26 Prill 2024

Kosova do të bëjë gjithçka për forcim të subjektivitetit ndërkombëtar

Riad, 10 tetor - Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, znj. Donika Gërvalla, gjatë vizitës së saj zyrtare në Riad, sot ka zhvilluar një bashkëbisedim edhe me diplomatë, në kuadër të Institutit për Studime Diplomatike Princ Saud Al Faisal të Arabisë Saudite.

Gjatë fjalës së saj, ministrja Gërvalla ka shpjeguar para diplomatëve sauditë zhvillimin dhe perspektivën e Republikës së Kosovës, duke u ndalur gjerësisht në trashëgiminë dhe vlerat që e karakterizojnë shtetin më të ri evropian si një nga kulturat më të vjetra në Evropë.

“Ne jemi një vend me shumicë myslimane, por jemi krenarë për traditën tonë shekullore dhe trashëgiminë e tolerancës fetare dhe respektit fetar midis besimeve të ndryshme në vend”.

“Jemi duke bërë përpjekje që të anëtarësohemi në Bashkimin Evropian dhe konsiderojmë se Bashkimi Evropian nuk është i plotë pa këtë pjesë të Evropës”, ka plotësuar ajo.

Teksa ka shpjeguar aspiratat, por edhe angazhimin konkret të Kosovës për të qenë pjesë e familjes evropiane, ka thënë se Kosova ka synim edhe anëtarësimin në NATO.

Gërvalla ka theksuar kontributin simbolik të Kosovës përmes trupave të saj të udhëhequr nga ShBA-të, kundër grupeve terroriste në Irak.

“Të dy vendet tona janë anëtare të koalicionit global kundër Daesh. Pra ne jemi partnerë në parandalimin dhe luftimin e terrorizmit si një kërcënim për botën dhe vendet tona”, ka shtuar Gërvalla.

Kosova ka thënë se është vendi që shfaq mbështetjen më të fuqishme ndaj BE-së dhe NATO-s, si dy shtylla të paqes dhe stabilitetit në Evropë dhe më gjerë.

Kryediplomatja e Kosovës ka nënvizuar se Kosova do të bëjë të gjithë atë që është e mundur, pa u dorëzuar asnjëherë, deri në arritjen e të gjitha objektivave që përfshijnë edhe anëtarësimin e shtetit në këto organizata dhe në shumë të tjera, duke përfshirë edhe Kombet e Bashkuara.

Tutje është diskutuar lidhur me marrëdhëniet ndërkombëtare dhe politikat globale. Gërvalla ka thënë se dinamikat e sotme kanë krijuar një botë e cila është më e ndërvarur se kurrë më parë. Pavarësisht nga madhësia e shteteve, veprimet e caktuara ka thënë se mund t’i prekin vendet përreth apo edhe pjesët e tjera të botës.

 Andaj, sipas Gërvallës, nevoja për të komunikuar dhe shkëmbyer eksperiencat është më e nevojshme se kurrë më parë.

“Ne duhet të gjejmë përgjigje parimore dhe të qëndrueshme për sfidat e reja. Ne duhet të gjejmë përgjigje inteligjente dhe për këtë kemi nevojë për bashkëpunim”.

“Është e qartë se ne po jetojmë në një periudhë ndryshimi të jashtëzakonshëm si në aspektin ekonomik ashtu edhe në atë politik e ushtarak”, ka plotësuar ajo.

Më tej, ministrja Gërvalla i është përgjigjur interesimit të madh të diplomatëve saudit rreth temave që lidhen me marrëdhëniet ndërkombëtare, diplomacinë ekonomike, angazhimin e Kosovës në rrugën e saj drejt integrimit euro-atlantik, çështjet rajonale dhe fqinjësore.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)