10 Gusht 2022

Marko: Marti ka "mbledhur thashetheme"

Vjenë,27 janar - Raportuesi i ngarkuar i Këshillit të Evropës Dik Marti ka "mbledhur thashetheme" që qarkullojnë prej kohësh, dhe i ka vendosur ato në "axhendën e politikës", thotë eksperti juridik për Ballkanin dhe profesor në Universitetin e Gracit në Austri, Dr. Joseph Marko mbi vendimin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës.

Sipas vlerësimit të tij, "të dhënat e shumta" nuk janë prova në kuptimin juridik. Kjo do të thotë që duhet dalluar shumë qartë mes procedimit politik dhe atij juridik dhe ligjor dhe të bëhet një ndarje mes këtyre të dyjave.

Marko vlerëson se "bëhet fjalë për një dënim para kohe nga pikëpamje politike, pa pasur prova të qarta për këtë".

"Provat janë të dhëna konkrete të dëshmitarëve, deponime e të tjera si këto, por jo thashetheme që dëgjohen nga njerëz të ndryshëm, të cilët nga ana e tyre i kanë dëgjuar po këto fjalë nga njerëz të tjerë para dhjetë vitesh. Kjo nuk konsiderohet provë", theksoi ky ekspert austriak në një intervistë për "Dojçe velen".

Në konstatimin se Tirana zyrtare është e interesuar të hetohen pretendimet dhe të zbardhet njëherë e mirë e vërteta, Marko thotë se Shqipëria mund të bashkëpunojë në këto hetime me autoritetet, para së gjithash me EULEX in, dhe të "zbardhë me të vërtetë nëse ka prova për këtë apo janë thjesht thashetheme".

Se sa e dëmton integrimin evropian dhe njohjen e pavarësisë së Kosovës miratimi i raportit nga Asambleja e Këshillit të Evropës, Marko pohon se kjo e "dëmton Kosovën edhe në drejtim të negociatave për anëtarësim që zhvillohen në plan afatgjatë".

"Por jam i sigurtë që BE në këtë moment nuk ka interes që Kosova nën një qeveri të Hashim Thaçit, të bëjë hapa të tjerë, pra kur të gjitha akuzat nuk janë sqaruar. Sa kohë nuk janë sqaruar akuzat, edhe dëmi politik që del prej kësaj është jashtëzakonisht i madh", tha mes tjerash në këtë intervistë eksperti juridik austriak Dr. Jozef Marko.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 10 gusht 2022

- Mbahet mbledhja e Qeverisë së Kosovës. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 10:00) 

- Agjencia Kosovare e Privatizimit mban ceremoninë e hapjes së ofertave të shitjeve përmes Likuidimit SHAL 57. (Hoteli Grand, ora 12:30)