20 Prill 2024

Disidentët rusë kërkojnë Perëndimit veprime më të ashpra ndaj Putinit

Moskë, 9 qershor - Disidentët rusë po i bëjnë thirrje Perëndimit të ndërmarrë veprime më të ashpra ndaj Presidentit Vladimir Putin, duke argumentuar se është në vetë interesin e Perëndimit të përqafojë një strategji më vendimtare ndaj Kremlinit, ose në të kundërtën të paguajë një çmim më të lartë në të ardhmen.

Në prag të samitit të G7-tës në Cornwall, të Anglisë, dhe përpara takimit të planifikuar më 16 qershor në Gjenevë mes Presidentit amerikan Joe Biden dhe Presidentit rus Putin, kundërshtarët e udhëheqësit rus po shtojnë përpjekjet e tyre për një strategji më të vendosur të Perëndimit, për të ndëshkuar Kremlinin që ka shtuar represionin ndaj disidencës në Rusi dhe për përpjekjet për të destabilizuar aleancën perëndimore.

"Detyra e ndryshimit të Rusisë qëndron mbi shpatullat e rusëve. Është monumentale. Është e rrezikshme", tha Vladimir Ashurkov, drejtor ekzekutiv i fondacionit anti-korrupsion të themeluar nga kritiku i Presidentit Putin, Alexei Navalny, i cili është aktualisht i burgosur.

"Por, ekzistojnë disa masa që Perëndimi mund dhe duhet të ndërmarrë për t'i dhënë më shumë mundësi ndryshimit dhe për ta mundësuar jo thjesht për shkak të altruizmit, por për vetë interesin e tij", tha zoti Ashurkov në një apel të publikuar në gazetën britanike "The Times of London". Vendet perëndimore duhet "ta rrisin koston" për përpjekjet e Kremlinit për të "destabilizuar rendin shoqëror dhe politik të Perëndimit, ndërsa po grabit vetë vendin e tij", tha zoti Ashurkov.

Fuqitë perëndimore kanë akuzuar Kremlinin për ndërhyrje në zgjedhjet në Shtetet e Bashkuara dhe Evropë dhe për ngritjen e fushatave të dizinformimit që synojnë zgjerimin e ndasive politike dhe sociale mes vendeve të NATO-s. Kremlini është akuzuar edhe për sulme kibernetike, si dhe vrasjen e azilantëve rusë në Evropë që kundërshtonin zotin Putin. Kremlini i mohon akuzat.

Thirrja e zotit Ashurkov u përsërit këtë javë nga Vladimir Kara-Murza, një udhëheqës i demokracisë ruse, i cili shkruajti në gazetën The Washington Post se megjithëse vërtet u mbetet rusëve të ndryshojnë Rusinë, "burgosja e motivuar politikisht është një shkelje e angazhimeve ndërkombëtare të Moskës - dhe këtë javë numri i të burgosurve politikë (më shumë se në epokën sovjetike) është rritur sërish".

Zoti Kara-Murza citoi arrestimin javën e kaluar të Andrei Pivovarov, ish-drejtori i "Rusisë së Hapur", një grup opozitar i themeluar nga kritiku i mërguar i Putinit, Mikhail Khodorkovsky, i cili u tërhoq nga një aeroplan që do të shkonte drejt Varshavës në aeroportin e Shën Petërburgut nga operativët e organeve të sigurisë. Gjithashtu, ai theksoi bastisjet në agim në Moskë të banesës, shtëpisë së pushimit dhe zyrave të Dmitry Gudkovit, një politikan i opozitës dhe ish-ligjvënës rus. Zoti Gudkov u ndalua për dy ditë.

"Bashkimi Evropian ka kërkuar që Kremlin 'të lirojë menjëherë dhe pa kushte' Pivovarovin dhe të tjerët të ndaluar padrejtësisht. Më 16 qershor, gjatë takimit të tij me Putinin në Gjenevë, Presidenti Biden do të ketë një mundësi të mirë për të bërë të njëjtën gjë”, tha zoti Kara-Murza.

