19 Prill 2024

Jordania mbështetë procesin e njohjeve për Kosovën

Amman, 15 qershor – Në ditën e parë të vizitës zyrtare në Mbretërinë e Jordanisë, Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, është takuar me homologun jordanez Nasser Judeh dhe me Ministrin e Arsimit të Lartë dhe Shkencës në Jordani, Prof. Dr. Wajih M. Owais.

Ministri i Jashtëm jordanez, Nasser Judeh, ka siguruar Ministrin Hoxhaj se Jordania do ta mbështesë Kosovën në çdo fushë.

Pikë së pari, sipas tij, diplomacia jordaneze do të angazhohet edhe më tutje në promovimin e shtetësisë së Kosovës në atë pjesë të botës, duke pasur parasysh se Jordania  ka një ndikim shumë të fuqishëm në shtetet që e rrethojnë , disa prej të cilave ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Ministri i Jashtëm jordanez ka thënë se Mbretëria e Jordanisë do të shtrijë ndikimin tek shtetet që ende nuk e kanë njohur Kosovën, për të avancuar qëndrimet e tyre dhe për të marrë sa më parë një vendim të tillë.

Nasser Judeh është interesuar edhe për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit të Jordanisë me Kosovën në fushën e ekonomisë, arsimit, shkencës dhe teknologjisë.

Në anën tjetër, Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj, e ka informuar Ministrin e Jashtëm jordanez, Nasser Judeh, për progresin sistematik që po shënohet në Kosovë.

Hoxhaj e ka informuar homologun në Amman edhe për proceset e rëndësisë së veçantë të cilat po ecin përpara në Kosovë, e veçanërisht proceset që kanë të bëjnë me shtetndërtimin e brendshëm, forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës, anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare dhe avancimin e shpejtë të proceseve integruese në strukturat euroatlantike.

Dy ministrat janë dakorduar që të punohet një plan i veprimit mes dy shteteve dhe të nënshkruhen disa marrëveshje të bashkëpunimit mes institucioneve të dy vendeve tona.

Po ashtu, gjatë takimit është biseduar edhe për vizitën që gjatë këtij viti pritet të zhvillojë në Mbretërinë e Jordanisë, Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, bashkë me disa ministra dhe përfaqësues të bizneseve kosovare.

Të mërkurën në Amman, Ministri Hoxhaj ka zhvilluar një takim të frytshëm edhe me Ministrin e Arsimit të Lartë dhe Shkencës në Mbretërinë e Jordanisë, Prof. Dr. Wajih M. Owais.

Ministri Owais ka shprehur gatishmërinë e dikasterit që ai mbulon në Qeverinë jordaneze për nënshkrimin e disa marrëveshjeve në fushën e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, duke ditur që Jordania ka ndër sistemet më të zhvilluara të arsimit në Lindjen e Mesme, por edhe më gjerë.

Këto marrëveshje, do të mundësojnë shkëmbim të studentëve, lidhje më të mira në mes të 40 universiteteve të Jordanisë dhe atyre të Kosovës dhe bashkëpunim në aspektin e akreditimit dhe atë të teknologjisë mes dy shteteve.

Ministri Hoxhaj ka shprehur falënderimet e institucioneve të Kosovës për gatishmërinë e gjithanshme të Mbretërisë jordaneze për të ndihmuar Kosovën, me theks të veçantë në avancimin e arsimit, shkencës dhe teknologjisë, si prioritete shumë të rëndësishme të Qeverisë së Kosovës.

Ministri Hoxhaj ka shprehur gatishmërinë e Kosovës për forcimin e shkëmbimeve dhe bashkëpunimit të gjithanshëm me Jordaninë në këto drejtime, bashkëpunim i cili, sipas Hoxhajt, do të kishte impakte të drejtpërdrejta në avancimin e mëtejshëm të sistemit arsimor, shkencës dhe teknologjisë kosovare.

Ministri Hoxhaj gjatë ditës ka takuar edhe shumë personalitete të shteteve që ende nuk e kanë njohur Republikën e Kosovës, të akredituar në Jordani.

Këto takime pritet të kenë efekte të rëndësishme në avancimin e procesit të njohjes së Kosovës, nga shtetet anëtare të OKB-së.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)