19 Janar 2022

Kosova po hyn optimiste në vitin 2022

Bruksel, 7 dhjetor - Sot në Bruksel u mbajt takimi i katërt i Këshillit të Stabilizim-Asociimit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

Ky takim është moment i rëndësishëm në zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, veçanërisht në funksion të nisjes së fazës së dytë të zbatimit të prioriteteve politike në kuadër të Agjendës së Reformës Evropiane (ERA), tha Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti në takimin e katërt të Këshillit të Stabilizim Asociimit ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Republikës së Kosovës.

Kryeministri tha se Qeveria tashmë ka miratuar planin e ri të Agjendës së Reformës Evropiane ERA II me prioritete që vijnë nga MSA, për të cilin jemi zotuar ta zbatojmë me prioritet të lartë.

Ai theksoi përkushtimin për të ecur sa më shpejtë që është e mundur në rrugën e integrimit, ndërsa tha se Bashkimi Evropian është e ardhmja e vendit, për të cilën nuk shohim alternative tjetër.

Ne besojmë se kushtet e BE-së duhet të jenë të drejta dhe të lidhura me progresin aktual dhe të na motivojnë të gjithëve që ta afrojmë rrugën e Kosovës drejt BE-së, tha kryeministri Kurti.

Ai theksoi rëndësinë që ka mirëmbajtja e besimit të qytetarëve të Kosovës, duke dëshmuar përfitimet e të qenit pjesë e BE-së me veprime konkrete, që do të duhej të fillonte nga liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës. Besimi është shumë i nevojshëm në çdo vend që dëshiron të nisë rrugëtimin e vështirë të anëtarësimit në BE, shtoi kryeministri.

Duke përmendur stabilitetin institucional në vend, si rezultat i zgjedhjeve të 14 shkurtit, reformat e nisura në drejtësi, luftën kundër krimit dhe rritjen ekonomike të shënuar gjatë këtij viti, Kryeministri Kurti tha se Kosova po hyn optimiste në vitin 2022.

Para përfaqësuesve të Bashkimit Evropian, Përfaqësuesit të Lartë të saj për Politikë të Jashtme dhe Çështje të Sigurisë, Josep Borrell dhe Komisionerin për Zgjerim dhe Fqinjësi, Oliver Varhelyi, u prezantuan arritjet dhe planet e Qeverisë së Republikës së Kosovës në zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit.

Diskutimet e takimit u fokusuan mbi marrëdhëniet bilaterale ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian në kontekstin e marrëveshjes kontraktuale të Stabilizim-Asociimit, si pjesë e procesit të integrimit të Republikës në Kosovës në Bashkimin Evropian.

Në këtë mbledhje, Kosova u përfaqësua nga zëvendëskryeministri i parë, Besnik Bislimi, zëvendëskryeministrja e dytë dhe njëherësh ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu dhe zëvendësministrja e Drejtësisë, Nita Shala.

 

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 19 janar 2022

- Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit shqyrton Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Shitjen e Banesave për të cilat ekziston e Drejta Banesore, shqyrton raportin e grupit punues në lidhje me zbatimin e mbikëqyrjes së Ligjit për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve, etj. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N303, ora 10:00)

- Instituti i Kosovës për Drejtësi me përkrahje të Departamentit të Shtetit Amerikan - Byrosë Ndërkombëtare për Çështje të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit dhe NED-it mban konferencë për media në të cilën do të prezantohet analiza me titull “Konfiskimi i pasurisë së pajustifikueshme: problemet juridike të Projektligjit aktual”. (Hotel Sirius, ora 10:00)

- Komisioni për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale shqyrton draft raportin e monitorimit të Ligjit për Shëndetin Mendor dhe diskuton për punën e Këshillit për Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm. . (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 10:00)

- Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike inicon procedurat lidhur me auditimin e raporteve vjetore financiare dhe raportet e deklarimit financiar të fushatës, së subjekteve politike, për vitin 2021. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 10:00)
 
- Lëvizja FOL vazhdon serinë e debateve FOL Hapur me Ministren e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari. (Hotel Sirius, ora 11:00)

- The British School of Kosova organizon shfaqjen edukativo - arsimore për fëmije  "Mushkonjat dhe Princi". (Teatri "Faruk Begolli" në Kolegjin AAB, ora 11:00)

- Administrata Tatimore e Kosovës mban ceremoninë e themelimit të 22 vjetorit të saj në të cilën do të marrin pjesë Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve Hekuran Murati dhe drejtues nga odata ekonomike, përfaqësues nga institucionet ndërkombëtarë, si dhe përfaqësues nga organizatat e kontabilitetit. (Qendra e Shërbimit për Tatimpagues, ish-ndërtesa e Gërmisë, sheshi Skënderbeu, ora 14:00)

- Në kuadër të manifiestimit 'Flaka e Janarit' hapet ekspozitë memoaresh e kujtimesh "Dhoma e Kadriut, Jusufit dhe Bardhoshit". (Muzeu Etnologjik i qyteti të Gjilanit, ora 16:00)

- Partia Socialdemokrate do të mbaj tubim me qytetarë ku do të shpaloset Manifesti - dokumenti i parë i partisë. (Hotel Grand, ora 17:00)