se raporti është i pambështetur me fakte, i bazuar në thashetheme që nuk janë vërtetuar kurrë. Më tej, ambasadori Hamiti ka kundërshtuar prirjet e vendosjes së një barasvlere morale, siç e ka quajtur ai, në mes të përpjekjes për gjenocid të shtetit të Serbisë, të makinerisë ushtarake të Milloshevicit që sulmoi Kosovën, dhe të luftës për çlirim të popullit të Kosovës nga okupimi.

Në mediat britanike dhe në qarqet e opinionistëve vihen re përpjekje për një lloj revizionizmi, duke vënë në dyshim arsyeshmërinë e ndërhyrjes ndërkombëtare në Kosovë gjatë vitit 1999, si dhe të përkrahjes perëndimore për pavarësimin e Kosovës, për shkak të pandehmave për krime të figurave të UÇK-së që janë vënë në krye të Qeverisë.

Gazeta prestigjioze "The Financial Times" ka qenë më e matur në raportimin e saj. Por, ajo boton sot një shkrim autorial me titull: "Rreziqet e zellit moral në Ballkan", i cili kritikon ish-kryeministrin Bler për thjeshtëzimin e realitetit në përpjekjen e tij për qartësi morale në rastin e intervenimit në Kosovë në vitin 1999.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)