19 Prill 2024

Bruksel: Sot nis dialogu mes Kosovës dhe Serbisë

Bruksel, 8 mars - Bisedimet e para direkte ndërmjet Beogradit e Prishtinës, pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës tre vjet më parë, do të fillojnë sot në Bruksel dhe do të zgjasin dy ditë.

Me ndërmjetësimin e përfaqësuesit të BE-së, Robert Cooper, bisedimet do të përqendrohen në problemet praktike, siç janë kontrolli i kufijve dhe dokumentet personale, ndërkaq çështjet politike do të shmangen.

Delegacionin e Prishtinës do ta kryesojë nënkryetarja e qeverisë së Kosovës, Edita Tahiri, kurse atë serb drejtori politik në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Serbisë, Boris Stefanoviq.

Në këto bisedime nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, por edhe SHBA-ve do të diskutohen çështjet teknike midis dy vendeve si: kadastra, telekomunikimet, avio-transporti, lëvizja e lirë, njohja e dokumenteve, njohja e vulave doganore si dhe çështje të tjera.

Shefja e delegacionit të Kosovës në këto bisedime, zëvendëskryeministrja Edita Tahiri ka theksuar se bisedimet kanë të bëjnë me çështjet teknike dhe përjashtohen çdo çështje për sovranitetin e Kosovës, që sipas saj është kreu i mbyllur.

Nga ana tjetër, shefi i delegacionit serb, Borko Stefanoviç nuk përjashton bisedimet edhe për sovranitetin, që sipas tij, do të diskutohen në fazët e mëvonshme.

Në takimin e sotëm në Bruksel pritet të jetë i pranishëm edhe zëvendës-ndihmës sekretari amerikan i shtetit, Tomas Countryman.

Zyrtarët e BE-së thonë se fillimisht do të bisedohet çështja e lëvizjes së lirë, bashkëpunimi rajonal, lëmi i sundimit të ligjit dhe çështjet tjera praktike.

Takimi i parë në mes të Prishtinës dhe Beogradit do të zgjasë dy ditë. Zyrtarë të lartë evropianë e amerikanë, sikurse edhe vendorë, kanë potencuar faktin se në këto bisedime nuk do të ketë tema politike, siç është ajo e statusit apo edhe çështja e veriut të Kosovës.

Ndërkohë në Prishtinë dje kuvendi zhvilloi një debat disaorësh  lidhur me bisedimet Kosovë-Serbi, por nuk u arrit nga deputetët miratimi i një rezolute për këto bisedime.

Në fund është arritur marrëveshja që draftrezoluta e paraqitur nga PDK-ja, një draftrezolutë nga Vetëvendosja dhe nga qëndrimet e paraqitura nga kryeministri, do të nxirret një draftrezolutë, e cila do t'i dorëzohet Kuvendit të enjten.    

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)