Apeli i disidentëve rusë përpara takimit të javës së ardhshme Biden-Putin erdhi ndërsa kreu i agjencisë së brendshme të zbulimit të Gjermanisë paralajmëroi se Kremlini ka rritur ndërhyrjet klandestine në Gjermani në nivelet e Luftës së Ftohtë. Thomas Haldenwang, presidenti i Zyrës Federale për Mbrojtjen e Kushtetutës (BfV), u shpreh për gazetën "The Times of London" se Moska kishte dislokuar një “numër të madh agjentësh” në kuadrin e përpjekjeve të saj për “krijimin e kontakteve përreth vendimmarrësve politikë” dhe se Gjermania është në shënjestër gjithnjë e më shumë nga fushatat e zbulimit, dizinformimit dhe lobimit rus.

Komentet e tij u përsëritën nga Bruno Kahl, kreu i shërbimit të zbulimit të jashtëm të Gjermanisë, BND, i cili tha se Rusia dhe Kina po përdornin të gjitha mjetet për të "siguruar kontrollin dhe për të mbjellë mosmarrëveshje mes vendeve të Perëndimit". Kahl shtoi: "Ju mund të vëzhgoni një ndryshim në taktikat e tyre: ata po bëhen më të ashpër dhe më të pamëshirshëm dhe po ndjekin interesat e tyre në mënyrë më flagrante se më parë".

Prokurorët federalë të Gjermanisë vitin e kaluar akuzuan një shtetas rus për vrasjen në vitin 2019 të një luftëtari rebel gjeorgjian në Berlin dhe thanë se Moska kishte urdhëruar vrasjen. Qeveria gjermane dëboi dy diplomatë rusë për vrasjen e Zelimkhan Khangoshvilit, një gjeorgjian etnik çeçen, i cili luftoi kundër Rusisë në Luftën e Dytë Çeçene dhe Luftën Ruso-Gjeorgjiane të vitit 2008.

Sekretari i Shtetit i SHBA Anthony Blinken të hënën tha në një intervistë për mediat në Uashington: "Ne do të preferonim të kishim një marrëdhënie më të qëndrueshme, të parashikueshme me Rusinë. Ne e kemi bërë të qartë këtë. Por ne e kemi bërë po aq të qartë se nëse Rusia zgjedh të veprojë në mënyrë agresive ose të pakujdesshme ndaj nesh ose ndaj aleatëve dhe partnerëve tanë, ne do të përgjigjemi".

Duke folur për faqen e lajmeve në internet Axios, Sekretari Blinken tha se Presidenti Biden po takohej me Putinin "jo pavarësisht nga këto agresione, këto sulme, por për shkak të tyre, për t'i thënë atij drejtpërdrejt dhe qartë se çfarë mund të presë nga Shtetet e Bashkuara nëse veprimet agresive, të pamatura ndaj nesh vazhdojnë".

Ai nuk pranoi të japë ndonjë tregues nëse ishte optimist për rezultatin e takimit të planifikuar, takimi i parë i Presidentit Biden me Putinin që kur u zgjodh president i Shteteve të Bashkuara.

Administrata e Presidentit Biden mori kritika muajin e kaluar nga disidentët rusë dhe mbështetësit e tyre perëndimorë për vendimin e saj muajin e kaluar për të hequr dorë nga sanksionet amerikane ndaj kompanive që po realizojnë tubacionin e gazit natyror Nord Stream 2 që lidh Gjermaninë dhe Rusinë.

Të hënën, Sekretari Blinken i tha një komisioni të Kongresit se përfundimi i tubacionit prej 11 miliardë dollarësh ishte një "fakt i kryer", por ai tha se administrata do të përgjigjej nëse Kremlini kërkon të përdorë furnizimin me gaz si një armë politike. Administratat e njëpasnjëshme amerikane kanë kundërshtuar ndërtimin e Nord Stream 2 nga frika se do të rrisë ndërvarësinë e energjisë së Evropës nga Rusia.

Gazsjellësi nën Detin Baltik është 95% i përfunduar dhe do t'i mundësojë Rusisë të anashkalojë Ukrainën kur furnizon me energji tregjet e Evropës Perëndimore, duke i mohuar kështu Ukrainës tarifat e tranzitit. Zoti Putin javën e kaluar kërcënoi të ndërpresë menjëherë Ukrainën nga gazi rus, pasi njoftoi se projekti do të përfundonte brenda muajsh. Duke folur në Forumin Ekonomik Ndërkombëtar të Shën Petërburgut, zoti Putin tha se do të ishte në dorën e ish-republikës sovjetike që të tregonte "vullnet të mirë" ndaj Moskës.

/voa/

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)