26 Prill 2024

Hoxhaj: Pajtimi nuk mund të ndodhë duke manipuluar të kaluarën

Sarajevë, 13 qershor -  Me ftesë të Qendrës për Marrëdhënie Transatlantike të Universitetit Hopkins (SAIS) dhe Fondacionit Amerikë – Bosnje, Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj po merr pjesë në konferencën treditëshe në Sarajevë me temën “Ballkani Perëndimor: Përparim, Stagnim apo Regres”.

Para shumë përfaqësuesve të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare në Sarajevë, politikanëve, përfaqësuesve të shoqërisë civile, analistëve dhe medieve, Ministri Hoxhaj ka folur në një panel të përbërë edhe nga Ministri i Punëve të Jashtëm i Bosnjës dhe Hercegovinës, Sven Alkalaj, Kryeministri i Malit të Zi, Igor Likšić, Erhard Busek, derisa panelin e ka moderuar Daniel Server.

Duke folur për temën “Ripajtimi dhe bashkëpunimi Rajonal”, Ministri Hoxhaj ka thënë se nuk mund të ketë pajtim në Ballkan duke manipuluar të kaluarën, për ta pasur më të lehtë të tashmen dhe të ardhmen.

Ministri Hoxhaj ka thënë se pajtimi është i domosdoshëm dhe i pashmangshëm në Ballkan. Pajtimi i duhet Ballkanit sot dhe në të ardhmen, por shtetet e Ballkanit nuk duhet të bëhen pjesë e pajtimit, duke mohuar të kaluarën.

Gjatë fjalimit të tij, Ministri Hoxhaj ka theksuar se pajtimi nuk duhet të jetë aty vetëm për t’u dukur mirë. Pajtimi madje nuk mund të jetë i plotë, nëse është vetëm i imponuar nga jashtë, si një kusht shtesë, diçka si kriter plus i Kopenhagës për të na pranuar në Evropën e Bashkuar dhe vlerat e saj që i synojmë.

“Ne fakt, për një pajtim përveçse duhet parë qartazi të ardhmen, kjo nuk nënkupton ta bëjmë këtë duke e zbehur të kaluarën. E kaluara që ka qenë e hidhur, për të gjithë ne duhet të jetë një hapësirë mësimi dhe jo manipulimi”, ka shtuar Ministri Hoxhaj.

Pajtimi duhet të ndodhë si admirim human ndaj viktimave, në rrugë dhe mbi parime Evropiane.

“Këtë duhet ta bëjmë edhe për hir të shumë njerëzve që kanë humbur jetën dhe familjarët e tyre. Por, ka përpjekje që këto viktima të paraqiten në të njëjtën mënyrë si përgjegjësit e luftërave dhe dhunës së tmerrshme. Nëse ne e kemi këtë doktrinë dhe promovojmë politika të cilat si qëllim kanë minimizimin e krimeve dhe mos marrjen e përgjegjësisë, kjo nuk do të jetë fryma dhe mjedisi më i mirë për të ardhmen dhe për pajtimin. Pajtimi nuk mund të ndodhë duke rishkruar historinë dhe manipuluar të kaluarën. Vlerat e pajtimit nuk duhet të ndërtohen mbi mohimin, bilancin e fajeve, por në forcën për të pranuar dhe falur”, ka thënë Hoxhaj.

Ndërkohë, gjatë ditës së nesërme, Ministri Hoxhaj do të ketë një takim me Ndihmës Sekretarin e shtetit Amerikan për Evropë dhe Euroazi, Philip Gordon, i cili pritet të mbajë një fjalim në këtë konferencë.

Ministri Hoxhaj do të ketë takime edhe me përfaqësues të lartë të Bosnjës dhe Hercegovinës.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)