16 Prill 2024

Maqedonia rrezikon t'i anulohet liberalizimi i vizave

Shkup, 28 shkurt - Burime nga Brukseli pohojnë për “Lajm” se janë duke e rishqyrtuar çështjen e liberalizimit të vizave. “E gjithë kjo është në kundërshtim me udhërrëfyesin e liberalizimit të vizave, rregullave mbi të cilat është fituar liberalizimi i vizave.Nëse vazhdon me këtë mënyrë mund të vihet në pikëpyetje edhe funksionimi i mëtejshëm i liberalizimit të vizave”, tha ky burim diplomatik.

Për momentin vetëm në Belgjikë ka mbi pesë mijë shqiptarë, kryesisht nga Kumanova dhe Likova. Sekretari shtetëror i Ministrisë së Punëve të Jashtme (MPJ) të Maqedonisë, Abdyklkadir Memeti thotë për “Lajm” se gjendja është jashtëzakonisht serioze dhe alarmante, konkretisht në Belgjikë, por kemi raste edhe në shtetet e tjera evropiane.

 “Sipas të dhënave të autoriteteve belge, në Belgjikë për momentin ka mbi 5 mijë shqiptarë, kryesisht nga rajoni i Kumanovës dhe Likovës, (80 për qind), të cilët fatkeqësisht kanë mbet edhe rrugëve”, thotë Memeti.

 Ai sqaron se një pjesë që kanë shkuar më herët dhe kanë aplikuar për azil janë të vendosur nëpër qendra dhe strehimore, të cilat janë të mbushura plot e përplot, disa kanë shkuar nëpër familje, ka disa që shkojnë nëpër klube, nëpër xhami, nëpër restorante të shqiptarëve, por ka dhe shumë nga ato që kanë mbetur rrugëve.

“Një gjë është e qartë se ky është manipulim klasik me popullatën dhe me shpresat e tyre për një jetë më të mirë. Nuk dua ti komentoj shkaqet se përse bëhet ky manipulim me shqiptarët dhe kryesisht me atë rajon, (janë shkaqe biznesi apo janë shkaqe me prapavija të tjera), por një gjë është më se e qartë, se asnjë qytetar i Maqedonisë nuk do të mund të marrë asnjë lloj azili, në asnjë shtet anëtare të Unionit Evropian”, thekson sekretari i MPJ-së. Memeti thotë se fatkeqësia e tyre është se janë harxhuar, kanë shitur pasuritë e tyre, qoftë të tundshme apo të patundshme, kanë marrë familjet, janë munduar deri atje. Autoritetet belge tashme i kanë ndryshuar edhe procedurat e azilit.

“Ka qëndrim të prerë nga autoritetet belge. Për dallim prej asaj se procedura për përgjigje për azil shkon nga një muaj deri më dy, përgjigjet tani do të jepen shumë më shpejt, në mënyrë kolektive dhe të gjitha do të jenë negative. Të gjithë ata që do të kapen me qëndrim të paligjshëm, mbi tre muaj qëndrim, do të depërtohen që atje dhe do të ballafaqohen edhe me dënime, gjoba si dhe do tu vulosen pasaportat, ku do tu ndalohet hyrja për në shtetet e shengenit, minimum tre vjet, ose edhe përgjithmonë”, sqaron Memeti, duke shtuar se së pari duhet të ndalojmë fluksin e ikjeve e më pas të marrim masa të tjera.

Ky fluks i shpërnguljeve ndikon negativisht në imazhin e Maqedonisë, dhe në imazhin e vetë shqiptarëve të cilët janë 100 për qind për integrimin e Maqedonisë në Bashkimin Evropian dhe në NATO.

BDK: Boshti Beograd- Shkup-Athinë, shkaktarë i shpërnguljeve

Bashkimi Demokratik Kombëtarë (BDK), mendon se në shpërnguljen e shqiptarëve kanë gisht qendrat e caktuara antishqiptare Beograd- Shkup-Athinë. “Ky bosht i politikës sllavo-ortodokse në periudha të caktuara antishqiptarizmin e vet e ka shprehur me metodat më të dhunshme dhe më ç’njerëzore, me synim pastrimin e shumë trojeve etnike shqiptare. Ndërsa tani kjo po bëhet nëpërmjet emisarëve dhe matrapazëve të ndryshëm të cilët, nga këto qendra kanë marr mision, për pastrimin në heshtje të këtij rajoni nga shqiptarët, ashtu siç ndodhi edhe pas luftërave Ballkanike dhe dy Luftërave Botërore, kur shqiptarët u detyruan të shpërngulen drejt lindjes, ndërsa tani shpërngulja po bëhet drejtë perëndimit”.

BDK-ja kërkon nga politika zyrtare e Maqedonisë që të ndal këto emisarë e matrapaz dhe të heq dorë nga synimet për shpërnguljeje kolektive të shqiptarëve nga rajoni i Kumanovës dhe Likovës, synim të cilin nuk arriti ta realizojë as në konfliktin e vitit 2001.

PPD: Fajtore është BDI-ja

Sipas Partisë për Prosperitet Demokratik (PPD) eksodi gjithnjë më i shprehur i rinisë shqiptare drejtë vendeve të Unionit Evropian, pas liberalizimit të vizave, nuk është pasojë e manipulimeve të agjencioneve për udhëtim, por eksodi i rinisë shqiptare drejtë shteteve të Evropës, është pasojë e manipulimeve të funksionarëve qeveritar nga radhët e BDI-së, të cilët vite me radhë i mashtrojnë votuesit e vet dhe gjithë qytetarët shqiptar në Maqedoni për një mirëqenie më të mirë politike dhe ekonomike.

“Me vet faktin se vetëm shqiptarët e jo edhe maqedonasit, kërkojnë strehim në këto shtete për ta siguruar gjendjen ekonomike të familjeve të veta, është edhe një dëshmi se kjo qeveri përveç diskriminimit dhe dhunës politike ushtron edhe diskriminim dhe dhunë ekonomike vetëm ndaj shqiptarëve”, thuhet në reagimin e PPD-së.

/Lajm/

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)