26 Prill 2024

Gjermania përkrah proceset integruese të Kosovës

Prishtinë, 9 qershor - Në ditën e parë të vizitës zyrtare në Republikën Federale të Gjermanisë, Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, ka zhvilluar takime me përfaqësues të partive politike dhe diplomatë të lartë në Ministrinë Federale të Punëve të Jashtme të Gjermanisë.

Ministri Hoxhaj është takuar me Zëvendëspresidentin e Partisë Socialdemokrate të Gjermanisë (SPD), Gernot Erler. Gjatë këtij takimi, Ministrit Hoxhaj i është ofruar përkrahja e plotë e SPD-së për zhvillimet në Kosovë, duke përfshirë procesin e brendshëm të shtetndërtimit, por edhe proceset që lidhen me forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës.

Erler, ka siguruar Ministrin e Jashtëm të Kosovës se kjo parti do të mbështesë politikën e zgjerimit të Bashkimit Evropian në Ballkanin Perëndimor.

Ai ka thënë se përfaqësuesit e SPD-së do të japin kontributin e tyre në çdo rast që do t’iu jepet, në Parlament ose në forume të tjera, ku do të potencojnë rëndësinë e liberalizmit të vizave për qytetarët e Kosovës. 

Ndërsa, gjatë takimit me Andreas Schockenhoff, nga Unioni Kristian Demokratik i  Gjermanisë (CDU), Ministri Hoxhaj ka marrë përkrahjen e partisë në pushtet në Gjermani, për proceset me të cilat po ballafaqohet Kosova.

Schockenhoff ka premtuar përkrahjen e grupimit CDU- CSU (Unioni Kristian Social i Bavarisë) në proceset integruese të Kosovës në nismat dhe mekanizmat e ndryshme ndërkombëtare. Ai po ashtu ka deklaruar se CDU-CSU do të jetë një zë i fuqishëm në përkrahje të Kosovës edhe në Parlamentin Evropian, rreth procesit të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka pasur një drekë punë edhe me Nikolaus Graf Lambsdorf, i ngarkuar special për Ballkanin Perëndimor në Ministrinë Federale të Punëve të Jashtme të Gjermanisë.

Në këtë takim është biseduar për thellimin e bashkëpunimit mes diplomacive të dy shteteve dhe për përkrahjen që diplomacia gjermane pritet t’i japë Kosovës në proceset ndërkombëtare.

Ministri Enver Hoxhaj, gjatë takimeve ka falënderuar Republikën Federale të Gjermanisë, institucionet dhe popullin e saj, për ndihmën e jashtëzakonshme që i kanë dhënë Kosovës për dekada të tëra, e veçanërisht që nga shpallja e pavarësisë.

Gjatë bisedave me përfaqësuesit e lartë të politikës dhe diplomacisë gjermane, Ministri Hoxhaj ka marrë mbështetjen e tyre për procesin e lobimit për njohjen e Kosovës nga shtetet, të cilat ende nuk e kanë marrë një vendim të tillë. Ata kanë premtuar ndihmë konkrete në përmbylljen e këtij procesi të rëndësisë së veçantë për shtetin e Kosovës në këtë fazë të zhvillimeve.

Gjatë ditës, Ministri Hoxhaj do të marrë pjesë edhe në Seancën Plenare të Bundestagut gjerman, ku është planifikuar të votohet vazhdimi i mandatit të trupave të Bundeswehr-it në kuadër të KFOR-it në Kosovë.

Nesër, në ditën e dytë të vizitës, Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj, do të ketë takim me Ministrin Federal të Punëve të Jashtme të Gjermanisë,  Guido Westerwelle.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)