27 Nëntor 2022

Hill: SHBA pret sqarime nga Serbia për ujdinë me Rusinë

Prishtinë, 26 shtator - Ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill tha të hënën se Shtetet e Bashkuara duan “sqarim nga Serbia se çfarë ka nënshkruar me Rusinë në Nju Jork”, duke nënvizuar se në këtë periudhë “askush nuk do të duhej të nënshkruante asgjë me Rusinë”.

Të premten ministri i Jashtëm serb Nikola Selakoviç nënshkroi marrëveshjen për "konsultime" të ndërsjella mbi çështjet e politikës së jashtme me ministrin e jashtëm rus Sergey Lavrov në margjinat e punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, ku shumica e delegacioneve perëndimore shmangën kryediplomatin rus për shkak të agresionit të Rusisë në Ukrainë.

Njoftimi nxiti kritika të ashpra të një pjese të opozitës në Serbi por edhe të disa politikanëve të Bashkimit Evropian. Ministri serb Selakoviç u përpoq të dielën të ulë rëndësinë e marrëveshjes duke thksuar se ajo është "teknike" dhe nuk lidhet me çështjet e sigurisë.

Ambasadori Hill tha të hënën se në këtë periudhë askush nuk do të duhej të nënshkruante asgjë me Rusinë dhe “pak veta e bëjnë një gjë të tillë, përveç atyre rekrutëve të mjerë që mobilizohen për t’u dërguar në luftë”.

Ambasadori Hill tha se gjatë punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Shtetet e Bashkuara zhvilluan “bisedime të frytshme” me delegacionin e Serbisë për çështje globale por edhe çështje tjera.

"Vetëm më pas dëgjuam për atë dokument”, tha ambasadori Hill, duke theksuar se “Shtetet e Bashkuara duan sqarim nga Serbia”.

"Duam të dëgjojmë se çfarë dëshiron të bëjë Serbia në të ardhmen dhe të shohim se çfarë marrëdhëniesh do të zhvillojë me një vend që sulmoi brutalisht fqinjin e tij dhe madje shfrytëzon kërcënimet për të përdorur forcën bërthamore. Ne duam të kuptojmë se në çfarë mbështetet bashkëpunimi midis Serbisë dhe Rusisë”, tha ambasadori Hill.

BE-ja e shqetësuar më thellimin e marrëdhënieve Serbi – Rusi

Shefi i delegacionit të Bashkimit Evropian në Beograd, Emanuele Giaufret, tha se nuk është koha për forcimin e lidhjeve me Rusinë dhe i bëri thirje Serbisë të harmonizojë politikën e saj të Jashtme me bllokun të cilit aspiron t’i bashkohet.

“Nuk guxojmë të harrojmë se Rsuia po kryen agresion kundër Ukrainës tash e shtatë muaj dhe po e forcon fushatën duke mobilizuar 300 mijë njerëz, duke organizuar referendume të paligjshme për shkëputjen e pjesëve të Ukrainës dhe po kërcënohet me armë të shkatërrimit në masë”, tha ai duke nënvizuar se “kjo nuk është koha për forcimin e lidhjeve me Rusinë dhe ajo marrëveshje e nënshkruar dërgon mesazh tërësisht të kundërt pavarësisht asaj që ka thënë Serbia se nuk do të njohje referendumet e organizuara nga Rusia”.

Ndonëse pohon se e mbështet tërësinë tokësore të Ukrainës, Serbia ka refuzuar vazhdimisht t'u bashkohet sanksioneve perëndimore kundër Moskës. Përafrimi i politikave të jashtme me Bashkimin Evropian është një nga parakushtet kryesore për t'u anëtarësuar në bllokun 27-vendesh, por Serbia i ka kundërshtuar vazhdimisht thirrjet për ta bërë një gjë të tillë.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 27 nëntor 2022

- Në shënim të 110-vjetorit të Pavarësisë Shqipërisë do të mbahet mbledhje e përbashkët e Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe Kuvendit të Republikës së Shqipërisë. (Kuvendi i Shqipërisë në Tiranë, ora 10:00)

- Me rastin e Ditës së Forcës, Ministria e Mbrojtjes dhe Forca e Sigurisë së Kosovës organizojnë “Ditën e Hapur’’ në të cilën do të marrin pjesë edhe udhëheqësit më të lartë shtetërorë, si dhe përfaqësuesit ushtarakë e diplomatikë të vendeve partnere. (Kazerma “Adem Jashari”, ora 12:00)