16 Prill 2024

Europa, më shumë azilantë në vitin 2009

Bruksel, 22 qershor - Bota festoi javen qe shkoi ditën botërore të refugjatëve, ditë kjo që ka për qëllim të tërheqë vëmendjen për gjendjen e miliona njerëzve, të cilët janë detyruar të braktisin shtëpitë, për shkak të konflikteve apo keqtrajtimeve të ndryshme.

Kombet e Bashkuara pranojnë se aktualisht janë rreth 15 milionë burra, gra dhe fëmijë që mund të konsiderohen refugjatë dhe që nuk mund të kthehen në shtëpitë e tyre. Pikërisht në ditën e refugjatëve, zyra e statistikave, Eurostat, publikoi shifrat e proceseve të azilit në Bashkimin Europian. Sipas të dhënave, vendet anëtare të Bashkimit Europian kanë marrë vitin e kaluar 317500 kërkesa për çështje azili, ndër të cilat ka njohur si refugjatë 78800 vetë.


Kjo shifër është më e madhe se një vit më parë, me rreth 3 mijë persona. Vitin e kaluar u shtruan 261 mijë kërkesa për azil në BE. Numri i kërkesave për azil është duke u rritur që nga viti 2006. Në atë kohë bëheshin vetëm 191 mijë kërkesa për azil në vit.

Në fillim të viteve nëntëdhjetë, gjatë shpërbërjes së ish-Jugosllavisë dhe luftërave në Ballkan, numri i kërkesave për azil në BE arriti në 680 mijë. Në vitin 2009, pjesa më e madhe e azilkërkuesve kanë ardhur nga Afganistani, Rusia, Somalia dhe Iraku.

Numri i emigrantëve nga Iraku është në rënie të vazhdueshme, ndërkohë që ai i atyre nga Afganistani është në rritje. Grupi më i madh i refugjatëve të pranuar ka qenë vitin e kaluar nga Somalia (13425), i ndjekur nga Iraku (13130) dhe Afganistani (7100). Numrin më të madh të azilantëve e ka njohur në vitin 2009 Britania (12500), e ndjekur nga Gjermania, (12500) dhe Franca (10000).

Franca ka pasur numrin më të madh të kërkesave për azil. Vendet nga vijnë azilkërkuesit dhe kuotat janë të ndryshme nga vendi në vend. Kështu, për shembull, Britania ka pasur një numër të madh azilkërkuesish nga Zimbabve, një ish-koloni britanike.

Sa u përket statistikave, numrin më të madh të njohjeve të azilit e kanë pasur rusët në Poloni. 2500 rusëve iu njoh e drejta e azilit. Ata përbëjnë 95 për qind të azilkërkuesve. Është ulur shumë numri i kërkesave për azil në Itali dhe Greqi. Të dyja vendet përpiqen që t’i kapin refugjatët që në det dhe t’i kthejnë në vendet nga vijnë.

Italia i dërgon refugjatët në Libi, vend me të cilin ka lidhur marrëveshjen përkatëse. Organizatat e të drejtave të njeriut dhe Kombet e Bashkuara kritikojnë Greqinë për procese azili me mangësi.

Bashkimi Europian do të unifikojë deri në fund të këtij viti politikën e azilit dhe proceset e azilit. Migrimi ilegal duhet të pengohet, thonë ministrat e Brendshëm. Por migrimi legal, thotë Komisioni i BE-së, duhet të shtohet për të balancuar zvogëlimin e popullsive europiane.

Nëse nuk ndodh kjo, atëherë ekziston rreziku i një kolapsi të sistemeve ekonomike dhe sociale, sidomos në vendet e reja anëtare të BE-së, si dhe në Gjermani. Sipas vlerësimeve, aktualisht në BE jetojnë tre milionë migrantë ilegalë. Spanja, Franca, Portugalia dhe Italia u kanë dhënë viteve të fundit statusin legal qindra-mijëra migrantëve ilegalë.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)