25 Prill 2024

Gordon: SHBA do të vazhdojnë ndihmën e pakursyer për Kosovën

Sarajevë, 14 qershor - Në ditën e dytë të vizitës në Bosnje dhe Hercegovinë, Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, ka takuar Ndihmës Sekretarin Amerikan të Shtetit për Evropë dhe Euroazi, Philip Gordon.

Ministri Hoxhaj ka falënderuar zyrtarin e lartë amerikan për kontributin e jashtëzakonshëm që administrata amerikane po jep për konsolidimin e shtetësisë së Kosovës dhe forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të saj.

Hoxhaj dhe Gordon kanë diskutuar për proceset e veçanta ndërkombëtare rreth Kosovës, dhe ndihmën e gjithanshme që SHBA-të po japin në drejtim të përmbylljes së suksesshme të tyre, duke filluar që nga procesi i njohjeve, anëtarësimi në organizatat ndërkombëtare, por edhe proceset integruese të Kosovës në strukturat euroatlantike.

Gordon ka siguruar Ministrin Hoxhaj se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vazhdojnë ndihmën e pakursyer për popullin e Kosovës.

“Kosova është shtet stabil, i pavarur dhe shumetnik, dhe dialogu teknik duhet t’i zvogëlojë diferencat në mes të Kosovës dhe Serbisë”, ka shtuar Gordon.

Ministri Hoxhaj ka zhvilluar një takim edhe me Ministrin e Punëve të Jashtme të Bosnjës dhe Hercegovinës, Sven Alkalaj.

Gjatë takimit, Ministri i Jashtëm i Kosovës e ka informuar homologun boshnjak për procesin e shtetndërtimit, reformat e brendshme, konsolidimin e gjithanshëm të shtetësisë dhe proceset e pritura të anëtarësimit të Republikës së Kosovës në organizatat ndërkombëtare.

Hoxhaj i ka parashtruar Ministrit Alkalaj kërkesën për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Bosnja dhe Hercegovina.

Po ashtu, Ministri i Jashtëm i Kosovës ka kërkuar nga Qeveria boshnjake të pranojë  dokumentet e udhëtimit të Republikës së Kosovës, gjë që do të mundësonte lëvizjen e lirë të qytetarëve të Kosovës në Bosnje dhe Hercegovinë.

Gjatë takimit me Ministrin Alkalaj, Ministri Hoxhaj ka theksuar përkushtimin e Kosovës për të vendosur dhe avancuar bashkëpunimin politik, ekonomik, arsimor dhe kulturor me Bosnjën dhe Hercegovinën.

Ministri i Jashtëm i Republikës së Kosovës, gjatë qëndrimit në Sarajevë, ka takuar edhe shumë udhëheqës të partive politike, deputetë, personalitete nga shoqëria civile dhe mediet boshnjake.

Gjatë takimit me Kryetarin e Partisë Social-Demokrate të Bosnjës dhe Hercegovinës, Zlatko Lagumdžija, Ministri Hoxhaj ka shprehur vullnetin e Institucioneve të Republikës së Kosovës për thellimin e marrëdhënieve të bashkëpunimit ndërmjet parlamenteve të dy vendeve.

Edhe në këtë takim, Ministri Hoxhaj ka kërkuar nga kryetari i socialdemokratëve boshnjakë që të ndikojnë në mënyrë që Bosnja dhe Hercegovina sa më parë të njohë pasaportat e Kosovës.

Ministri i Jashtëm i Kosovës ka takuar edhe të dërguarin ndërkombëtar në BeH, Valentin Inzko.

Hoxhaj ka zhvilluar një takim të veçantë edhe me Kryeministrin e Malit të Zi, Igor Likšić, ku është diskutuar për thellimin e shumanshëm të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve tona.

Në takim është biseduar për forcimin e marrëdhënieve bilaterale ndërmjet Republikës së Kosovës dhe asaj të Malit të Zi, me theks të posaçëm në proceset e përbashkëta integruese të dy shteteve fqinje.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)