24 Maj 2022

Daçiç: Shqiptarët mund të krijojnë një shtet në Maqedoni

Beograd, 2 gusht - Ministri i Punëve të Brendshme i Serbisë, Ivica Daçiç kërkon një marrëveshje të re historike për rajonin e Ballkanit. Kjo sipas tij, për t’i ikur “problemeve të mëdha në të ardhmen”.


Në një intervistë për të përditshme serbe “Politika”, Daçiç ka vlerësuar se, në Ballkan akoma nuk janë zgjidhur çështja shqiptare dhe ajo serbe.

“Shqiptarët tashmë e kanë një shtet, tani në Kosovë po e krijojnë të dytin, kurse në të ardhmen ndoshta mund ta krijojnë edhe shtetin e tretë në Maqedoni”, deklaroi Daçiç, njofton agjencia Ina.

Sipas tij, kjo situatë në Kosovë mundet t’i nxisë serbet në Republikën Srpska, që të mendojnë për pavarësinë.  Ai nuk përjashton mundësinë që edhe serbet në veri të Kosovës të kërkojnë bashkimin me Serbinë. Opinioni i GJND-së, me të cilin u vërtetua pavarësia e Kosovës, ka hapur idetë të reja në Serbi. Autoritetet e Beogradit kërkojnë nga Bashkësia ndërkombëtare një marrëveshje të re historike për Ballkanin. Sipas tyre marrëveshja duhet të jetë e karakterit strategjik.

Ndërkohë autoritet kosovare thonë se, opinioni i GJND-së i cili ishte në favor të pavarësisë së Kosovës, përfundimisht shuan çdo synim për çfarëdo ideje për ndarje të Kosovës. Përfaqësuesit e shqiptarëve në rajon, por edhe popujve tjerë, përjashtuar Serbinë, janë deklaruar kundër idesë së ndryshimit të kufijve. Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ilir Meta, ditë më parë në Shkup hapur kundërshtoi idetë për ndarje.

“Ende dëgjohen zëra për ndryshime kufijsh, për shkëmbime territoresh, pavarësisht se janë të izoluar dhe nuk e dominojnë klimën e përgjithshme pro-europiane që ekziston në rajonin tonë, prandaj kemi ritheksuar se prioritet i vendeve të rajonit tonë nuk mund të jetë kurrsesi ndryshimi i kufijve, por heqja e tyre, heqja e barrierave që pengojnë bashkimin e njerëzve, bashkimin e popujve dhe njëkohësisht bashkimin me Evropën”, thotë shefi i diplomacisë shqiptare.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 25 maj 2022

- Instituti Demokratik i Kosovës mbanë diskutimin publik me temën “Raportet Kosovë-Serbi: Tabelat e veturave dhe një Dialog që nuk po lëvizë!” një diskutim i përbashkët i përfaqësuesve të shoqërisë civile me pjesëmarrës nga politika, mediat dhe përfaqësuesit e misioneve ndërkombëtare në Kosovë. (Hotel Sirius, ora 9:30)  

- Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere, shqyrton raportin vjetor financiar të Agjencisë për Informim dhe Privatësi për vitin 2021, Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Fondet Pensionale të Kosovës, etj. (Kuvendi i Kosovës, salla C203, ora 10:00)

- OJQ "Iniciativa për Drejtësi dhe Barazi - Inject" organizon konferencën përmbyllëse  të Projektit me titull “Sigurimi i të Drejtave Pronësore të Grave përmes rritjes së Kapaciteteve Institucionale në Kosovë”.  (Hotel Emerald, ora 10:00)

- Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione, diskuton për zbatimin e Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijës. (Kuvendi i Kosovës, salla N302, ora 10:00)

- Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, pret në takim Christopher Hyland, kontribues në Pavarësinë e Kosovës në SHBA-të dhe në prezantimin e shtetit tonë te ish-presidenti amerikan Bill Clinton. (Shtëpia e Bardhë, Prizren, ora 11:00)

- Mbahet edicioni i 21-të të panairit ndërkombëtar EXPOKOS, që i dedikohet bizneseve të sektorëve të: Ndërtimit, Energjisë, Makinerisë dhe Sigurisë dhe Mbrojtjes. Merr pjesë zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi. (Pallati i Rinisë, ora 11:00)

- Mbahet Kuvendi i pestë i Partisë Eko Lëvizja e Gjelbër e Kosovës. (Hotel Grand, salla e Kuqe, ora 11:00)

- Drejtoria e Mirëqenies Sociale, në kuadër të “Fushatës vetëdijesuese për trajtimin e fëmijëve në situatë rruge” organizon një kampanjë me moton “Unë s’jap lëmoshë, AS TI! & Bashkë t’i mbrojmë fëmijët në situatë rruge” me qëllim të përçimit të mesazhit se dhënia e lëmoshës cenon dhe dëmton jetën e fëmijëve në situatë rruge. (Sheshi “Nënë Tereza”, ora 11:00)

- Punëtorët e Lotarisë së Kosovës protestojnë në shenjë pakënaqësie për mosplotësimin e kërkesave të tyre për Ligjin për Lotarinë e Kosovës dhe pagat për këta punëtorë. (Para ndërtesës së Qeverisë, ora 11:30)

- Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me procesin e vendimmarrjes në sektorin e energjisë për periudhën 2006-2022, në nivelin legjislativ, ekzekutiv, rregullator dhe në ndërmarrje publike mban mbledhje. (Kuvendi i Kosovës, salla N303, ora 14:00)

- Instituti Kombëtar Demokratik organizon debatin e parë mbi politika nën temën “Në mbrojtje të demokracisë: Politikat gjithpërfshirëse të punësimit kanë rëndësi”. (Objekti i komunës së re në Prishtinë, ora 14:00)

- Klubi Futbollistik Drita mban konferencë për medie. (Selia e Federatës së Futbollit të Kosovës, ora 14:00)

- Klubi Futbollistik Llapi mban konferencë për medie. (Selia e Federatës së Futbollit të Kosovës, ora 15:00)

 Fondacioni Lumbardhi hapë sezonin e programeve që kremtojnë 70-vjetorin e kinemasë me promovimin e librit “Lumbardhi: një histori episodike” dhe fillimin e programit të filmit LXX në ekran të madh. (Kino Bahçe në Prizren, ora 19:00)