19 Qershor 2021

Gjykatësit dënuan me burgim të përjetshëm Ratko Mladiç

Hagë, 8 qershor - Gjykatësit e Kombeve të Bashkuara vendosën të lënë në fuqi dënimin me burgim të përjetshëm për ish-komandantin ushtarak të serbëve të Bosnjës, Ratko Mladiç, për gjenocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

I cilësuar si “kasapi i Bosnjës”, ai u dënua në nëntor të vitit 2017 nën akuzat që përfshinin vrasjen e mbi 8 mijë djemve e burrave në korrik të vitit 1995 në Srebrenicë, ndër mizoritë më të rënda në Evropë që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore. Masakra u krye në një zonë që ishte shpallur e mbrojtur nga Kombet e Bashkuara.

Ratko Mladiç ishte përgjegjës për rrethimin dhe bombardimin e Sarajevës ku u vranë 10 mijë civilë. Masakra e Srebrenicës dhe rrethimi shumëvjeçar i Sarajevës, ishin zhvillimet që kthyen botën kundër serbëve dhe nxitën sulme ajrore të NATO-s, që çuan në përfundimin e luftës me marrëveshjen e arritur ne Dayton të Ohios në Shtetet e Bashkuara, në nëntor të vitit 1995.

Ai është fajtor edhe për përndjekjen e myslimanëve dhe kroatëve gjithandej Bosnjës, dhe mbajtjen peng të pjesëtarëve të forcave të Kombeve të Bashkuara.

Vendimi i sotëm i apelit shënon edhe përfundimin e ndjekjeve penale të Kombeve të Bashkuara për krimet e kryera në luftën e Bosnjë që la pas vetes mbi 100 mijë të vrarë dhe miliona të zhvendosur.

Ratko Mladiç, i akuzuar në vitin 1995 nga Gjykata për Krime luftë në hapësirat e ish Jugosllavisë kishte qëndruar në Beograd në vitet e para pas ngritjes së akuzave ndaj tij, ndërsa ishte fshehur pas rënies së presidentit serb Sllobodan Millosheviç në vjeshtën e vitit 2000.

Në maj të vitit 2011 ai u arrestua në një fermë në Serbinë veriore, pas një periudhe trysnie të Bashkimit Evropian mbi Serbinë që aspiron integrimet evropiane.

Gjyqi kundër tij, u hap në maj të vitit 2012.

Gjykata për krime lufte në ish Jugosllavi u themelua në vitin 1993 dhe ishte gjykata e parë për krime lufte pas gjykatës ushtarake të Nurembergut në fund të Luftës së Dytë Botërore.

Ajo ngriti akuza ndaj 161 vetave, 90 prej të cilëve janë dënuar. Në mars te vitit 2016-të, kjo gjykatë shpalli fajtor shefin politik të Ratko Mladiçit, Radovan Karaxhiç, i cili aktualisht po vuan në Britaninë e Madhe dënimin me burgim të përjetshëm nën akuzat për gjenocid dhe krime kundër njerëzimit.

Kalendari

Ngjarjet e datës 19 Qershor 2021 - Pishina e Gërmisë hap dyert për sezonin veror 2021. (Gërmia, Prishtinë, ora 10:00)    

- Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) dhe forumZFD promovojnë librin “Përtej dhimbjes, drejt guximit: Rrëfime për traumën e dhunës seksuale në luftë”. (Biblioteka Kombëtare, ora 11:00)

- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mban mbledhjen e radhës në të cilen do të shqyrtojë dhe miratojë rekomandimit për caktimin lartësisë së Shpenzimeve të Fushatës për zgjedhjet lokale 2021. (Selia e KQZ-së, ora 11:00)

- Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, bën homazhe te varri i veprimtares Nekibe Kelmendi, në 10 vjetorin e vdekjes. (Varri i Nekibe Kelmendi, ora 12:00)

- Komuna e Mitrovicës do të bejë përurimin e rrugës së asfaltuar në fshatin Kovaqicë të Shalës së Bajgores. (Fshati Kovaqicë, ora 14:00)