01 Dhjetor 2021

Gërvalla dhe Xhaçka dakordohen për bashkëpunim në diplomaci

Tiranë, 18 tetor - Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, znj. Donika Gërvalla, po qëndron për vizitë zyrtare në Shqipëri. Vizitën e filloi duke takuar homologen e saj, znj. Olta Xhaçka, me të cilën mbajtën edhe konferencë të përbashkët për media.

Me këtë rast ministrja Gërvalla, theksoi se lidhjet institucionale mes Kosovës dhe Shqipërisë janë vazhdimësi e lidhjeve shpirtërore dhe vëllazërore të qytetarëve në të dy anët e kufirit të cilat do të mbahen të forta në çdo kohë.

“Së bashku me ministren Xhaçka diskutuam se si të krijojmë forma të reja të bashkëpunimit për qytetarët tanë, në të dyja vendet."

"Dy shtetet tona janë të lidhura në mënyrë të pandashme dhe nga ne si politikan pritet që të jetësojmë nevojat e qytetarëve tanë për bashkëpunim."

"Këtu mundemi vetëm të shtrojmë pyetjen nëse ne jemi ajo gjeneratë e politikanëve që do ta jetësojmë përmbushjen e këtyre nevojave sepse qytetarët e kanë të qartë çfarë duan”, ka thënë ministrja Gërvalla.

Palët gjatë takimit që patën u dakorduan rreth nevojës për mbikëqyrjen e zbatimi të marrëveshjeve të përbashkët dhe ranë dakord të thellojnë bashkëpunimin në shumë pika me interes të përbashkët. U theksua nevoja për përfaqësim të përbashkët diplomatik në vende të ndryshme të botës.

Dy kryediplomatet u dakorduan të punojnë edhe për ofrim të shërbimeve të përbashkëta konsullore për qytetarët e të dyja shteteve nëpër botë.

Edhe shkëmbimet e diplomatëve të të dyja Ministrive të Jashtme u vlerësua se duhet të ndodhin së shpejti. Po ashtu e panë të nevojshme të krijohet një ofertë serioze për pjesëtarët e mërgatës e cila është e lidhur mes vete, duke përfshirë këtu mësimin e gjuhës shqipe dhe aktivitete të ndryshme kulturore.

Gjatë bisedës, ministrja Gërvalla duke shprehur mirënjohje për mbështetjen e pa rezervë të Shqipërisë ndaj Kosovës në çdo kohë dhe çdo sektor, ka theksuar se fakti që Shqipëria do të jetë pjesë e Këshillit të Sigurimit në dy vitet e ardhshme, është tejet e nevojshme të ketë intensifikim të bashkëpunimit në mënyrë strategjike mes të dy vendeve në mënyrë që të ndihmohet Kosova për forcim të subjektivitetit të saj.

Në këtë drejtim ministrja Xhaçka ka theksuar se Shqipëria do të bëjë gjithçka që është e mundur, pa asnjë rezervë për të shtyrë përpara proceset që lidhen me fuqizimin e Kosovës, anëtarësimin në organizata ndërkombëtare si dhe arritjen e njohjeve të reja.

Bashkëbisedueset janë pajtuar se bashkëpunimi, marrëveshjet aktuale si dhe ato që do të vinë, shkojnë në funksion të forcimit të relatave mes shteteve dhe qytetarëve tanë të cilët do ta kenë më të lehtë bashkëpunimin mes vete.

“Të dyja shtetet udhëhiqemi nga interesi kombëtar për të thelluar ndërveprimin politik, ekonomik, social dhe kulturor dhe për të avancuar procesin e integrimit në Bashkimin Evropian, në shërbim të paqes e stabilitetit”, ka shtuar Gërvalla.

Gërvalla ndër të tjera është ndalur edhe tek procesi i integrimit evropian dhe vështirësitë e tij. Krahas angazhimit të të dyja shteteve për të përmbushur agjendën evropiane dhe për të arritur synimet në këtë rrugëtim ka thënë se po ndodhin vonesa dhe zvarritje të pakuptimta të cilat nuk janë në dorë të Kosovës dhe Shqipërisë.

