18 Gusht 2022

Delahant: Qeveria e Kosovës të jetë e panjollosur nga korrupsioni

Washington, 13 shkurt - Ish-kongresisti amerikan, Bill Delahant, ka deklaruar se politikanët në Kosovë nuk duhet ta shikojnë procesin e formimit të qeverisë së re si diçka ku i bëjnë favore njëri-tjetrit por duhet të venë në krye të përparësive popullin e Kosovës.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Delahant, i cili vitin e kaluar nuk vuri kandidaturë për t’u rizgjedhur në Kongres, punon tani si konsulent biznesi për vendet e Evropës. Si anëtar i Kongresit mes viteve 1997 dhe 2010, ai ka një përvojë të gjatë me çështjet evropiane dhe të Ballkanit.

Zoti Delahant tha se tani që Kosova po kalon nëpër një proces delikat të formimit të qeverisë, ka rëndësi të madhe që qeveria e re të jetë e panjollosur nga korrupsioni.

“Mendoj se ka rëndësi që ata të kuptojnë se bota po i vëzhgon dhe ky proces po ndiqet me vemendje. Shumë vende e kanë njohur Kosovën, por në të njëjtën kohë kjo sjell përgjegjësi. Si ish kryetar i nënkomisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Evropën, unë e di se kjo ndiqet me shumë vemendje këtu në Shtetet e Bashkuara. Shpresoj se ky proces duhet të përmbyllet me një qeveri e cila e kupton se korrupsioni nuk mund të tolerohet, se populli i Kosovës duhet të jetë përparësia e qeveritarëve, se politikanët nuk duhet ta shikojnë procesin si diçka ku i bëjnë favore njëri-tjetrit por për të vënë në plan të parë interesat e popullit të Kosovës. Ata duhet të kuptojnë gjithashtu se bisedimet e pritshme me Beogradin janë të rëndësishme.”

Zoti Delahunt tha se qeveria e re është e nevojshme që, jo vetëm të jetë kompetente dhe e pastruar nga korrupsioni, por njerëzit e saj duhet të respektohen nga ato vende të cilat kanë shpenzuar kapital politik të konsiderueshëm për ta mbështetur Kosovën në shpalljen e pavarësisë.

“Nuk mund të mohohet se Shtetet e Bashkuara dhe Presidenti Obama kanë investuar një kapital të konsiderueshëm politik në Kosovë. Pavarësia e Kosovës ka qenë një çështje mjaft delikate në marrëdhëniet tona me vendet në rajon, sidomos me Rusinë. Pra, kërkoi guxim nga ana e administratës dhe e anëtarëve të Kongresit, si Eliot Engel, që të flisnin hapur në favor të pavarësisë.Tani, i takon klasës politike në Kosovë të tregojë se do të jetë në gjendje të qeverisë në një mënyrë të tillë që të jetë e pandikuar nga ndonjë formë korrupsioni dhe që e vendos popullin e Kosovës në krye të përparësive të saj.”

Kalendari

Ngjarjet e datës 18 gusht 2022

 - Mbahet seanca në rastin e falsifikimit të tenderit 800 mijë euro për rinovimin e objektit të PSRK-së ndaj të akuzuarit Tahir Sopa, përfaqësues i firmave “NBT ING SHPK” dhe “NPN Bajramaj”. (Pallati i Drejtësisë, ora 9:30)

- Komuna e Rahovecit mbant dëgjimi publik për buxhetin e vitit 2023 më bashkësit lokale, lagjet urbane dhe përfaqesues të shkollave. (Shtëpia e Kulturës 'Mensur Zyberaj' në Rahovec, ora 10:00)

- Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës mban konferencë për media e cila ndërlidhet me shpalljen e grevës së përgjithshme. (Zyrat e BSPK-së, ora 13:00)

- Fondacioni Shtatëmbëdhjetë organizon hapjen e programit Rezidenca 17. (Shtëpia e Hivzi Sulejmanit në lagjen Taslixhe, ora 18:00)