26 Prill 2024

Kukan: Raporti i Martit s'ka prodhuar efekt në dëm të Kosovës

Strasburg, 19 janar - Ushtruesi i Detyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, i cili po qëndron për një vizitë në Strasburg të Francës, u takua sot me Eduard Kukan, kryetar i Delegacionit të Parlamentit Evropian për marrëdhënie me Ballkanin Perëndimor.

Zgjedhjet e fundit në vendin tonë, krijimi i institucioneve të reja të Republikës së Kosovës, raporti i reporterit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Dick Marty, dialogu i paralajmëruar me Serbinë dhe çështje të tjera ishin temë diskutimi në këtë takim.

Në takimin e gjatë dhe miqësor, Krasniqi e njoftoi Kukan me zhvillimet më të fundit në Kosovë, veçmas me procesin e zgjedhjeve të përgjithshme, si dhe zhvillimit pas publikimit të raportit të Dick Martit.

Duke folur rreth raportit të Dick Marty, Krasniqi theksoi edhe një herë se ky raport është një riciklim i një hetimi që është bërë më herët nga Tribunali Ndërkombëtar i Hagës në vitin 2004, një raport i pa bazuar në fakte.

Ai përsëriti se institucionet e Kosovës, por edhe ato të Shqipërisë, janë të gatshme të ofrojnë të gjitha mundësitë që të bëhet një hetim i mirëfilltë i gjithanshëm, në mënyrë që kjo çështje të mbyllet..

Krasniqi gjithashtu kërkoi që në takimin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, që do të mbahet më 25 janar dhe në të cilin do të diskutohet ky raport, në rast se rezoluta kalon, të futet çështja e hetimit të mirëfilltë dhe t’i kërkohet Dick Marty që dëshmitë që i ka t’ia dorëzojë EULEX-it, në mënyrë që të bëjë hetimet.

Ai tha se raporti i Dick Martit tenton të njollosë luftën e shenjtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, qëllimi i së cilës ka qenë çlirimi i vendit e jo ato që i thotë Dick Marti në raportin e tij.

Sa i përket dialogut me Serbinë, U.D. i Presidentit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi tha se Kosova dhe institucionet e saj kanë qenë të gatshme për të hyrë në dialog me Serbinë edhe më herët, dhe shtoi se sa më parë që të krijohet institucionet e reja, Kosova do të jetë e gatshme për dialog me Serbinë.

Nga ana e tij, Eduard Kukan, kryetar i Delegacionit të Parlamentit Evropian për marrëdhënie me Ballkanin Perëndimor, tha se raporti i Dick Martit nuk ka prodhuar ndonjë efekt të cilin dikush mund ta përdorë në dëm të Kosovës.

Ai tha se ky raport duhet të shihet me maturi, me kujdes, në mënyrë që të mos ngrihen tensionet.

Duke folur për zgjedhjet e fundit në vendin tonë, Kukan tha se Kosova nuk duhet të përsërisë problemet e zgjedhjeve që ndodhën në këtë vit, sepse ato mund ta dëmtojnë imazhin e Kosovës në skenën ndërkombëtare.

Ai tha gjithashtu se reforma e sistemit zgjedhor do të jetë e domosdoshme për zgjedhjet e ardhshme.

Njëkohësisht, z.Kukan përsëriti se krijimi sa më parë i institucioneve të reja të Kosovës do të jetë shumë i dobishëm për vetë Kosovën dhe për perspektivën e saj evropiane.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)