“Ndonëse Shqipëria ende po pret për Konferencën Ndërqeveritare me BE-në për negociatat, Kosova ka vite që pret përfundimin e procesit të liberalizimit të vizave. Ne kemi bërë gjithçka që është dashur të bëhet për këto procese por vendimmarrja i takon BE-së."

"Megjithatë theksoj se ne jemi të përkushtuar të vazhdojmë punën me reformat e tjera që na presin në rrugën drejt integrimit në BE, duke u fokusuar në forcim të sundimit të ligjit, barazi e mirëqenie më të mirë për qytetarët”, plotësoi më tej.

 Në takimin që patën dy kryediplomatet biseduan edhe për çështje rajonale.  

Në këtë pikë ministrja Gërvalla ritheksoi përkushtimin e Qeverisë së Kosovës ndaj arritjes së marrëveshjeve të përbashkëta në dobi të qytetarëve në kuadër të Procesit të Berlinit, i cili duke pasur BE-në përbrenda, ofron një siguri dhe qëndrueshmëri më të madhe se sa çdo iniciativë tjetër për vendete Ballkanit Perëndimor.

Nga ana e saj, ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, znj.Olta Xhaçka, ka ritheksuar mbështetjen e parezervë të Republikës së Shqipërisë ndaj Kosovës në të gjitha sektorët e posaçërisht në angazhimin për forcim të subjektivitetit ndërkombëtar.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 1 dhjetor 2021 - Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) dhe OJQ Të Drejtat e Grave organizojnë diskutimin për manipulimin mendor dhe keqtrajtimin psikologjik si elemente të dhunës në familje. (Hoteli Emerald, ora 9:45)
    
- Bëhet betimi i kryetarit të komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj dhe nënshkruhen deklaratat  solemne për marrjen e detyrës nga anëtarët e Kuvendit të komunës. (Salla e Kuvendit të komunës në Deçan, ora 10:00)

- Mbahet mbledhja inauguruese e Kuvendit të Komunës së Mitrovicës së Jugut. (Salla e Kuvendit të Komunës, ora 10:00)

- Mbahet mbledhja inauguruese e Kuvendit të Komunës së Malishevës, ku do të bëjnë betimin anëtarët e Kuvendit dhe Kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati. (Salla e mbledhjeve të Kuvendit të Komunës së Malishevës, ora 10:00)
    
- Oda e Hotelerisë dhe Turizmit të Kosovës mban konferencë të jashtëzakonshme për shkak të mos aprovimit të kërkesave për lirim të masave. (Te ish-Rilindja, kompleksi III nr. 42, ora 12:00)
    
- Grupi Parlamentar i AAK-së, në Kuvendin e Kosovës mban tryezën me temën: Ngritja enorme e çmimeve dhe jostabiliteti ekononomik. (Salla N – 506, ora 13:00)
    
- Qendra për Këshillim, Shërbime Sociale, dhe Hulumtime (SIT), bën lansimin e platformës: Ofrimi i shërbimeve online dhe fizikisht për kryerësit e veprave të dhunës në familje dhe dhunës në baza gjinore. (Hotel “Prishtina”, Prishtinë, ora 14:00)

- Galeria 17 me mbështetjen nga Swiss Cooperation Office në Kosovë, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Komuna e Prishtinës organizojnë ngjarjen Dinner party/ Make me coffee make me a sandwich, në kuadër të ekspozitës së kuruar nga Natalija Vujošević. (Galeria 17 rruga Henrik Bariç, nr.10, ora 18:00)

- Mbahet hapja zyrtare e edicionit të dytë të Festivalit “Art Without Limit International Film Festival”. (Kino Armata, ora 18:00)

- Asociacioni i Artistëve Vizual të Kosovës organizojnë hapjen e ekspozitës vjetore të anëtarëve të Asociacionit të artistëve vizual të Kosovës. (Galeria e Artëve të Kosovës, ora 19:00)