28 Mars 2024

Gylen shembull për dialogun ndërfetarë

Prishtinë, 31 mars - Fetullah Gylen i lindur në Erzurum të Turqisë më 1941 një poet, autor librash dhe njëri ndër mendimtarët më të shquar të kësaj decenie, në librat e tij dhe në fjalimet e tij, gjithmonë ka dhënë shembuj për domosdoshmërinë e dialogut ndërfetarë dhe harmonisë ndërmjet njerëzve dhe religjioneve të ndryshme.

Gylen si një mësues i dashur dhe me urtësinë e tij, gjithmonë e vendos në rend të parë dialogun, që e konsideron si një element kyç për qetësimin e njerëzve.

Në librat e pacifistit Gylen, fjalën dashuri e gjen me mijëra herë, sepse sipas tij, dashuria shëron njerëzit, afron civilizimet, largon xhelozinë, nxit mirëkuptim dhe tolerancë.

Dashuria zë vend të veçantë në filozofin e Gylenit. Ai i nxit njerëzit që të kenë dashuri dhe të mbjellin dashuri në zemrat e tyre.

Një kapitull në librin “Dashuri dhe Tolerancë”, Gyleni e përshkruan lidhjen e dashurisë në mes atyre që ka krijuar Zoti.

“Është shenjë e dashurisë pamja e diellit. Uji avullon, ngjitet lart drejt lindjes së këtyre shenjave dhe pasi është kondensuar në lartësi të mëdha, bulëzat bien me plot gaz mbi tokën në krahët e dashurisë. Atëherë, mijëra lule çelin përmes dashurisë duke dhuruar buzëqeshje rreth tyre. Pikat e vesës lënë shkëlqimin të mbushur plot me dashuri dhe vezullojnë me dëfrim. Delet dhe qengjat blegërijnë dhe lodrojnë përreth me dashuri, zogjtë cicërojnë me dashuri dhe në rëfren për dashurinë”.

Gylen madje është njëri ndër dijetar Islam modernistë që i pari ka dënuar sulmin ndaj Kullave Binjake në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në mesazhin e tij për këtë sulm Gylen thotë: Unë dua të bëj të qartë që çdo aktivitet terrorist, nuk ka rëndësi nga kush është ndërmarrë ose për çfarë qëllimi, është një goditje e rëndë për paqen, demokracinë dhe njerëzimin.

Për këtë arsye, asnjë njeri- dhe, sigurisht, asnjë mysliman- nuk mund të aprovojë aktivitetin terrorist. Terrori nuk është pjesë e kërkimit të arritjes të pavarësisë apo shpëtimit.

Ai merr jetë njerëzish të pafajshëm... Ju lutem, më lini t’ju sigurojë që Islami nuk e pranon terrorizmin në asnjë formë.

Ky është një mesazh i fuqishëm që demanton të gjithë ata që i konsiderojnë myslimanët si terroristë apo prishës të paqes botërore, gjithashtu Gylen është kundër që religjioni të përzihet me politikë apo të keqpërdoret për qëllime politike.

Pikërisht Gyleni është njëri ndër njerëzit që më së shpeshti krijon dhe hap debate për paqen ndërfetare.

Në Tiranë u organizua një debat i madh që ligjëruan shumë akademik nga të gjitha vendet e botës duke marrë si shembull filozofin e Gylenit për dialogun ndërfetarë, por edhe harmoninë ndërmjet religjioneve në Shqipëri si shembull për rajonin.

Përkundër që Gylen nuk ishte prezent, ai kishte shkruar një fjalim enkas për këtë debat, duke shprehur mirësinë për pjesëmarrjen e shumë mendjeve akademike dhe interesimit të njerëzve për të debatuar.

Ligjëruesit u fokusuan në Lëvizjen Gylen dhe rolin e saj në fushën e arsimit, shkencës, dijes, paqes.

“Lëvizja Gylen është një lëvizje ndërkombëtare e cila i është përkushtuar promovimit të paqes botërore nëpërmjet dialogut dhe arsimimit. Kjo lëvizje e ka origjinën e saj në idetë dhe shkrimet e dijetarit turk, Fethullah Gylen. Lëvizja bazohet në vlerat e islamit, të cilat përbëjnë themelet e lëvizjes”, tha Mark Owen Webb ligjërues në Universitetin e Teksasit dhe njohës i lëvizjes Gylen.

Ndërkaq sociologu i njohur nga Universiteti i Prishtinës Ibrahim Berisha tha se gjithmonë në vendet që nuk ka debat dhe demokraci, ndodhin edhe vrasje dhe probleme.

Ai mori shembull dy diktator që rridhnin nga e njëjta shkollë e keqe, njëri i së shkuarës, Sllobodan Millosheviq, i shkolluar në ish- Jugosllavi që vrau mijëra mysliman, dhe tjetri i tashmes, që tërë bota është kundër tij, Muhamer Gadaf, që po ashtu i shkolluar në ish- Jugosllavi dhe që po vret popullin e tij, shumicë myslimane.

“Të dy këta diktator rrjedhin nga një shkollë e keqe që asnjëherë nuk i kanë trajtuar problemet me debat dhe me mirësjellje, por gjithmonë me luftë. Por që të dytë përfunduan keq për arsye se nuk e respektuan dialogun”, vlerësoi Berisha.

“Eshtë shumë e qëlluar mbajtja e kësaj konference në Tiranë duke pas parasysh koherencën e shkëlqyeshme ndërmjet tri besimeve  fetare që kanë shqiptarët, si një vlerë dhe shembull për rajonin dhe më gjerë”.

“Idetë e Gylenit për tolerancë dhe dialog në kontekstin e projektit të tij unik, për ngritjen e një qytetërimi botërorë  harmonik, përbëjnë shenjën më të qartë të këtij intelektuale e njerëzore. Mbarështrimi i këtyre ideve në ligjërata e tekste të shumta si dhe aktiviteti i Lëvizjes së tij anekënd botës, e ka bërë këtë personalitet një simbol të dialogut, tolerancës dhe mirëkuptimit në përmasa botërore”, tha Milazim Krasniqi profesor në Universitetin e Prishtinës dhe njohës i Islamit. 

Lëvizja Gylen përbën një rrjet mjaftë të gjerë dhe ndërveprues të shkollave autonome, universiteteve, OJQ-ve, medieve të shtypit për të përhapur dialogun dhe dijen nëpër vende të botës.

Lëvizja Gylen beson se mënyra më e mirë për të shkuar drejt një shoqërie më të shëndosh është nëpërmjet zhvillimit personal të individëve përmes edukimit dhe përmes dhënies së shembujve pozitivë.
 

Elhami Ismajli 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)